Lajme

Filizat e parë të islamit politik në Shqipëri, pasojat e një ndarjeje të re

Lëvizja e shpallur ngre pikëpyetje mbi hyrjen e ideologjisë fetare në politikë dhe rrezikun e vendosjes së besimit përpara identitetit kombëtar…

Aty ku, për më shumë se 50 ditë, të tjerët nuk ia dolën, dy të rinj, dukshëm simpatizantë të islamit politik, kanë arritur të inaugurojnë politikisht lëvizjen e tyre.

Mjedisi revolucionar i ngjan atij që përshkruan Kadareja te “Nëntori i një kryeqyteti”, kur një aktivist i njësive guerile të Tiranës, ndërsa vendos objektin e fundit në barrikadën përballë Radio Tiranës, qëllon tri herë me koburen e tij. Komandanti partizan, i cili kishte detyrë të merrte objektin, ia pret: “E inauguroi qerratai”.

Në këtë atmosferë, dy të rinjtë kanë dalë përpara Kryeministrisë, kanë shpallur lëvizjen e tyre politike dhe kanë ftuar të rinjtë që ta mbështesin sa më shumë.

Në videon e shkurtër të publikuar në rrjetet sociale, Erdi Troplini dhe Laura Kërtalli flasin në përgjithësi për synimet e tyre politike, por pa përcaktuar se cilën rrymë apo ideologji përkrahin.

Ajo që duket disi më interesante në mesazhin e tyre është deviza: “Shqipëria nuk ndryshon duke pritur, por duke vepruar”.

Shpallja e lëvizjes nga këta dy të rinj ka shumë gjasa të mos përbëjë, në kuptimin e drejtpërdrejtë, edhe deklarimin e një force të re politike. Sipas të gjitha gjasave, kemi të bëjmë me filizat e një partie që, siç pritej, do të bëhet de facto dhe de jure pjesë e realitetit politik shqiptar.

Prej kohësh kemi pasur sinjale për aktivizimin e islamit politik, i cili ka punuar për shtrimin e tezave dhe ideologjisë së vet në mediat kryesore dhe në rrjetet sociale. Kjo veprimtari tregon se grupet që e përfaqësojnë zotërojnë një organizim të mirë, një strukturë të konsoliduar, një rrjet të ngritur dhe mbështetje të konsiderueshme financiare.

Islami politik në trojet shqiptare, kryesisht në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi, ka pasur drojë të dalë hapur me një ideologji të pastër fetare.

Ai i është druajtur reagimit të prerë të opinionit publik kombëtarist, i cili gëzon mbështetje të gjerë mes shqiptarëve. Për këtë arsye, përfaqësuesit e tij janë mbuluar me pelerina nacionaliste dhe sociale, si dhe me metafora lehtësisht të kuptueshme.

Megjithatë, nuk mungojnë as lëvizjet paralele, kryesisht ato që vijnë nga klerikë zyrtarë dhe radikalë. Brenda mjediseve të faljes, këta klerikë bëjnë politikë dhe përhapin ideologjinë e tyre.

Kjo ideologji synon të ngulitë tezën, të njohur që nga koha e Perandorisë Osmane, se përpara se të jenë shqiptarë, besimtarët janë myslimanë. Madje, në një material që qarkullon gjerësisht në rrjet, një imam nga Maqedonia e Veriut thekson se “një gjerman mysliman i devotshëm është më i mirë se një shqiptar i krishterë”.

Kjo deklaratë përmbledh thelbin e një teze që pritet të mbërrijë në Shqipëri si një thikë polarizuese, e aftë të prodhojë ndarje në opinionin publik.

Në skenën e sotme politike, kur Shqipëria po përgatitet të hyjë në Bashkimin Europian, regjistrimi i një force të islamit politik mund të shërbejë edhe si një kalë Troje për përcjelljen e ndikimit të financuesve të saj, përkatësisht të neo-otomanëve të Erdoganit.

Këta të fundit, së bashku me disa vende arabe, mes të cilave Katari zë një vend qendror, kanë mbështetur ndër vite forca të ndryshme politike europiane, kryesisht të majta. Këto parti janë rritur gjatë viteve të fundit edhe falë votave të emigrantëve myslimanë të natyralizuar në vendet e Bashkimit Europian. Politikanët e së djathtës ekstreme e kanë ironizuar këtë zhvillim duke e quajtur kontinentin e vjetër “Saudi Europa”.

Nga laburistët britanikë te partitë e majta në Francë, Itali, Gjermani dhe Vendet e Ulëta, një pjesë e politikanëve të rëndësishëm kanë origjinë arabe ose pakistaneze dhe i përkasin besimit mysliman.

Në qeverinë më të fundit britanike të kryeministrit Andy Burnham, ministrja e Brendshme quhet Shabana Mahmood. Ajo ka origjinë pakistaneze, por ka lindur në Mbretërinë e Bashkuar.

Për këtë arsye, fraza e klerikut shqiptar nga Maqedonia e Veriut nuk mund të trajtohet thjesht si një lajthitje personale apo si shprehje e një injorance të ushqyer nga mllefi.

Sipas të gjitha gjasave, ajo përfaqëson një linjë të studiuar politike, e cila pritet të zbresë së shpejti në sheshin politik shqiptar./Pamfleti

3sgIgLJ.png