Lajme

Ku dallon Hantavirusi nga Covid 19?

Shpërthimi i Hantavirusit në anijen turistike “MV Hondius” ka rikthyer shqetësimet globale për sëmundjet zoonotike dhe rrezikun e përhapjes së tyre ndërkombëtare.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se situata nuk duhet krahasuar me pandeminë e Covid-19, edhe pse bëhet fjalë për një virus me shkallë vdekshmërie shumë më të lartë.

Virologu italian Fabrizio Pregliasco, drejtor i Shkollës së Specializimit në Higjienë dhe Mjekësi Parandaluese në Universitetin Shtetëror të Milanos, shpjegon se Hantaviruset janë viruse zoonotike, të transmetueshme nga kafshët te njeriu, kryesisht përmes brejtësve.

Hantaviruset infektojnë natyrshëm brejtësit dhe vetëm herë pas here transmetohen te njerëzit. Deri më sot, transmetimi nga njeriu te njeriu është dokumentuar vetëm për virusin Andes, i përhapur kryesisht në Argjentinë dhe Kili”, shpjegon ai, raporton “Corriere della Sera”.

Sipas ekspertit, fakti që shpërthimi ndodhi në një anije turistike ka si avantazhe, ashtu edhe rreziqe. Nga njëra anë, izolimi i pasagjerëve e bën më të lehtë kontrollin e situatës. Nga ana tjetër, anija kishte udhëtarë nga 23 shtete të ndryshme dhe disa persona kishin zbritur para se të kuptohej natyra reale e virusit.

Autoritetet italiane të shëndetësisë kanë aktivizuar procedurat e monitorimit dhe gjurmimit të kontakteve për të identifikuar personat që mund të jenë ekspozuar ndaj virusit. Hetimet përfshijnë edhe kontakte indirekte, si turistët që kanë udhëtuar me të njëjtin avion me gruan holandeze që humbi jetën nga infeksioni.

“Është thelbësore që situata të kontrollohet në kohë. Ashtu si me zjarret, sa më shpejt të ndërhyhet, aq më i madh është shansi për ta ndalur përhapjen”, thotë Pregliasco.

Eksperti paralajmëron se periudha e inkubacionit të virusit Andes mund të zgjasë nga gjashtë deri në tetë javë. Kjo do të thotë se disa pasagjerë mund të zhvillojnë simptomat edhe shumë kohë pas ekspozimit fillestar.

Megjithatë, ai nënvizon se rreziku për një pandemi globale mbetet i ulët.

Nuk jemi përballë një tjetër Covid-19. Hantavirusi ka aftësi shumë më të kufizuar transmetimi. Infeksioni ndodh kryesisht përmes kontakteve të afërta dhe të zgjatura ose nga thithja e grimcave të kontaminuara me urinë, feçe apo pështymë të brejtësve të infektuar”, shpjegon virologu.

Në ndryshim nga Covid-19, i cili transmetohej lehtësisht përmes ajrit dhe pikëzave respiratore, Hantavirusi kërkon ekspozim më të drejtpërdrejtë. Megjithatë, shqetësimi kryesor lidhet me shkallën e lartë të vdekshmërisë.

Sipas studimeve, disa forma të Hantavirusit kanë shkallë vdekshmërie nga 1 deri në 15 për qind, ndërsa varianti Andes mund të arrijë deri në 50 për qind në rastet më të rënda.

Paradoksalisht, simptomat e forta ndihmojnë në identifikimin dhe izolimin më të shpejtë të pacientëve. Sëmundja mund të variojë nga forma asimptomatike deri te komplikacione të rënda respiratore, kardiake dhe renale. Simptomat fillestare përfshijnë temperaturë, marrje mendsh, të dridhura, dhimbje muskujsh, të përziera, të vjella, diarre dhe dhimbje barku.

Format më serioze të infeksionit janë sindroma pulmonare nga Hantavirusi, më e përhapur në Amerikë, dhe ethet hemorragjike me sindromë renale, të hasura kryesisht në Europë dhe Azi.

Aktualisht nuk ekziston as vaksinë dhe as trajtim antiviral specifik kundër Hantavirusit. Terapia bazohet te monitorimi intensiv dhe menaxhimi i komplikacioneve.

Megjithatë, Pregliasco thotë se përvoja e fituar gjatë pandemisë së Covid-19 ka ndryshuar ndjeshëm aftësinë globale të reagimit.

Nëse do të kishim një emergjencë pandemike, sot do të ishte e mundur të zhvillohej një vaksinë me teknologji mRNA brenda 10 deri në 12 muajve”, thekson ai.

Ekspertët rekomandojnë masa të thjeshta parandaluese, sidomos shmangien e kontakteve me brejtësit dhe ambientet e kontaminuara prej tyre. Këshillohet ruajtja e higjienës, mbyllja e hapësirave ku mund të hyjnë minjtë dhe shmangia e pastrimit të thatë të urinës apo feçeve të brejtësve, pasi kjo mund të përhapë grimcat virale në ajër.

Sa i përket maskave, Pregliasco nuk e konsideron të nevojshme përdorimin e tyre në jetën e përditshme, përveç rasteve kur dikush hyn në ambiente ku mund të ketë prani brejtësish.

Për ata që planifikojnë udhëtime në Argjentinë apo vende të tjera të Amerikës së Jugut, eksperti nuk sheh arsye për alarm. Ai sugjeron vetëm ndjekjen e njoftimeve zyrtare dhe shmangien e zonave me rrezik të lartë higjieno-sanitar, si deponitë apo hapësirat e izoluara ku mund të ketë prani të madhe brejtësish.

Edhe udhëtimet me avion, traget apo kroçera konsiderohen aktualisht të sigurta, megjithëse pas rastit në “MV Hondius” kompanitë turistike pritet të forcojnë më tej masat sanitare dhe kontrollin epidemiologjik.

3sgIgLJ.png