Projekti energjetik prej 1.2 miliardë eurosh i “Eralb Invest 2” në Tropojë ka kaluar një tjetër fazë të procedurave, duke marrë deklaratën mjedisore për një park eolik me kapacitet të instaluar 366 MW.
Deklarata është lëshuar më 15 korrik 2026 për projektin “Parku Eolik Tropojë”, që parashikon instalimin e 60 turbinave me fuqi 6.1 MW secila. Prodhimi neto i parashikuar është 713.5 GWh energji elektrike në vit.
Ky zhvillim lidhet me projektin më të gjerë të “Eralb Invest 2”, të prezantuar si një investim kompleks në energjinë e rinovueshme me vlerë rreth 1.2 miliardë euro.
Projekti ka pasur statusin “Projekt me Potencial Strategjik” qw parashikonte një park eolik prej 636 MW, me 100 turbina, si dhe një park fotovoltaik prej 190 MW me 418,500 panele.
Deklarata e fundit mjedisore mbulon kapacitetin prej 366 MW dhe përbën një nga hallkat që duhet të kalojë zhvilluesi përpara fazave të mëtejshme të projektit.
Dokumenti sqaron se deklarata mjedisore nuk është leje përfundimtare zhvillimi, por një miratim që i hap rrugë vijimit të procedurave me kusht zbatimin e kërkesave për parandalimin dhe minimizimin e ndikimeve në mjedis.
Projekti
Parku do të zhvillohet në territorin e Bashkisë Tropojë, në qarkun e Kukësit. Sipas dokumentacionit, zona ku parashikohet projekti nuk ndodhet brenda rrjetit të zonave të mbrojtura, ndërsa nga vlerësimi i burimeve ujore nuk rezulton konflikt me kërkesat e legjislacionit në këtë fushë.
Bashkia Tropojë ka dhënë gjithashtu miratimin në parim për zhvillimin e parkut, duke e konsideruar atë një projekt me interes për zhvillimin energjetik dhe ekonomik të zonës. Në korrik është zhvilluar edhe konsultimi publik me banorët dhe përfaqësues të institucioneve vendore e mjedisore.
Projekti ka kaluar ndërkohë në disa faza rikonfigurimi dhe procedurash. Në vitet e mëparshme, zhvillimi i tij ishte ngadalësuar edhe nga çështjet e sipërfaqeve të marra me qira për matjet dhe zhvillimin e parkut eolik.
Pas rishikimit të ngastrave, u lidh një kontratë e re qiraje për 39.02 hektarë me afat 10-vjeçar, ndërsa statusi strategjik i projektit u shty për t’i dhënë kompanisë kohë për plotësimin e procedurave të nevojshme.
Deklarata mjedisore e korrikut, ndërkohë, i referohet konfigurimit prej 366 MW me 60 turbina. Nëse projekti nuk nis zbatimin në terren brenda dy viteve nga miratimi i deklaratës, dokumenti humbet vlefshmërinë dhe procedura e vlerësimit të ndikimit në mjedis duhet të nisë nga e para.

