Lajme

Ish-shefi i CIA paralajmëron: Dronët, rreziku më i madh i së ardhmes

David Petraeus thotë se konfliktet në Iran dhe Ukrainë po tregojnë transformimin e luftës moderne dhe se sistemet pa pilot do të jenë kërcënimi më i madh i dekadës së ardhshme.

Ish-drejtori i CIA-s dhe ish-gjenerali amerikan David Petraeus paralajmëroi se sistemet pa pilot dhe dronët autonomë do të jenë kërcënimi më i madh ushtarak i viteve të ardhshme, ndërsa konfliktet në Iran dhe Ukrainë po tregojnë se si po ndryshon lufta moderne.

Duke folur në Konferencën Aziatike të Investimeve të UBS, Petraeus tha se përdorimi masiv i dronëve në zonat e luftës ka treguar dobësitë serioze të sistemeve aktuale të mbrojtjes ajrore.

Gjithçka do të lidhet me sistemet pa pilot dhe mbrojtjen kundër tyre, e cila nuk ka qenë e mjaftueshme”, deklaroi ai.

Petraeus theksoi se dronët iranianë Shahed, të cilët kushtojnë vetëm 20 deri në 50 mijë dollarë, po përdoren gjerësisht në Lindjen e Mesme, ndërsa për t’i rrëzuar shpesh përdoren raketa mbrojtëse që kushtojnë miliona dollarë.

Sipas tij, edhe një numër relativisht i vogël dronësh ka shkaktuar probleme serioze, përfshirë ndërprerje në prodhimin e gazit të lëngshëm në Katar.

Ish-shefi i CIA-s paralajmëroi se faza e ardhshme do të jetë edhe më e rrezikshme: dronë autonomë që komunikojnë mes tyre dhe veprojnë në tufa, pa nevojën e kontrollit njerëzor.

Tani ke tufa dronësh që vijnë drejt teje dhe ne realisht nuk kemi mbrojtje ndaj tufave”, tha ai.

Petraeus përmendi edhe përvojën e Ukrainës, duke vlerësuar aftësinë e Kievit për të prodhuar dronë dhe për të neutralizuar dronët rusë përmes luftës elektronike dhe dronëve interceptorë.

Megjithatë, ai paralajmëroi se sistemet aktuale mbrojtëse mund të mos jenë të mjaftueshme përballë sulmeve të koordinuara autonome.

Sipas Petraeus, e ardhmja e luftës do të kalojë nga armët autonome individuale tek “sisteme autonome të sistemeve autonome”, ku sensorët, komandat dhe armët do të funksionojnë pothuajse pa ndërhyrje njerëzore.

Ai shtoi se kjo teknologji do të sjellë gjithashtu investime gjigante në industrinë e mbrojtjes dhe teknologjisë ushtarake.

Autonomia do të jetë zhvillimi më tronditës i së ardhmes”, deklaroi Petraeus.

3sgIgLJ.png