Konfiskimi i sasive rekord të marihuanës, rreth 5 tonë të kapura në Serbi dhe mbi 40 tonë të konfiskuara brenda Maqedonisë së Veriut, ka hapur një debat të rëndë politik dhe institucional, por mbi të gjitha ka ngritur një pyetje thelbësore: a po shndërrohet vendi në territor për prodhim dhe shpërndarje droge për qëllime kriminale, nën mbulesën e kanabisit mjekësor? Operacioni i policisë serbe, i cili rezultoi me sekuestrimin e 5 tonëve marihuanë që dyshohet se kanë origjinë nga Maqedonia e Veriut, ka ekspozuar dobësitë serioze të sistemit të kontrollit dhe ka vënë në pikëpyetje funksionimin e institucioneve përgjegjëse për mbikëqyrjen e këtij sektori të ndjeshëm.
REAGIMI INSTITUCIONAL DHE HETIMET NË VAZHDIM
Për të parandaluar prodhimin industrial të paligjshëm të kanabisit mjekësor dhe plasimin e tij në tregun e paligjshëm vendor dhe ndërkombëtar, Qeveria në mbledhjen e djeshme miratoi dy konkluzione. Së pari, ajo i obligoi institucionet kompetente, në kuadër të përgjegjësive të tyre, të kryejnë kontrolle të jashtëzakonshme ndaj të gjitha personave juridikë që posedojnë leje për kultivim dhe prodhim të kanabisit për qëllime mjekësore në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut dhe brenda afatit prej 45 ditësh të dorëzojnë raport në Qeveri. Së dyti, Qeveria do t’i emërojë anëtarët e Komisionit shtetëror ndërinstitucional për luftë kundër prodhimit të ndaluar, tregtisë dhe keqpërdorimit të drogës, duke pasur parasysh se që nga viti 2017, kur ky komision është formuar, ai nuk ka qenë fare aktiv dhe nuk ka dhënë asnjë rezultat. Për punën e këtij komisioni, Qeveria në të ardhmen do të kërkojë raporte të rregullta. Qeveria dhe institucionet kompetente deklarojnë se hetimet janë në vazhdim dhe se për momentin nuk ka konfirmim zyrtar se sasia e kapur në Serbi është eksportuar ligjërisht nga Maqedonia e Veriut. Kryeministri ka paralajmëruar zgjerim të kontrolleve ndaj të gjitha kompanive të licencuara, duke mos përjashtuar mundësinë që sasitë reale të kanabisit të prodhuar dhe të keqpërdorur të jenë edhe më të mëdha se ato të konfiskuara deri tani. Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se konfiskimet përfshijnë marihuanë, vaj kanabisi dhe biomasë, ndërsa veprimet hetimore do të vazhdojnë për të zbuluar të gjithë zinxhirin e përfshirë në këtë rrjet.
AKUZA POLITIKE DHE DYSHIME PËR PËRFSHIRJE INSTITUCIONALE
LSDM akuzon qeverinë aktuale dhe udhëheqësit për mungesë përgjegjshmërie dhe heshtje në lidhje me rastin, duke pretenduar se pa mbështetje dhe logjistikë nga struktura brenda institucioneve shtetërore, përfshirë MPB-në, Doganat dhe institucione të tjera një operacion i tillë kontrabande nuk do të ishte i mundur. Partia opozitare ngre dyshime edhe mbi informacione të publikuara në mediat serbe, sipas të cilave një funksionar i arrestuar i SNS-së, i lidhur me rastin e 5 tonëve drogë të kapura në Krushevac, është i afërt me ministrin serb të Mbrojtjes, Bratislav Gashiç. “Nëse këto informacione rezultojnë të sakta, atëherë lindin pyetje serioze: a çon ky skandal narkotik drejt Ivica Tomovskit, drejtor i Shërbimit për Punë të Përbashkëta dhe të Përgjithshme dhe sekretar i ri organizativ i VMRO-DPMNE-së? Cilat janë lidhjet e kompanive të familjarëve të tij?”, pyesin nga LSDM, duke theksuar se opinioni publik pret përgjigje dhe se përgjegjësi do të ketë për të gjithë.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE dhe udhëheqësit e saj, kanë shtuar akuzat duke pretenduar se sistemi i licencimit dhe kontrollit të kanabisit për qëllime mjekësore është përdorur si mbulesë për aktivitete të paligjshme. Ata theksojnë se afër 70 për qind e marihuanës së konfiskuar i përket kompanive të lidhura me strukturat e mëparshme qeverisëse. Sipas VMRO-DPMNE-së, biznesi i kanabisit për qëllime mjekësore ka shërbyer si mbulesë për tregti të paligjshme droge, me dijeninë dhe miratimin e Zaevit dhe Filipçes. Ata kujtojnë se institucionet së fundmi kanë sekuestruar rreth 40 tonë marihuanë nga kompani me licenca për prodhim të kanabisit mjekësor, licenca që, sipas tyre, janë dhënë pikërisht në kohën e qeverisjes së LSDM-së.
Mariuana mjekësore ka shërbyer vetëm si paravan për krim të organizuar dhe tregti të paligjshme droge. Kështu, rreth 30 tonë, apo afërsisht 70 për qind e mariuanës së sekuestruar, vjen nga kompania “CBD Medplant” nga Novo Sello, e cila pretendohet se është e afërt dhe e lidhur me Zoran Zaevin, Venko Filipçen dhe LSDM-në. Themelues i kësaj kompanie është Hristijan Kotev, djali i Toni Kotevit, i njohur me nofkën “M’gçev”, person i afërt me Zoran Zaevin dhe ish-kryetar i degës komunale të LSDM-së në Novo Sello. Licenca për prodhim të kanabisit për qëllime mjekësore është marrë gjatë periudhës kur pushtetin e ushtronin Zaev dhe Filipçe”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Këto akuza janë shoqëruar edhe me kërkesa për hetim të menjëhershëm nga Prokuroria Publike dhe përjashtimin e çdo ndikimi politik mbi procedurat e hetimit, që të garantohet transparencë dhe përgjegjësi.
Ndërkohë, koalicioni VLEN shpreh mbështetje për vendimin e institucioneve që të kryejnë kontrolle të jashtëzakonshme ndaj të gjitha kompanive që posedojnë licenca për kultivim dhe prodhim të kanabisit mjekësor. Nga VLEN theksojnë se kanabisi mjekësor është çështje serioze dhe e rregulluar me ligj, por nuk do të lejohet që nën etiketën “mjekësore” të fshihet prodhim industrial i paligjshëm dhe rrjedhje në tregun e zi, brenda dhe jashtë vendit. Sipas këtij koalicioni, afati prej 45 ditësh për dorëzimin e raporteve nga institucionet është dëshmi se kontrollet po merren seriozisht, ndërsa alarmojnë se mekanizmi ndërinstitucional për kontrollin e kanabisit ka qenë praktikisht jo-funksional që nga viti 2017. “Ky mekanizëm duhej të ishte aktiv çdo ditë, jo të ekzistonte vetëm në letër. Që nga viti 2017 ai ka qenë praktikisht i padukshëm dhe pa rezultate, gjë që nuk është befasi kur dihet se në atë periudhë institucionet udhëhiqeshin nga BDI–LSDM. VLEN pret që këto kontrolle të nxjerrin në pah kush ka keqpërdorur me licencat, kush ka manipuluar me standardet dhe kush ka përfituar në kurriz të qytetarëve, duke e kthyer një sektor të rregulluar me ligj në burim abuzimi”, thonë nga VLEN.
LIGJI, LICENCAT DHE RREZIKU I SHNDËRRIMIT NË “BAZË PRODHIMI”
Që nga viti 2016, prodhimi i kanabisit për qëllime mjekësore është i ligjshëm në Maqedoninë e Veriut, ndërsa përdorimi rekreativ mbetet i ndaluar. Ky legjislacion ka tërhequr investime dhe ka hapur treg të ri ekonomik, por rritja e pakontrolluar e numrit të kompanive të licencuara dhe mungesa e mbikëqyrjes efektive kanë krijuar hapësirë për abuzime serioze. Edhe pse është e qartë se kanabisi mjekësor mund të kultivohet ekskluzivisht në ambiente të mbyllura dhe nën kushte rreptësisht të rregulluara, në dhjetor të vitit 2023 këto kufizime janë zbutur. Me nënshkrimin e ministrit të atëhershëm të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, ka hyrë në fuqi një Rregullore me të cilën lejohet kultivimi i kanabisit edhe “në hapësira të hapura”. Në nenin 2 të “Rregullores për kushtet më të afërta lidhur me hapësirën, pajisjet, kuadrin, mënyrën e sigurimit dhe ruajtjes së hapësirës ku kultivohet kanabisi”, thuhet se kultivimi i kanabisit realizohet: në hapësirë të mbyllur pa dritë natyrore; në hapësirë pjesërisht të mbyllur me dritë natyrore (serra, oranzheri); ose në hapësirë të hapur (sipërfaqe apo tokë), e cila është e mbrojtur nga kushtet atmosferike. “Në hapësirat, përkatësisht sipërfaqet e destinuara për kultivimin e kanabisit duhet të ekzistojë rrugë qasjeje dhe hapësirë manipuluese, si dhe të ketë qasje të lehtë për automjete”, thuhet në Rregullore.
Në nenin 5 të Rregullores theksohet se “hapësira e hapur për kultivimin e kanabisit, e cila është e mbrojtur nga kushtet atmosferike, duhet të ketë konstruksion për vendosjen e folive ose rrjete transparente, si dhe pajisje dhe mjete për kultivimin e bimëve në ambient të hapur, tokë për rritje dhe sistem për ujitje”. Ekspertët paralajmërojnë se, pa kontrolle të rrepta dhe transparencë të plotë, ekziston rreziku real që Maqedonia e Veriut të perceptohet dhe të funksionojë si vend prodhimi për drogë që përfundon në tregjet e paligjshme rajonale dhe evropiane, duke dëmtuar sigurinë, imazhin ndërkombëtar dhe besimin e qytetarëve në institucione. (koha.mk)
