Lajme

Europa ‘importon’ modelin Trump, partitë e ekstremit të djathtë kërkojnë njësi ‘ICE’ për të dëbuar emigrantët!

Disa parti dhe politikanë të djathtë ekstremë në Evropë kanë nxitur polemika pasi kanë propozuar krijimin e njësive policore në vendet e tyre të ngjashme me agjencinë amerikane për Emigracionin dhe Doganat (ICE).

ICE zbaton ligjet federale të SHBA-së për kontrollin kufitar, doganat, tregtinë dhe emigracionin. Agjencia është përballur me kritika të forta javët e fundit pas vrasjes së dy shtetasve amerikanë nga agjentët e saj, në kuadër të një fushate të administratës Trump për deportimin e emigrantëve pa dokumente.

Megjithatë, kjo situatë nuk i ka penguar degën bavareze të partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe partinë flamande të ekstremit të djathtë Vlaams Belang në Belgjikë që të propozojnë struktura të ngjashme në vendet e tyre.

Në janar, krahu bavarez i AfD-së njoftoi se do të paraqesë në parlamentin rajonal një plan për krijimin e një njësie policore të përqendruar në deportimin e emigrantëve që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në Gjermani. Sipas mediave gjermane, një dokument i brendshëm i partisë parashikon masa shtesë për të kufizuar emigracionin e parregullt.

“Përveç fluturimeve të organizuara nga shteti për deportim, ne kërkojmë krijimin e një njësie për azilin, hetimin dhe deportimin brenda policisë bavareze”, deklaroi drejtuesja e grupit parlamentar të AfD-së në Bavari, Katrin Ebner-Steiner. Sindikata e Policisë së Bavarisë reagoi duke theksuar se nuk ekziston bazë ligjore për krijimin e një njësie të tillë.

Në Belgjikë, Vlaams Belang pritet të paraqesë në ditët në vijim një propozim për një strukturë të ngjashme. Deputetja Francesca Van Belleghem hodhi poshtë krahasimin me ICE, duke argumentuar se njësia belge do të mbetet pjesë e policisë ekzistuese dhe jo një agjenci federale e veçantë. Megjithatë, sipas detajeve të bëra publike, plani parashikon oficerë të specializuar në çdo zonë policore, njësi të plota në qytetet e mëdha dhe zonat kufitare, si dhe veprime aktive për identifikimin e emigrantëve pa status të rregullt.

Në vend që të regjistrojmë emigrantët e paligjshëm vetëm kur kapen rastësisht, njësia do të kërkojë në mënyrë aktive personat pa status ligjor,” deklaroi Van Belleghem për POLITICO, duke shtuar se propozimet kombëtare nuk diktohen nga konteksti ndërkombëtar.

Në Francë, themeluesi i partisë së djathtë ekstreme Reconquête, Éric Zemmour, nuk e përjashtoi idenë e një force të ngjashme me ICE gjatë një interviste televizive për BFMTV. Ai theksoi se një model i tillë do të duhej të përshtatej me institucionet franceze.

Sipas raportimit të POLITICO, këto propozime kanë nxitur reagime të ashpra nga kundërshtarët politikë. Eurodeputeti gjerman i të Gjelbërve, Damian Boeselager, deklaroi se promovuesit e ideve të tilla “kanë dalë jashtë spektrit demokratik”. Ndërsa Manon Aubry, bashkëkryetare e së Majtës në Parlamentin Evropian, paralajmëroi se normalizimi i modelit ICE në debatin politik do të përbënte një rrezik për vlerat demokratike.

Politologia Laura Jacobs nga Universiteti i Antwerpit vlerësoi se disa parti të ekstremit të djathtë shmangin lidhjen e drejtpërdrejtë me presidentin amerikan Donald Trump për arsye imazhi, por në thelb i referohen një modeli të ngjashëm policor. Sipas saj, kjo prirje lidhet me normalizimin e qëndrimeve më të ashpra ndaj emigracionit në Evropë.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka forcuar politikat e tij të migracionit për të frenuar rritjen e partive të ekstremit të djathtë. Muajin e kaluar, Komisioni Evropian paraqiti një strategji pesëvjeçare për migracionin, duke theksuar nevojën për një diplomaci më të vendosur me vendet e treta për të parandaluar hyrjet e parregullta dhe për të lehtësuar kthimin e shtetasve që nuk kanë të drejtë qëndrimi në BE.

3sgIgLJ.png