Vendimi për ndërhyrje kishte disa ditë që pritej nga Presidenti i SHBA-së
Studiuesi Michael Rozenblat, i cili ka punuar më herët në aparatin e sigurisë izraelite, argumenton se në kushtet aktuale “një ndryshim regjimi tani” mund të jetë më i leverdishëm sesa ndjekja e një procesi të gjatë diplomatik.
Vendimi për ndërhyrje, sipas analizës, kishte disa ditë që pritej nga Presidenti i SHBA-së. Në një deklaratë në platformën Truth, ai u shpreh: “Regjimi nuk do të mund të ketë kurrë armën atomike. Ky operacion është për të mbrojtur popullin amerikan nga kërcënimet e Teheranit, i cili ka tentuar të rindërtojë programin e tij atomik dhe po zhvillonte raketa balistike me rreze të gjatë, të afta të arrijnë Shtetet e Bashkuara. Do të godasim objektiva ushtarake të regjimit, do të shkatërrojmë raketat e tyre, do të rrafshojmë strukturat e prodhimit të armëve dhe do të asgjësojmë flotën e tyre detare”.
Sipas analizës, përgatitjet kishin nisur prej javësh. SHBA-ja kishte zhvendosur në rajon një numër të konsiderueshëm forcash ushtarake, në pozicione të përshtatshme për të mbështetur një operacion të zgjatur.
Forcimi ushtarak vijoi paralelisht me kontaktet diplomatike mes delegacioneve të Uashingtonit dhe Teheranit. Megjithatë, shumë zyrtarë amerikanë shpreheshin skeptikë për arritjen e një marrëveshjeje. Presidenti Trump kërkonte ndërprerjen e plotë të programit bërthamor, përfshirë ndalimin e pasurimit të uraniumit, ndërsa Izraeli këmbëngulte edhe në çmontimin e arsenalit raketor iranian.
Izraeli, nga ana e tij, po përgatitej prej javësh për një përplasje të mundshme, vetëm tetë muaj pas një konflikti 12-ditor gjatë të cilit SHBA dhe Izraeli goditën objekte ushtarake dhe bërthamore iraniane.
Prania amerikane në rajon ishte e konsiderueshme: dhjetëra avionë luftarakë dhe avionë cisternë për furnizim në ajër, dy grupe sulmi me aeroplanmbajtëse USS Abraham Lincoln dhe USS Gerald R. Ford të shoqëruara nga kryqëzorë, shkatërrues dhe nëndetëse.
Sipas analizës, deri para disa javësh Pentagoni nuk e konsideronte veten plotësisht të përgatitur për të mbështetur një operacion të tillë, pasi rreth 30–40 mijë trupa amerikane në tetë baza kishin mbrojtje ajrore të pamjaftueshme. Gjatë muajit të fundit u dislokuan sisteme Patriot dhe THAAD për të interceptuar raketat iraniane, si dhe avionë F-35, F-22, F-16 dhe bombardues strategjikë në gatishmëri.
Gjashtë arsyet kryesore sipas analizës
1. Një moment i favorshëm për rikonfigurimin e Lindjes së Mesme
Sipas Rozenblat, Irani ndodhet në një nga periudhat më të dobëta që prej revolucionit të vitit 1979, për shkak të protestave të brendshme, konfliktit 12-ditor me Izraelin dhe dobësimit të aleatëve të tij rajonalë si Hamas, Hezbollah dhe Houthi. Një ndërhyrje vendimtare, sipas tij, mund të rihapë iniciativa amerikane në rajon, përfshirë zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit dhe afrimin e vendeve si Libani dhe Iraku me Perëndimin.
2. Tensionet e brendshme në Iran
Shtypja e protestave ka rritur pakënaqësinë e brendshme. Edhe pse shifrat e viktimave mbeten të debatueshme, raportimet konsiderohen shqetësuese. Sipas analizës, premtimi për të mbështetur popullin iranian duhet të shoqërohet me hapa konkretë.
3. Çështja e besueshmërisë ndërkombëtare
Mosveprimi, argumenton autori, do të sillte krahasime me situatën e vitit 2013 në Siri, kur administrata Obama nuk reagoi ushtarakisht pas përdorimit të armëve kimike nga regjimi i Assadit. Një tërheqje do të mund të perceptohej si dobësi nga Teherani.
4. Faktorët ekonomikë
Një ndryshim regjimi do të mund të rikthente rezervat e mëdha energjetike iraniane – të dytat në botë për gaz natyror dhe të tretat për naftë – në tregjet perëndimore, duke ndikuar edhe në balancat energjetike globale dhe furnizimet e Kinës.
5. Ndikimi amerikan në tranzicionin politik
Dobësitë strukturore të brendshme, përfshirë hiperinflacionin, mungesën e ujit dhe korrupsionin, sipas analizës, tregojnë një regjim të brishtë. Një angazhim i drejtpërdrejtë amerikan do të mund të ndikonte procesin e tranzicionit dhe të shmangte ndërhyrjen e Rusisë apo Kinës.
6. Rreziku bërthamor
Sulmet e muajit qershor ndaj objekteve bërthamore, sipas vlerësimeve, mund ta kenë shtyrë programin iranian vetëm për disa muaj. Presidenti Trump ka deklaruar vazhdimisht se nuk do të lejojë pajisjen e Iranit me armë bërthamore, çka, sipas kësaj logjike, e bën veprimin të domosdoshëm./Pëtshtatur nga Corriere della Sera
