Për dekada me radhë, Gjermania ka qenë destinacioni i ëndrrave për shumë kroatë në kërkim të pagave më të larta, stabilitetit dhe një të ardhmeje më të sigurt.
Megjithatë, vitet e fundit po shfaqet një prirje e re: gjithnjë e më shumë qytetarë kroatë po zgjedhin të kthehen në vendlindje, duke argumentuar se përfitimet e jetës jashtë nuk i tejkalojnë më avantazhet e jetesës në Kroaci. Kjo nuk do të thotë se Kroacia është përmirësuar në mënyrë dramatike dhe pretendimet në këtë drejtim nuk qëndrojnë.
Arsyet e këtij ndryshimi janë të shumta dhe komplekse. Sipas Index, ndonëse Gjermania vazhdon të ofrojë paga më të larta dhe mundësi të mira punësimi në shumë sektorë, shumë kroatë thonë se familja, siguria, mënyra e jetesës dhe ndjenja e përkatësisë kanë marrë rëndësi gjithnjë e më të madhe në vendimet e tyre.
Një nga shembujt më domethënës është ai i familjeve kroate që u zhvendosën në Gjermani vite më parë në kërkim të një jete më të mirë, por tani po përgatiten të kthehen. Një familje, që jeton prej një dekade në Gjermani, thotë se i mungojnë festat, mbledhjet familjare dhe lidhjet e përditshme që janë të vështira të zëvendësohen kur jeton jashtë vendit. Për disa emigrantë, edhe llogaritë financiare kanë ndryshuar.
“Dikur mendoja se Gjermania ishte e vetmja rrugë përpara”, thonë shumë prej atyre që po kthehen. Sot, disa besojnë se një jetë e qëndrueshme në Kroaci, sidomos nëse kanë një banesë, mbështetje nga familja ose mundësinë për të punuar në mënyrë të pavarur, mund të ofrojë cilësi më të mirë jetese.
Vendimi për t’u kthyer nuk është vetëm emocional. Zhvillimet ekonomike në Gjermani po ndikojnë gjithashtu te një pjesë e punëtorëve. Kroatët që jetojnë atje përmendin vështirësitë në sektorë si ndërtimi dhe industria e automobilave. Disa janë përballur me më pak punë, pasiguri ose më pak mundësi krahasuar me vitet e mëparshme.
Të dhënat e fundit tregojnë se numri i kroatëve që largohen nga Gjermania tashmë është më i lartë se ai i atyre që mbërrijnë. Gjatë një periudhe të fundit, Gjermania regjistroi dhjetëra mijë largime të shtetasve kroatë, ku shumë u kthyen në Kroaci, ndërsa të tjerë u zhvendosën drejt vendeve të tjera.
Edhe mënyra si perceptohet emigrimi ka ndryshuar. Brezat e mëparshëm e shihnin largimin nga Kroacia si domosdoshmëri për të fituar para, për të blerë një shtëpi dhe për të siguruar të ardhmen. Sot, shumë prej atyre që rikthehen thonë se suksesi matet ndryshe. Të jetosh pranë prindërve, të rritësh fëmijët pranë të afërmve, të ndihesh i sigurt dhe pjesë e komunitetit janë bërë po aq të rëndësishme sa paga. Për familjet e reja, pyetja nuk është më vetëm: “Ku mund të fitoj më shumë?”, por “Ku mund të ndërtoj jetën që dua?”.
Rikthimi i emigrantëve nuk do të thotë se të gjitha problemet e Kroacisë janë zgjidhur. Pagat, burokracia dhe mundësitë e karrierës mbeten shqetësime për shumë njerëz që mendojnë të kthehen. Megjithatë, rritja e numrit të të rikthyerve tregon se imazhi i vjetër i Gjermanisë si e vetmja rrugë drejt një të ardhmeje më të mirë po bëhet gjithnjë e më kompleks. Për disa kroatë, Gjermania mbetet zgjedhja më e mirë. Për të tjerë, shtëpia është bërë vendi ku shohin mundësinë më të mirë për një jetë më të ekuilibruar dhe me më shumë kuptim.

