Lajme

Horrori në Çeki, 35-vjeçarja dyshohet se vrau foshnjën e porsalindur dhe ua hodhi qenve

Autoritetet çeke arrestuan një grua 35-vjeçare, pasi në oborrin e një banese u gjetën pjesë të trupit të një foshnje të porsalindur. Hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që mbetjet t’u jenë dhënë qenve…

Një ngjarje që ka tronditur opinionin publik në Çeki po hetohet nga autoritetet vendase, pas zbulimit të pjesëve të trupit të një foshnje të porsalindur në oborrin e një shtëpie pranë kufirit me Gjermaninë.

Sipas mediave çeke, policia arrestoi një grua 35-vjeçare, e cila akuzohet për vrasjen e fëmijës së saj të porsalindur. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë që ajo t’ua ketë dhënë mbetjet e foshnjës qenve, për të zhdukur gjurmët.

Ngjarja doli në dritë javën e kaluar në qytetin e vogël Kynšperk nad Ohří, me rreth 5 mijë banorë, rreth 20 kilometra nga kufiri gjerman.

Sipas informacioneve të publikuara, vjehrra e 35-vjeçares zbuloi në një qese plastike një dorë dhe një pjesë të krahut të një foshnje të pajetë në oborrin pas shtëpisë ku jetonte çifti së bashku me prindërit e bashkëshortit.

Pas njoftimit, autoritetet nisën menjëherë kërkimet. Dhjetëra efektivë policie dhe ekipe shpëtimi kontrolluan zonën dhe koshat e mbeturinave përreth, por nuk arritën të gjenin pjesën tjetër të trupit të foshnjës.

Policia njoftoi se 35-vjeçarja përballet me akuza për vrasje në rrethana veçanërisht të rënda.

Sipas gazetës çeke Krimi-Plzen, hetuesit po shqyrtojnë seriozisht skenarin që mbetjet e foshnjës t’u jenë dhënë qenve. Kjo hipotezë konsiderohet si një nga shpjegimet e mundshme për mungesën e pjesëve të tjera të trupit.

Motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta. Autoritetet dyshojnë se gruaja ka lindur fshehurazi dhe më pas i ka marrë jetën foshnjës.

Banorët e zonës deklaruan se shtatzënia e saj ishte e dukshme gjatë muajve të fundit, por më pas ajo nuk u pa më me bark të fryrë dhe në banesë nuk u shfaq kurrë një foshnjë.

Komuniteti lokal ka reaguar me trishtim dhe zemërim. Të hënën, dhjetëra banorë vendosën lule dhe ndezën qirinj pranë vendit të ngjarjes në kujtim të foshnjës.

3sgIgLJ.png