Rreshteri James Hughes ishte një nga pengjet që u lirua herët. Ndërsa marrëdhëniet SHBA-Iran janë sërish në qendër të vëmendjes, ai rrëfen për ditët kur ishte “i prangosur dhe nën roje të armatosura”.
Që kur Shtetet e Bashkuara nisën me Izraelin një fushatë të përbashkët ushtarake kundër Iranit në shkurt, shumë komentatorë dhe historianë i janë rikthyer një kapitulli të historisë moderne: krizës së pengjeve në Iran në vitin 1979. Më 4 nëntor, një demonstratë studentore jashtë ambasadës amerikane në Teheran u kthye në një sulm të plotë ndaj kompleksit diplomatik dhe 66 amerikanë u morën peng. Ishte kulmi i dekadave tensioni, që nisën me rolin e SHBA-së dhe Britanisë në vendosjen e Shahut të Iranit për të mbrojtur interesat energjetike dhe përfunduan me një kryengritje popullore që rrëzoi regjimin e tij shtypës dhe e detyroi të largohej në mërgim. Teksa shumë njerëz kujtonin këtë episod historik, një detaj ka marrë një jehonë të re: 16 ditë pas nisjes së krizës, 13 pengje, mes tyre katër gra dhe gjashtë burra me ngjyrë, u liruan.

Pse u liruan më herët 10 pengje me ngjyrë dhe cilat ishin tensionet politike globale që ndikuan në atë moment? James Hughes, atëherë 30 vjeç, rreshter i forcave ajrore amerikane i caktuar në ambasadë, ishte një nga pengjet e liruara. Në një intervistë për “The Guardian”, ai kujton ditët e vështira në robëri dhe lidhjet që ato kanë me konfliktin aktual të SHBA-së me Iranin.
Me një mjekër të thinjur, Hughes sot, në moshën 76-vjeçare, jep figurën e një njeriu dinjitoz dhe të urtë. Zëri i tij është i ngrohtë, fjalët e menduara mirë dhe të shqiptuara me qetësi, një vetëkontroll i formuar gjatë një jete në shërbim ushtarak. I lindur në New Orleans, Hughes u rrit gjatë periudhës së segregacionit racor “Jim Crow”. “Kam ndjekur shkollë të ndarë sipas racës, duhej të largohesha nga trotuari kur vinin të bardhët. Kam jetuar gjithë jetën time me racizëm dhe paragjykime”, thotë ai. Hughes shërbeu në Vietnam në një kohë kur liria e afro-amerikanëve po shihej si një projekt ndërkombëtar, ndërsa Martin Luther King, Angela Davis dhe aktivistë të tjerë të të drejtave civile po lidhnin drejtësinë racore në SHBA me luftërat kundër imperializmit në vende të tjera.

Pas shërbimit në Vietnam, Hughes mbërriti në Teheran në vjeshtën e vitit 1979 pa e menduar se do të bëhej pjesë e një përballjeje historike. “Më pëlqente ideja e udhëtimeve dhe njohjes së kulturave të ndryshme”, thotë ai. “Iranianët që takoja në pazare apo në sallat e bowling-ut ishin njerëz shumë të mirë. Ishte një vend i bukur, me ushqim të mirë dhe fëstëkët më të mirë në botë”.
Ai e përshkruan punën e tij si menaxher administrativ si “të mërzitshme”. Gjithçka ndryshoi mëngjesin e ftohtë dhe me shi të 4 nëntorit, një ditë pas 30-vjetorit të tij. Demonstratat anti-amerikane jashtë ambasadës, të zakonshme gjatë muajit të tij të parë në detyrë, ishin bërë më agresive pasi u mor vesh se Shahu po trajtohej për kancer në SHBA. Edhe pse protestat po shtoheshin përtej mureve të ambasadës, Hughes besonte se ato nuk do të hynin kurrë brenda. “Nuk mendoja se do të ndodhte, sepse shumica e vendeve i mbrojnë ambasadat e tyre maksimalisht”, thotë ai. Por turma filloi të hynte. Për tre orë, një grup i vogël marinsash mbajti protestuesit larg me gaz lotsjellës, kohë e mjaftueshme për të shkatërruar dokumentet sekrete. Në fund, ata u mposhtën dhe protestuesit morën kontrollin e ambasadës, ndërsa Garda Revolucionare iraniane dhe policia lokale vetëm shikonin.

“Më lidhën sytë, më prangosën duart pas shpine dhe më ulën në dysheme. Atëherë kuptova se kjo nuk ishte shaka”, kujton Hughes. Hughes kujton se i kalonte ditët i lidhur në një karrige, duke matur kohën nga thirrjet “vdekje Amerikës” që dëgjoheshin përmes dritareve të mbuluara me gazeta dhe duke mbijetuar me oriz, ujë dhe djathë dhie, të cilin sot nuk mund ta hajë më, pasi ia jepnin çdo mëngjes gjatë robërisë.
Në një moment, ai kujton: “Ndjeva dikë që më prekte lëkurën dhe flokët. Mendimi i parë që më erdhi ishte se ata nuk kishin parë kurrë nga afër një person me ngjyrë”. Sjellja fillimisht e përmbajtur ndaj pengjeve amerikane shpejt u kthye në trajtim më të ashpër. Gjatë një marrjeje në pyetje, Hughes kujton një pistoletë të vendosur në kokë, me këmbëzën gati për shkrepje dhe mendimin: “Kjo është fundi i jetës sime”. Ai mendoi se nuk do ta shihte më kurrë gruan dhe djalin e tij të vogël. Ajo që duhej të ishte një eksperiencë formuese në djepin e fesë, u kthye në një krizë besimi. “U zhgënjeva. Mendoja: ku është Zoti kur ke nevojë për të?”, thotë ai. Më pas ndodhi diçka që bëri jehonë në mbarë botën: lirimi i 13 pengjeve, mes tyre edhe Hughes. Regjimi teokratik iranian pretendoi se po tregonte solidaritet me klasat e margjinalizuara të Amerikës.
“Afro-amerikanët kanë jetuar për shumë kohë nën shtypje dhe presion në Amerikë dhe mund të jenë dërguar në Iran kundër vullnetit të tyre”, deklaroi ajatollah Ruhollah Khomeini.
Qëllimi ishte i qartë: të ushtrohej presion ndaj SHBA-së dhe të forcohej legjitimiteti i revolucionit iranian. Një muaj më vonë, një zëdhënës i ministrisë së Jashtme iraniane tha se Khomeini po merrte letra nga “afro-amerikanë dhe afrikanë” që e falënderonin për “veprimet pro-afro-amerikane”. Megjithatë, ky veprim vetëm sa tregoi edhe një herë se historia e afro-amerikanëve përdorej shpesh për interesa politike në revolta dhe konflikte ndërkombëtare. Sot, shkëmbimi kulturor duket se funksionon në të dyja drejtimet. Aktivizmi afro-amerikan shpesh i referohet luftës për liri të palestinezëve dhe botës arabe, ndërsa muzika hip-hop përdoret shpesh si kolonë zanore e protestave në rajon.

Por kjo marrëdhënie mbetet e ndërlikuar, për shkak të historisë së represionit të Republikës Islamike ndaj popullit të saj. Vetëm këtë muaj, Irani është përballur me një valë ekzekutimesh pothuajse të përditshme, ndërsa autoritetet përpiqen të shtypin protestat gjatë luftës me SHBA-në dhe Izraelin.
Ndërkohë, në vitin 2026, disa afro-amerikanë në rrjetet sociale duken më pak të përfshirë në debatet për Iranin dhe më shumë në solidarizim me iranianët. Disa postime në TikTok dhe Instagram tregojnë afro-amerikanë me kefije palestineze, duke kërcyer me muzikë arabe trap apo duke ironizuar frikën nga dërgimi në luftë. Nga ana tjetër, edhe rrjetet sociale iraniane janë mbushur me meme dhe video virale. Një nga imazhet më të shpërndara tregonte një dron iranian “Shahed 136” me fytyrën e Tupac Shakur dhe mbishkrimin “Në kujtim të Tupac” dhe “Killuminati”, referencë ndaj teorive konspirative që kanë shoqëruar reperin dhe kritikat e tij ndaj pushtetit amerikan. Historikisht, Irani ka qenë shumë aktiv në afrimin me aktivistët afro-amerikanë. Revolucioni iranian i vitit 1979 u pa nga disa qarqe të së majtës afro-amerikane si model rezistence ndaj imperializmit.
Në vitin 1980, kur shpërthyen protesta në Miami pas shpalljes së pafajshëm të katër policëve për vdekjen e një marinsi afro-amerikan të paarmatosur, media shtetërore iraniane organizoi demonstrata solidariteti në të gjithë vendin, përfshirë një tubim me rreth 200 mijë persona në Teheran.

Në vitin 1984, Republika Islamike nxori edhe një pullë postare për Malcolm X, 15 vite përpara se ta bënin SHBA-të. Megjithatë, jo të gjithë afro-amerikanët i shohin iranianët si aleatë në një luftë të përbashkët kundër imperializmit amerikan. Gjatë krizës së vitit 1979, Vernon Jordan, president i National Urban League dhe më vonë këshilltar i Bill Clinton, argumentoi se pengjet afro-amerikane duhej të qëndronin në Iran derisa të liroheshin të gjithë amerikanët. Shumë amerikanë e panë lirimin e tyre jo si një akt mëshire, por si tradhti. Hughes kujton se mori shumë letra urrejtjeje. “Më shkruanin: ‘Duhej të kishe qëndruar. Je frikacak. Njerëzit me ngjyrë nuk qëndrojnë kurrë besnikë’. Por unë isha i prangosur, nën roje të armatosur dhe më çuan me forcë në aeroport. Nuk dola vetë me dëshirën time”, thotë ai.
Pasojat psikologjike e ndoqën për vite. Hughes thotë se vuajti nga sindroma e e rëndë e çrregullimit post traumatik, që ndikoi në prishjen e martesës së parë dhe tensionoi edhe të dytën. “Nisa të largohesha nga njerëzit përreth. Shkoja te psikologu për tre vite. Nuk kisha energji për asgjë”, kujton ai”.
Në vitin 2003, Pentagoni nisi t’u jepte medalje robërie pengjeve të Iranit, pas shumë vitesh përpjekjesh. Por 13 pengjet e liruara më herët shpesh u trajtuan ndryshe nga 52 të tjerët. Medalja e Hughes mbërriti vetëm në vitin 2012 me postë UPS dhe u la në verandën e shtëpisë së tij në Denver. Vetëm më vonë ai u nderua në një ceremoni zyrtare në Fort Logan, aty ku kishte punuar pas daljes në pension nga ushtria. Sot, Hughes mbetet një ushtarak besnik ndaj zinxhirit komandues. I pyetur për krizën aktuale me Iranin, ai thotë: “Nëse mendoj apo jo se duhej të hynim në luftë me Iranin, kjo është thjesht një opinion. Unë nuk bëj politika. Thjesht votoj dhe kaq”.
Por ai shton se të rinjtë afro-amerikanë po interesohen më shumë për historinë e tyre. “Kur shoh njerëz me sloganin ‘Make America Great Again’, gjithmonë pyes veten: sa larg në të shkuarën duan të kthehen?”. (The Guardian)

