Lajme

Ka aftësi të fshehta zbulimi, çfarë është sistemi iranian “Arash-e Kamangir” që tronditi SHBA-në

Irani ka deklaruar se ka përdorur një sistem të ri të mbrojtjes ajrore për të rrëzuar një dron amerikan MQ-9 Reaper pranë Ngushticës së Hormuzit në fillim të kësaj jave. Analistët thonë se incidenti tregon se Teherani ka ruajtur aftësinë për t’u përballur me sulmet amerikane dhe izraelite, pavarësisht muajve të bombardimeve ndaj bazave të tij ushtarake.

Mediat iraniane raportuan se droni u rrëzua pranë ishullit Qeshm, ndërsa shtuan se ky ishte përdorimi i parë në kushte lufte i sistemit të zhvilluar në vend të quajtur “Arash-e Kamangir”.

Megjithatë, deri tani nuk ka pasur konfirmim të pavarur për pretendimin e Iranit mbi përdorimin e këtij sistemi të ri të mbrojtjes ajrore.

Humbja e një droni amerikan pranë një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit detar në botë ndodh në një kohë kur raportimet flasin për sulme të reja amerikane ndaj një baze ushtarake iraniane pranë Bandar Abbas. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) deklaroi më vonë se kishte goditur një “bazë ajrore amerikane” në shenjë hakmarrjeje.

Ndërsa tensionet mes SHBA-së dhe Iranit vazhdojnë të rriten, pavarësisht armëpushimit të brishtë, pretendimi i Teheranit për kapjen e një droni amerikan ka rikthyer pyetjet mbi gjendjen reale të mbrojtjes ajrore iraniane dhe aftësinë e saj për t’i mbijetuar një vale të re sulmesh në rast se negociatat dështojnë.

Çfarë deklaroi Irani?

Agjencia gjysmëzyrtare iraniane Fars raportoi se sistemi “Arash-e Kamangir” u përdor për të kapur një dron zbulues “armiqësor” mbi Ngushticën e Hormuzit. Sipas raportimit, sistemi ka aftësi të fshehta zbulimi, megjithëse nuk u dhanë detaje teknike.

Mediat iraniane e përshkruan operacionin si një paralajmërim për avionët armiqësorë që operojnë pranë hapësirës ajrore dhe kufijve detarë të Iranit, veçanërisht në një moment kur Teherani po përpiqet të përdorë kontrollin e pjesshëm mbi Ngushticën e Hormuzit si mjet presioni në negociatat me SHBA-në.

“Ky operacion, i cili u krye duke përdorur një sistem me aftësi të fshehta, është një mesazh i qartë dhe vendimtar nga Irani”, citoi Fars zyrtarë të paidentifikuar.

Emri “Arash-e Kamangir” lidhet me mitologjinë persiane. Arash konsiderohet një hero legjendar që, sipas folklorit, qëlloi një shigjetë për të përcaktuar kufirin mes Iranit dhe Azisë Qendrore dhe simbolizon rezistencën kundër dominimit të huaj.

Sa i besueshëm është pretendimi?

Ekspertët thonë se pretendimi duhet parë me kujdes, pasi Irani ka një histori të gjatë të publikimit të avancimeve ushtarake që shpesh janë të vështira për t’u verifikuar në mënyrë të pavarur.

Megjithatë, analistët theksojnë se ideja e përgjithshme pas pretendimit është e besueshme, pasi Irani prej vitesh investon në sisteme më të lira, të lëvizshme dhe të prodhuara në vend, të projektuara për të kërcënuar dronët dhe avionët pa u mbështetur tek radarët e mëdhenj fiks, të cilët zbulohen më lehtë.

Mark Hilborne, lektor i lartë në shkollën e studimeve të sigurisë në King’s College London, tha për Al Jazeera se, edhe pse ka pak informacion të verifikuar për sistemin “Arash-e Kamangir”, pretendimi përputhet me strategjinë më të gjerë ushtarake të Iranit.

“Irani është bërë mjaft i vetë-mjaftueshëm në projektimin e raketave dhe, ashtu si Ukraina, ka qenë i zgjuar në ndryshimin e ekonomisë së luftës. Sistemet e lira dhe të thjeshta mund të vënë në rrezik sisteme shumë më komplekse”, tha ai.

Sipas analistëve, rrëzimi i raportuar i dronit Reaper mund t’i detyrojë SHBA-të të mbështeten më shumë në raketa të kushtueshme dhe më pak në dronë gjatë operacioneve kundër Iranit.

Në të njëjtën kohë, Teherani mund të vazhdojë përdorimin e dronëve Shahed me kosto relativisht të ulët, gjë që mund t’i japë avantazh ekonomik në një konflikt afatgjatë.

Çfarë mund të jetë “Arash-e Kamangir”?

Analistët që folën për Al Jazeera thanë se sistemi mund të mos jetë një armë revolucionare, por pjesë e tranzicionit të Iranit drejt sistemeve më të lëvizshme dhe më pak të kushtueshme të mbrojtjes ajrore.

Alex Almeida, analist sigurie në Horizon Engage me bazë në Nju Jork, tha se sistemi mund të jetë një zhvillim i sistemeve ekzistuese iraniane me rreze të shkurtër ose të gjatë veprimi tokë-ajër.

“Dyshoj se është një zhvillim i mëtejshëm i njërit prej këtyre sistemeve. Nuk mbështetet në udhëzime fikse nga radarët tradicionalë të mbrojtjes ajrore. Ndoshta përdor udhëzim elektro-optik ose teknologji të kërkimit të nxehtësisë”, tha ai.

Sipas ekspertëve, avantazhi kryesor i këtyre sistemeve është lëvizshmëria. Ndryshe nga rrjetet tradicionale të mbrojtjes ajrore, të cilat varen nga radarë dhe platforma të mëdha lëshimi që identifikohen lehtësisht, sistemet më të vogla mund të zhvendosen, të fshihen dhe të zëvendësohen shumë më shpejt.

Disa prej tyre janë projektuar që të qëndrojnë në ajër dhe të presin objektivin, ndërsa të tjera funksionojnë si armë kundër dronëve ose sisteme kundërajrore me rreze të shkurtër veprimi.

Ekspertët thonë se kjo i bën dronët si MQ-9 Reaper veçanërisht të cenueshëm, pasi ata lëvizin ngadalë dhe përdoren kryesisht për mbikëqyrje.

Nicole Grajewski, profesoreshë asistente në universitetin Sciences Po në Paris, tha se Irani mund të ketë ende nevojë për sisteme më të forta të mbrojtjes ajrore me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi, por shtoi se sistemet mobile kanë avantazhe të qarta.

“Vlera e tyre është se mund të lëvizen shpejt. Janë sisteme të lëvizshme lëshimi dhe në disa raste mund të përdoren edhe nga një person i vetëm”, tha ajo.

Pse ka rëndësi kjo?
Rrjeti kryesor i mbrojtjes ajrore të Iranit besohet se është dëmtuar rëndë nga sulmet izraelite dhe amerikane. Ai bazohet kryesisht në sisteme të vjetra raketash tokë-ajër dhe në sisteme të furnizuara nga Rusia, përfshirë S-300.

Megjithatë, ekspertët thonë se sistemi i ri sugjeron se Irani ende ruan kapacitete që mund të krijojnë një kërcënim ajror të vazhdueshëm dhe të vështirë për t’u eliminuar plotësisht.

Këto sisteme mund të mos jenë në gjendje të ndalojnë një ofensivë të gjerë ajrore, por mund t’i detyrojnë SHBA-në dhe Izraelin të përdorin armë më të kushtueshme dhe të operojnë nga distanca më të mëdha.

Sipas Grajewski, strategjia ushtarake iraniane nuk bazohet tek superioriteti teknologjik, por tek rezistenca, qëndrueshmëria dhe lëvizshmëria.

Ajo tha se, nëse SHBA-ja ose Izraeli nuk arrijnë ta eliminojnë plotësisht aftësinë e Iranit për kundërpërgjigje, çdo sulm i ri mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm në Gjirin Persik dhe në ndërprerje të trafikut përgjatë Ngushticës së Hormuzit, me pasoja edhe për tregjet globale të energjisë.

3sgIgLJ.png