Lajme

Kush do ta drejtojë Izraelin? Netanyahu përballë rivalëve, ç’parashikojnë sondazhet

Në zgjedhjet e para parlamentare pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, kryeministri izraelit përballet me ish-aleatë, ish-gjeneralë dhe rivalë të vendosur për ta larguar nga drejtimi i vendit. Sondazhet tregojnë një garë të ngushtë, ndërsa formimi i qeverisë së ardhshme mbetet i pasigurt…

Izraelitët do të votojnë të martën për të zgjedhur parlamentin e ri, në zgjedhjet e para që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, i cili ndryshoi rrënjësisht situatën e sigurisë në vend dhe përshkallëzoi konfliktet në Lindjen e Mesme. Që atëherë, Izraeli ka zhvilluar luftëra në Rripin e Gazës dhe në Liban, si dhe ka ndërmarrë sulme ajrore kundër Iranit.

Sipas agjencisë Reuters, zgjedhjet zhvillohen me sistem proporcional, ku qytetarët votojnë për partitë politike dhe mandatet parlamentare shpërndahen sipas listave të kandidatëve dhe rezultatit që siguron secila forcë.

Në qendër të garës mbetet 77-vjeçari Benjamin Netanyahu, i cili ka dominuar politikën izraelite gjatë pjesës më të madhe të periudhës që nga viti 2009, pas një mandati të parë si kryeministër në vitet 1990. Ai është një nga figurat më të njohura të Izraelit në arenën ndërkombëtare, por njëkohësisht mbetet një politikan që shkakton ndarje të thella brenda vendit.

Mbështetësit e quajnë “Mbreti Bibi” dhe e konsiderojnë një udhëheqës të fortë, të aftë për të mbrojtur Izraelin përballë kërcënimeve rajonale. Kundërshtarët, nga ana tjetër, e kritikojnë për përgjegjësinë politike lidhur me dështimet e sigurisë që paraprinë sulmin e 7 tetorit, si dhe për politikat e qeverisë së tij në çështjet që lidhen me fenë dhe shtetin.

Pozita e Netanyahut ndërlikohet edhe nga problemet ligjore. Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar një urdhërarrest ndaj tij për krime të dyshuara lufte në Gazë, akuza që ai i kundërshton. Ndërkohë, në Izrael ai përballet me një proces gjyqësor për korrupsion, ku gjithashtu i mohon akuzat.

Sondazhet kanë treguar një rënie të ndjeshme të mbështetjes për partinë e tij Likud pas sulmit të Hamasit, i cili dëmtoi imazhin e Netanyahut si garantues i sigurisë kombëtare. Megjithatë, kryeministri ka treguar vazhdimisht aftësi për të kapërcyer krizat politike. Ai ka deklaruar se synon të formojë një qeveri me bazë të gjerë kombëtare nëse fiton zgjedhjet. Në rast të një bllokimi politik, Netanyahu mund të vazhdojë të drejtojë qeverinë në detyrë për disa muaj.

Rivalët që synojnë t’i japin fund epokës Netanyahu

Përballë kryeministrit qëndrojnë disa figura me përvojë të gjatë politike dhe ushtarake, të cilat kërkojnë të përfitojnë nga pakënaqësia e elektoratit, por që ende nuk kanë arritur të krijojnë një alternativë të bashkuar.

Një prej tyre është Gadi Eisenkot, 66 vjeç, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite. Eisenkot, i cili humbi djalin gjatë luftimeve në Gazë, ka ndërtuar profilin e tij publik mbi përvojën ushtarake, sigurinë kombëtare dhe imazhin e një politikani që qëndron jashtë elitës tradicionale të pushtetit. Ai drejton partinë e re të qendrës Yashar, emër që në hebraisht do të thotë “i drejtë” ose “i ndershëm”. Prejardhja e tij modeste dhe humbja familjare krijojnë një kontrast me karrierën e gjatë të Netanyahut dhe proceset gjyqësore që e shoqërojnë.

Një tjetër pretendent i rëndësishëm është ish-kryeministri Naftali Bennett, 54 vjeç, një politikan i djathtë, ish-komando dhe sipërmarrës i suksesshëm në sektorin e teknologjisë. Bennett, dikur bashkëpunëtor i Netanyahut, ka bashkuar forcat me ish-kryeministrin e qendrës Yair Lapid, duke krijuar partinë Together, ose “Së bashku”.

Aleanca e tyre përqendron mesazhin elektoral te nevoja për të kapërcyer pasojat e luftës, për të ulur përçarjet shoqërore dhe për ta rikthyer vendin drejt stabilitetit. Pavarësisht dallimeve ideologjike, Bennett dhe Lapid kanë përvojë bashkëpunimi, pasi në vitin 2021 arritën të largonin Netanyahun nga pushteti.

Në garë është edhe ish-ministri i Mbrojtjes Avigdor Lieberman, 68 vjeç, dikur një nga aleatët më të afërt të kryeministrit. Lieberman u largua nga qeveria në vitin 2018, duke e akuzuar Netanyahun për qëndrim tepër të butë ndaj militantëve palestinezë në Gazë. Që atëherë, ai është shndërruar në një nga kritikët më të ashpër të tij. Partia Israel Our Home, që Lieberman drejton, mbështetet kryesisht te komuniteti i emigrantëve nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Në krahun e majtë të skenës politike spikat ish-gjenerali Yair Golan, 64 vjeç, i cili fitoi vlerësime për përfshirjen e tij në shpëtimin e njerëzve gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor. Ai drejton Demokratët, një forcë politike të krijuar nga bashkimi i strukturave të Partisë historike të Punës dhe partisë së majtë Meretz.

Aleancat që mund të vendosin fatin e qeverisë

Pavarësisht konkurrencës së fortë, e ardhmja politike e Netanyahut mund të varet në masë të madhe nga partitë që kanë mbështetur qeveritë e tij të mëparshme.

Në këtë grup bëjnë pjesë ministri i Financave Bezalel Smotrich, 46 vjeç, dhe ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, 50 vjeç, dy përfaqësues të së djathtës ekstreme që kanë tërhequr kritika ndërkombëtare për qëndrimet e tyre ndaj palestinezëve.

Smotrich ka mbështetur fuqishëm zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe ka shprehur synimin që kjo politikë t’i japë fund perspektivës së krijimit të një shteti palestinez.

Ben-Gvir, të cilin një gjykatë izraelite e dënoi në vitin 2007 për nxitje raciste kundër arabëve, ka kërkuar dënimin me vdekje për militantët palestinezë të dënuar, ashpërsimin e kushteve të burgimit për palestinezët dhe lehtësimin e rregullave për zotërimin e armëve nga izraelitët. Të dy ministrat kanë mbështetur largimin e palestinezëve nga Rripi i Gazës dhe rikthimin e vendbanimeve izraelite në këtë territor.

Një rol të rëndësishëm në mbijetesën politike të Netanyahut kanë luajtur edhe dy partitë hebraike ultraortodokse, United Torah Judaism dhe Shas. Ato kanë qenë për vite me radhë pjesë e aleancave të tij qeverisëse, duke kërkuar në këmbim ruajtjen e përjashtimeve nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak për pjesën më të madhe të komunitetit të tyre.

Këto kërkesa kanë shkaktuar pakënaqësi të konsiderueshme në shoqërinë izraelite, veçanërisht gjatë luftës, kur nevojat e ushtrisë për personel janë rritur. Debati është zgjeruar edhe te pjesëmarrja relativisht e ulët e komunitetit ultraortodoks në tregun e punës dhe mbështetja e tij te përfitimet shtetërore.

Megjithatë, përbërja e qeverisë së ardhshme mund të përcaktohet edhe nga parti që nuk janë rreshtuar qartësisht në asnjërin prej dy kampeve kryesore. Mes tyre janë Raam dhe Lista e Përbashkët, të cilat përfaqësojnë pakicën arabe, që përbën rreth 20 për qind të popullsisë së Izraelit.

Në këtë grup përfshihen edhe dy forca të reja, partia e djathtë People of Israel dhe ajo e qendrës së djathtë The Reservists. Mbështetja për këto parti ka shënuar luhatje në sondazhe, çka e bën të vështirë parashikimin e ndikimit të tyre në parlamentin e ardhshëm.

Në këto rrethana, zgjedhjet nuk do të përcaktojnë vetëm se cila parti do të marrë më shumë vota, por edhe se cili kamp do të jetë në gjendje të sigurojë mbështetjen e nevojshme për formimin e qeverisë.

Ndërsa Netanyahu kërkon të zgjasë qëndrimin e tij në pushtet, rivalët përpiqen të ndërtojnë një shumicë alternative, pavarësisht dallimeve të konsiderueshme politike mes tyre. Nëse asnjëra palë nuk arrin të sigurojë mbështetjen parlamentare, Izraeli mund të përballet me një periudhë të gjatë negociatash dhe pasigurie politike.

3sgIgLJ.png