Franca, Greqia, Italia dhe Portugalia kërkojnë më shumë kohë për zbatimin e kontrolleve biometrike në aeroportet me fluks të lartë…
Nëntë vende evropiane, mes tyre Franca, Greqia, Italia dhe Portugalia, po vonojnë zbatimin e plotë të kontrolleve biometrike për shtetasit nga vendet jashtë Bashkimit Evropian. Sipas The Guardian, këto vende i kanë kërkuar Brukselit më shumë kohë për të vënë plotësisht në funksion sistemin e ri në pikat kufitare, veçanërisht në aeroportet me fluks të lartë pasagjerësh.
Sistemi i Hyrje-Daljeve (Entry/Exit System – EES), i cili duhej të zbatohej plotësisht nga 6 shtatori, parashikon regjistrimin elektronik të hyrjeve dhe daljeve të udhëtarëve nga vendet jashtë BE-së që kalojnë kufijtë e jashtëm të zonës Schengen. Sistemi përfshin regjistrimin e të dhënave të pasaportës, gjurmëve të gishtërinjve dhe imazhit të fytyrës.
Përveç Francës, Greqisë, Italisë dhe Portugalisë, më shumë kohë kanë kërkuar edhe Gjermania, Malta, Holanda, Zvicra dhe Belgjika. Spanja, e cila pati vështirësi gjatë fazës fillestare, po e zbaton tashmë plotësisht sistemin.
BE-ja e miratoi EES-in në vitin 2017 dhe e nisi zyrtarisht zbatimin e tij tetorin e kaluar. Sistemi duhej të bëhej plotësisht funksional në prill, por problemet e para, veçanërisht në Greqi dhe Portugali, çuan në një tjetër periudhë tranzitore për vendet pjesëmarrëse.
Burime të BE-së, të cituara nga The Guardian, thonë se autoritetet e konsiderojnë sistemin të suksesshëm. Deri tani janë regjistruar rreth 200 milionë raste dhe rreth 70 mijë persona janë ndaluar të hyjnë në zonën Schengen, krahasuar me 43.700 deri në qershor.
Mes personave të ndaluar janë udhëtarë pa vizat e nevojshme dhe persona që kanë tejkaluar periudhën e lejuar të qëndrimit. Për shtetasit britanikë, kjo përfshin rastet kur tejkalohet kufiri prej 90 ditësh brenda një periudhe 180-ditore.
Sipas burimeve evropiane, të dhënat biometrike kanë ndihmuar gjithashtu autoritetet të identifikojnë persona që përdornin pasaporta ose dokumente identifikimi të falsifikuara. Krahasimi i gjurmëve të gishtërinjve dhe imazheve të fytyrës ka zbuluar raste kur i njëjti person përdorte dokumente të ndryshme.
Vonesat në nëntë vendet nuk përfshijnë të gjitha pikat kufitare. Në Belgjikë, për shembull, regjistrimi i gjurmëve të gishtërinjve ka nisur në terminalin Eurostar në Bruksel dhe në portin e Antwerpit, por sistemi ende nuk funksionon plotësisht në të gjitha aeroportet.
Edhe aeroportet e mëdha të Frankfurtit dhe Schipholit po mbledhin të dhëna biometrike, ndërsa disa aeroporte më të vogla nuk e kanë përfunduar ende zbatimin. Sipas burimeve të cituara nga gazeta britanike, vetëm 12 pika nga rreth 1.500 pika të kalimit kufitar vazhdojnë të kenë probleme.
Franca gjithashtu nuk i ka nisur kontrollet biometrike në Portin e Doverit, ku policia franceze kryen kontrollet kufitare përpara nisjes së udhëtarëve nga territori britanik.
Sipas rregullave të BE-së, pikat kufitare që nuk regjistrojnë gjurmët e gishtërinjve dhe imazhet e fytyrës nuk janë aktualisht në përputhje të plotë me rregulloren. Megjithatë, burime në Bruksel kanë bërë të ditur se vendet përkatëse nuk pritet të përballen me masa ndëshkuese për këto vonesa.
Një nga vështirësitë lidhet me kapacitetet e aeroporteve gjatë sezonit turistik. BE-ja kishte evidentuar më herët rastin e një aeroporti të vogël rajonal ku gjatë periudhës së pikut mund të mbërrinin rreth 3.000 pasagjerë brenda një ore, ndërsa aeroporti kishte vetëm katër pika për regjistrimin biometrik.
Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) kërkoi në korrik pezullimin e plotë të sistemit, duke argumentuar se vonesat në kontrolle kishin bërë që pasagjerë në Spanjë, Itali, Greqi dhe Belgjikë të humbnin fluturimet lidhëse. Ryanair paralajmëroi gjithashtu për radhë të gjata në aeroporte si Málaga dhe Palma.
Ndërkohë, aplikacioni Travel to Europe, i cili u mundëson udhëtarëve të regjistrojnë imazhin e fytyrës dhe të dhënat e pasaportës përpara udhëtimit, pritet së shpejti të funksionojë në shtatë vende. Aktualisht, sipas The Guardian, aplikacioni rezulton funksional në Suedi dhe Portugali.

