Lajme

Kriza në Ceuta, inteligjenca spanjolle kishte sinjalizuar rrezikun një ditë më herët

Shërbimi spanjoll i inteligjencës kishte paralajmëruar homologët marokenë dhe autoritetet në Madrid për planet e migrantëve për të hyrë në Ceuta, një ditë përpara se më shumë se 70 mijë persona të kalonin drejt enklavës spanjolle në Afrikën e Veriut. Kjo rezulton nga dokumentet e publikuara të mërkurën nga qeveria spanjolle.

Në një njoftim të 29 korrikut, Qendra Kombëtare e Inteligjencës e Spanjës (CNI) informoi shërbimet marokene të inteligjencës DGST dhe DGED për thirrjet që qarkullonin në rrjetet sociale. Sipas tyre, migrantët planifikonin të hynin në Ceuta duke kapërcyer gardhin kufitar ose duke notuar rreth tij, duke shfrytëzuar festimet e Ditës së Fronit në Marok.

Po atë ditë, CNI njoftoi edhe përfaqësuesin e qeverisë spanjolle në Ceuta, siç tregojnë mesazhet e deklasifikuara në WhatsApp.

“Ekzistojnë dy grupe të ndryshme me gjithsej 180 mijë ndjekës. Vetëm për t’ju dhënë një ide për përmasat”, thuhet në një prej mesazheve të CNI-së, duke iu referuar grupeve në rrjetet sociale.

Gjashtë javë pas kalimit masiv, organizatat joqeveritare vlerësuan se rreth 140 persona kishin humbur jetën. Sipas autoriteteve lokale, më shumë se 10 mijë migrantë, mes tyre të mitur të pashoqëruar, vazhdonin të qëndronin në Ceuta, në kampe të improvizuara, rrugë dhe plazhe.

Situata shkaktoi protesta pothuajse të përditshme të banorëve, të cilët kritikuan mënyrën se si qeveria spanjolle menaxhoi krizën. Publikimi i dokumenteve pritet të shtojë vëmendjen ndaj vendimeve operative të marra në orët përpara kalimit masiv dhe ndaj masave që autoritetet ndërmorën për ta parandaluar atë.

-Madridi: Nuk kishte paralajmërim për përmasat

Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, deklaroi se dokumentet nuk tregojnë se autoritetet kishin marrë një paralajmërim për përmasat që do të merrte vala e migrantëve më 30 korrik.

“Po flas si ministër i Jashtëm i Spanjës, brenda kompetencave të mia dhe bazuar në atë që përjetova atë ditë. Nuk isha në dijeni të asnjë informacioni që tregonte për përmasat e kësaj vale”, u tha Albares gazetarëve të mërkurën.

Kryeministri Pedro Sánchez deklaroi javën e kaluar se Spanja nuk kishte gjetur prova të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se kalimi vdekjeprurës i kufirit nga Maroku drejt Ceutës ishte orkestruar nga autoritetet marokene. Deklarata e tij kundërshtoi pretendimet e ngritura në një raport të policisë spanjolle. Megjithatë, Ministria e Brendshme e Spanjës raportoi mungesë reagimi nga policia kufitare marokene ditën e kalimit. Sipas një raporti të 30 korrikut, autoritetet marokene kishin planifikuar ta përforconin kufirin me 1 mijë policë dhe ushtarë shtesë, pavarësisht se ajo ditë ishte festë zyrtare në Marok.

Qeveria spanjolle publikoi të mërkurën 40 raporte të inteligjencës, paralajmërime dhe komunikime për krizën migratore në Ceuta gjatë periudhës 1-31 korrik, pasi Sánchez ishte zotuar t’i bënte publike.

Dokumentet tregojnë se situata ishte përkeqësuar gradualisht gjatë javës përpara kalimit masiv.

“Që nga 25 korriku, në Ceuta po zhvillohet një krizë migratore, me mbërritjen nga deti të rreth 1,700 migrantëve nga Maroku në qytetin autonom. Informacionet në dispozicion tregojnë se priten tentativa të tjera në një afat shumë të shkurtër”, thuhej në një prezantim të brendshëm të Ministrisë spanjolle të Mbrojtjes, të publikuar më 30 korrik.

Në dokument, situata në bregdetin maroken pranë Ceutës përshkruhej si një “kaos migrator”. Komisioni Evropian njoftoi të mërkurën se i kishte dhënë Spanjës 114.7 milionë euro ndihmë për menaxhimin e situatës në enklavën e Afrikës së Veriut.

3sgIgLJ.png