Të dhënat tregojnë se tetë kompani fituan mesatarisht mbi 700 mijë dollarë në minutë gjatë tremujorit të pranverës…
Tetë nga kompanitë më të mëdha të naftës në botë regjistruan fitime prej mbi 90 miliardë dollarësh në vetëm tre muaj, ndërsa konflikti me Iranin rriti çmimet e energjisë dhe kriza klimatike, e nxitur nga emetimet e karbonit, shkaktoi valë vdekjeprurëse të të nxehtit.
Një analizë e The Guardian zbuloi se tetë kompanitë e listuara të naftës realizuan fitime prej gati 93 miliardë dollarësh gjatë tre muajve deri në fund të qershorit. Ky ishte tremujori i parë i plotë financiar pas konfliktit SHBA-Izrael me Iranin, i cili çoi çmimin botëror të naftës në mbi 126 dollarë për fuçi.
Kompanitë përfituan nga tronditja më e madhe në furnizimin me lëndë djegëse fosile në historinë e tregjeve, duke pothuajse dyfishuar fitimet e tyre të kombinuara nga pak më pak se 50 miliardë dollarë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Aktivistët paralajmërojnë se miliona familje po paguajnë pasojat përmes faturave më të larta të energjisë dhe përkeqësimit të krizës klimatike.
Të dhënat tregojnë se tetë kompanitë; Aramco, BP, Shell, Equinor, TotalEnergies, Eni, Chevron dhe ExxonMobil, fituan mesatarisht mbi 700 mijë dollarë në minutë gjatë tremujorit të pranverës.
Ndërkohë që vlera e tyre në treg u rrit me rreth 600 miliardë dollarë, duke kaluar 3 trilionë dollarët, temperaturat globale u rritën drejt një sërë valësh vdekjeprurëse të të nxehtit, të cilat, sipas shkencëtarëve, janë bërë më të mundshme dhe më intensive për shkak të djegies së lëndëve djegëse fosile.
Për herë të parë, një analizë shkencore e publikuar shtatorin e kaluar lidhi drejtpërdrejt emetimet e karbonit të kompanive më të mëdha të karburanteve fosile me episode vdekjeprurëse të motit ekstrem. Studimi zbuloi se emetimet e secilës prej 14 kompanive më të mëdha kanë qenë të mjaftueshme për të shkaktuar mbi 50 valë të të nxehtit, të cilat përndryshe do të kishin qenë pothuajse të pamundura.
Fitimin më të madh gjatë tremujorit të pranverës e raportoi kompania shtetërore saudite Saudi Aramco, me një rritje prej 34% të fitimit neto, në më shumë se 33 miliardë dollarë, megjithëse infrastruktura e saj u dëmtua nga sulmet me dronë dhe raketa të forcave iraniane dhe rebelëve huthi.
Sipas bazës së të dhënave Carbon Majors, prodhimi i karburanteve fosile nga Saudi Aramco e bën atë kompaninë me përgjegjësinë më të madhe historike për emetimet e karbonit në botë. Pas saj renditen Chevron dhe ExxonMobil, ndërsa Shell dhe BP bëjnë pjesë gjithashtu në dhjetëshen e kompanive me emetimet më të larta. Arabia Saudite, ndërkohë, prej dekadash ka udhëhequr përpjekjet për të penguar ose vonuar veprimet ndërkombëtare për klimën.
Të martën, BP u bë një nga kompanitë e fundit të mëdha të naftës që publikoi rezultatet financiare për periudhën prill-qershor. Ajo raportoi fitime tremujore prej rreth 5.73 miliardë dollarësh, niveli më i lartë që nga viti i parë i luftës së Rusisë në Ukrainë dhe më shumë se dyfishi i fitimit prej 2.5 miliardë dollarësh të tremujorit të mëparshëm.
Drejtoresha e re ekzekutive e BP-së, Meg O’Neill, mbrojti fitimet e kompanisë duke thënë se ajo është e përqendruar te gjërat që mund të bëjë për të ndihmuar në përballimin e situatës, si garantimi i furnizimit të qëndrueshëm me produkte të naftës që aktualisht mungojnë në treg.
Kompania ka ulur gjithashtu ndjeshëm investimet në energjinë e gjelbër, pasi hoqi dorë nga objektivat e saj mjedisorë në kuadër të një “ristrukturimi rrënjësor” në fillim të vitit të kaluar. Buxheti vjetor për tranzicionin energjetik është ulur nga 5 miliardë dollarë në 1.5–2 miliardë dollarë.
Vitet e fundit, BP ka bashkuar parqet e saj me erë në det të hapur në Mbretërinë e Bashkuar në një sipërmarrje të përbashkët, ka shitur biznesin e energjisë me erë në tokë në SHBA dhe të martën njoftoi se do të shesë biznesin e saj të biogazit në SHBA, me vlerë rreth 4 miliardë dollarë. Ky biznes kap metanin nga vendgrumbullimet e mbetjeve dhe është prodhuesi më i madh i gazit të rinovueshëm në Shtetet e Bashkuara. Sipas Financial Times, kompania është gjithashtu në bisedime të avancuara për shitjen e biznesit të saj të energjisë diellore, Lightsource, një konsorciumi të mbështetur nga fondi sovran i pasurisë së Kuvajtit.
Të premten, BP nxori në shitje biznesin e saj të naftës dhe gazit në Detin e Veriut, pas më shumë se 60 vitesh aktiviteti, duke rigjallëruar thirrjet që qeveria britanike të heqë dorë nga zhvillimi i dy fushave të diskutueshme të naftës dhe gazit në këtë rajon. Shell javën e kaluar raportoi fitimet e dyta më të larta tremujore në historinë e saj. Fitimi neto u rrit në 9.84 miliardë dollarë, pavarësisht se kompania prodhoi më pak gaz nga impianti i saj në Katar për shkak të dëmeve prej miliarda dollarësh të shkaktuara nga lufta. Ndërkohë, fitimi i Equinor u rrit në 3.2 miliardë dollarë, nga 1.8 miliardë dollarë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në SHBA, fitimet e Chevron dhe ExxonMobil shkaktuan kritika nga presidenti Donald Trump. Ai i akuzoi të dyja kompanitë se “kanë fituar tepër shumë para” nga lufta kundër Iranit dhe paralajmëroi se do të detyroheshin t’ua kthenin një pjesë të këtyre fitimeve qytetarëve, ndërsa afrohen zgjedhjet e mesit të mandatit në nëntor dhe vlerësimet për miratimin e tij janë në rënie.
Chevron raportoi fitim neto prej 12.2 miliardë dollarësh për tremujorin e dytë, më shumë se pesë herë më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. ExxonMobil raportoi fitim prej 14.5 miliardë dollarësh, dy herë më shumë se një vit më parë dhe nivelin më të lartë tremujor që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022./“The Guardian”

