Gjiganti amerikan i automobilëve General Motors ka pranuar të paguajë 12.75 milionë dollarë për të zgjidhur një çështje në Kaliforni lidhur me privatësinë e të dhënave të drejtuesve të mjeteve. Marrëveshja u arrit pas një hetimi të udhëhequr nga Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, mbi akuzat se kompania kishte shitur të dhëna sensitive të shoferëve pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre.
Sipas autoriteteve, GM kishte mbledhur përmes sistemit të saj OnStar informacione si emra, kontakte, të dhëna gjeolokacioni dhe sjellje në drejtim të automjetit, përfshirë shpejtësinë, frenimet apo përshpejtimet e forta. Këto të dhëna më pas iu shitën kompanive të analizës së riskut LexisNexis Risk Solutions dhe Verisk Analytics. Autoritetet pretendojnë se GM ka përfituar rreth 20 milionë dollarë nga këto shitje në nivel kombëtar.
Hetimi nisi pasi raportime mediatike në vitin 2024 ngritën shqetësime se kompanitë e sigurimeve po përdornin të dhënat e drejtimit për të ndikuar në primet e sigurimit. Megjithatë, autoritetet kaliforniane thanë se ligji në shtet nuk lejon përdorimin e këtyre të dhënave për përcaktimin e tarifave të sigurimit.
Në kuadër të marrëveshjes, GM do të ndalojë për pesë vite shitjen e të dhënave të drejtuesve tek agjencitë e raportimit të konsumatorëve dhe do të duhet të fshijë të gjitha të dhënat që mban ende, përveç rasteve kur merr miratim të qartë nga klientët. Kompania gjithashtu duhet të kërkojë nga partnerët e saj që të fshijnë informacionet e marra më parë.
“General Motors shiti të dhënat e drejtuesve pa dijeninë apo pëlqimin e tyre”, deklaroi Prokurori i Përgjithshëm Rob Bonta, duke e cilësuar praktikën si shkelje të rëndë të privatësisë së konsumatorëve.
Kjo nuk është hera e parë që GM përballet me pasoja për mënyrën si ka përdorur të dhënat e klientëve. Edhe Federal Trade Commission kishte arritur më herët një marrëveshje me kompaninë për kufizimin e shitjes së të dhënave sensitive të drejtuesve./ TECHCRUNCH

