Gazetare: Melihate Rrustemi
Rasti i Iva Mihaillovës, e cila u arratis nga Maqedonia e Veriut pavarësisht se i ishin sekuestruar pasaportat e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ka nxitur reagime politike dhe pikëpyetje për funksionimin e kontrolleve kufitare. Ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme thotë se në sistem nuk figuron dalja e saj nga vendi, vetë Mihailova dhe avokati i saj pretendojnë se kufirin e kanë kaluar përmes një pike zyrtare kufitare, pa u penguar nga autoritetet.
“E kaluam kufirin bashkë me avokatin tim. Gjendja ime shëndetësore u përkeqësua, ai erdhi më mori dhe u kthyem në Bullgari pa asnjë problem. Paraqita letërnjoftimin tim të Maqedonisë dhe më pas, në kufirin bullgar, paraqita letërnjoftimin bullgar.“ – Deklaroi Iva Mihillova.
Edhe avokati i saj, Nikollaj Dimitrov, ka deklaruar se kalimi është bërë përmes një pike zyrtare kufitare. Sipas tij, autoritetet në Maqedoni kanë qenë në dijeni për identitetin e Mihailovës, por nuk i kanë penguar të vazhdojnë rrugën drejt Bullgarisë. Dimitrov nuk ka bërë të ditur se në cilën pikë kufitare kanë kaluar, duke deklaruar se nuk dëshiron t’u krijojë probleme personave që, sipas tij, i kanë ndihmuar.
“Dje fola me Ivën dhe ajo më tha se nuk mund të qëndronte më atje. Më tregoi se nuk ndihej mirë dhe vendosa të shkoja ta merrja. Të dy kishin vendosur të provonin të kalonin kufirin, megjithëse nuk ishim të sigurt se do të mund ta bënim këtë. Kaluan përmes pikës kufitare, ku Iva paraqiti dokumentin e identifikimit. Në kufirin bullgar, ajo paraqiti letërnjoftimin bullgar dhe më pas u kthyem në Bullgari. Ndërmorëm veprime që Iva të shtrohej në një institucion shëndetësor, pasi gjendja e saj nuk ishte e mirë”. – Tha Avokati Nikollaj Dimitrov.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka deklaruar se në sistemin e kontrollit kufitar nuk figuron dalje e regjistruar e Iva Mihailovës nga vendi. Ndërkaq, Prokuroria Publike ka bërë të ditur se të dyja pasaportat e saj ishin sekuestruar në tetor të vitit të kaluar, pas aksidentit të trafikut me pasoja fatale, për të cilin ajo po gjykohet në Koçan. Sipas Prokurorisë, në disa raste është dhënë mendim negativ për kthimin e pasaportave për shkak të rrezikut të arratisjes.
Pas arratisjes në Bullgari dhe pritjen e saj nga zyrtarë të lartë bullgarë, Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka reaguar ashpër duke theksuar se një veprim i tillë dëmton përpjekjet për ndërtimin e besimit dhe është në kundërshtim me zotimet për zhvillimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore. Për këtë rast Ministria e Jashtme ka theksuar se do t’i njoftojë partnerët ndërkombëtarë, sidomos institucionet e Bashkimit Evropian. Rasti ka nxitur reagimin e LSDM-së opozitare, e cila ka kërkuar përgjegjësi dhe dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Nga kjo parti kërkojnë që institucionet kompetente të hetojnë se si është realizuar kalimi i kufirit dhe të përcaktojnë përgjegjësinë eventuale./Alsat

