Shkruar nga Reuben Johnson
Përkeqësimi i situatës ekonomike dhe dështimet e njëpasnjëshme ushtarake në Ukrainë po nxisin tensione të papreventa brenda elitës politike ruse. Paralajmërimet për një “situatë revolucionare” të stilit leninist sugjerojnë se autoriteti i Vladimir Putinit po përballet me provën më të vështirë që nga marrja e pushtetit.
Udhëheqësi i Partisë Komuniste të Rusisë paralajmëroi së fundmi Vladimir Putinin, drejtpërdrejt nga foltorja e Dumës, parlamentit rus, se vendi mund të përballet me një “situatë revolucionare” të ngjashme me atë të vitit 1917, kur kryengritja popullore e përmbysi monarkinë ruse.
Ky paralajmërim i zymtë vjen në një kohë kur ekonomia ruse po tkurret, forcat ushtarake po humbasin terren në Ukrainë dhe popullariteti i Putinit ka rënë me më shumë se 12 për qind që nga fillimi i vitit 2026.
Analizat se lufta në Ukrainë po shkatërron ekonominë ruse dhe po e çon vendin drejt kolapsit të regjimit, nuk janë më pronë e mediave tabloide. Kjo narrativë po trajtohet tashmë nga botime prestigjioze si revista “Fortune”, ndërsa shifrat e fundit duhet të ndezin dritat e alarmit në Kremlin.
Megjithatë, nuk janë vetëm mediat perëndimore ato që vërejnë treguesit negativë. Disa nga zërat më kritikë sot janë pikërisht ata që dikur kanë qenë shtylla mbështetëse të sundimit të Putinit.
Gennady Zyuganov, 81 vjeç, i cili prej dekadash drejton Partinë Komuniste të Federatës Ruse, u bë protagonist në vitin 1996 kur sfidoi Boris Yeltsin-in në zgjedhjet presidenciale.
Pas asaj periudhe, Zyuganov u shndërrua në një mbështetës besnik të sistemit të ndërtuar nga Putin që prej vitit 2000. Por javën e kaluar, gjatë një seance plenare në Dumën e Shtetit, ai lëshoi një paralajmërim të fortë: lufta po e çon Rusinë drejt asaj që Vladimir Lenini e quante “situatë revolucionare”.
“Ne po bëjmë gjithçka për të mbështetur Putinin dhe strategjinë e tij, por qeveria nuk po dëgjon…”- deklaroi Zyuganov. Ai shtoi se mbledhjet e fundit të kabinetit ishin ndër më pesimistet e viteve të fundit, duke kërkuar masa urgjente financiare.
“Nëse nuk veprohet tani, deri në vjeshtë na pret një përsëritje e vitit 1917. Nuk kemi të drejtë ta lejojmë këtë. Le të marrim vendimet e duhura”- shtoi ai. Pra mesazhi është i qartë: një shembje e autoritetit politik dhe një revoltë popullore po trokasin në derë si pasojë e një lufte katastrofike.
Historia rrezikon të përsëritet. Nëse për vite me radhë Putin e ka mohuar krizën, së fundmi ai u detyrua të pranojë se Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) u tkurr në dymujorin e parë të vitit 2026.
Ndërkohë, në frontin ukrainas, forcat ruse kanë pësuar humbje territoriale gjatë muajit të fundit, dhe kjo për herë të parë që nga viti 2024. Ajo që e shqetëson elitën ruse është hendeku i madh mes propagandës dhe realitetit.
Kur nisi pushtimi në shkurt 2022, parashikohej rënia e Kievit brenda 3 ditësh. Sot, ushtria ruse jo vetëm që ka dështuar në objektivat fillestarë, por po përballet me një ushtri ukrainase të shndërruar në një nga më të fuqishmet në Evropë.
Edhe sot, forcat e Putinit nuk kanë arritur të marrin kontrollin e plotë mbi Donbasin, pavarësisht pushtimit të pjesshëm që zgjat prej më shumë se një dekade. Zyrtarët rusë, dikur të heshtur nga frika, tani po flasin në kushte anonimiteti.
“Mjaft më; boll është luftuar!”- tha një zyrtar rus për Washington Post. “Kjo luftë po duket më e gjatë se Lufta e Dytë Botërore, dhe ndërkohë nuk arrijmë të marrim plotësisht nën kontroll as edhe një rajon të vetëm…”- shtoi ai.
Falë ndihmës perëndimore dhe inovacioneve teknologjike, Ukraina ka goditur pikat nervore të ekonomisë ruse. Dronët ukrainas kanë gjymtuar eksportet e naftës dhe e kanë detyruar Kremlinin të reduktojë ndjeshëm paradën simbolike të 9 majit në Sheshin e Kuq, një goditje shumë e rëndë për prestigjin e Putinit.
Për qytetarët e thjeshtë, inflacioni i lartë dhe kufizimet në internet, si bllokimi i platformës Telegram, i kanë rritur ndjeshëm pakënaqësitë. Popullariteti i regjimit ka rënë në 65.6 për qind, një shifër shqetësuese krahasuar me 80 për qind që gëzonte para luftës.
Edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Maxim Reshetnikov, e pranoi se rezervat e ekonomisë janë konsumuar dhe situata makroekonomike po vështirësohet dita-ditës për shkak të mungesës së fuqisë punëtore dhe normave të larta të interesit.
Bankat dhe institutet shtetërore parashikojnë një krizë bankare brenda tetorit të këtij viti. Në vitin 1984, historiani Richard Pipes argumentonte se Bashkimi Sovjetik ishte në një krizë sistemike që kërkonte reforma rrënjësore.
Shtatë vite më vonë, ai shtet u shpërbë. Sot, Rusia e Putinit duket se ndodhet në një pozicion edhe më të brishtë. Pa mekanizma institucionalë për të frenuar rënien, stabiliteti i vendit varet vetëm nga një udhëheqës i vetëm, në një strukturë që po tregon shenja të qarta krisjeje dhe që ka pak gjasa për mbijetesë afatgjatë.

