Lajme

Elon Musk “ngroh” marrëdhëniet me Trump me 100 milionë dollarë

Pas muajsh përplasjeje publike dhe shkëmbimesh të ashpra, Donald Trump dhe Elon Musk duket se kanë vendosur të ulin armët dhe të rikthejnë komunikimin. Por këtë herë, afrimi mes dy miliarderëve nuk duket se bazohet te miqësia personale, por te një interes i përbashkët politik: sigurimi i një fitoreje republikane në zgjedhjet e mesmandatit të nëntorit dhe ruajtja e kontrollit mbi Kongresin.

Shkrirja e akullit mes tyre u bë e dukshme gjatë një udhëtimi me Air Force One drejt Kinës, ku Musk ishte në bordin e avionit presidencial së bashku me Trump, familjen e tij dhe zyrtarë të lartë të administratës.

Sipas raportimeve të Wall Street Journal, atmosfera mes Trump dhe Musk ishte dukshëm më e ngrohtë. Dyshja diskutoi për investime dhe ndërtimin e impianteve të reja industriale në SHBA, ndërsa Trump shprehu entuziazëm për një nga lançimet e fundit të SpaceX.

Në të njëjtin takim, Musk dha edhe sinjalin politik që Shtëpia e Bardhë priste: ai synon të rikthehet në mbështetjen financiare të republikanëve. Sipas raportimeve, miliarderi planifikon të kanalizojë të paktën 100 milionë dollarë drejt America PAC, organizatës politike që ai themeloi në vitin 2024. Paratë pritet të përdoren për mobilizimin e votuesve dhe fushatat në shtetet kyçe.

Për Trumpin, një kontroll demokrat i Kongresit mund të nënkuptojë hetime të reja dhe presion politik. Për Muskun, një Kongres i kontrolluar nga republikanët do të ishte një garanci më e favorshme për kompanitë e tij, të cilat përfitojnë nga kontrata dhe marrëdhënie të rëndësishme me qeverinë amerikane.

Nga aleatë të ngushtë në armiq publikë

Rikthimi i marrëdhënies vjen pas një prej përplasjeve më të forta politike mes dy figurave. Pas rikthimit të Trumpit në pushtet, Musk u angazhua drejtpërdrejt në administratë, duke marrë një rol në përpjekjet për reduktimin e aparatit shtetëror.

Por përplasjet me zyrtarë të administratës dhe ndërhyrjet e tij publike e tensionuan gjithnjë e më shumë situatën.

Kriza kulmoi kur Musk përdori rrjetet sociale për të kritikuar Trumpin lidhur me çështjen Epstein. Presidenti amerikan reagoi ashpër, duke kërcënuar me anulimin e kontratave të mbrojtjes me SpaceX dhe duke akuzuar Musk se ishte irrituar nga heqja e subvencioneve për automjetet elektrike.

Musk e cilësoi projektligjin e administratës si një “abort” dhe deklaroi se pa mbështetjen e tij financiare gjatë fushatës së vitit 2024, Trump nuk do të ishte zgjedhur president.

Pas skenës, nis operacioni i pajtimit

Për të shmangur një ndarje përfundimtare, ndërhyrën edhe figura të rëndësishme të administratës. Zëvendëspresidenti J.D. Vance dhe shefja e stafit Susie Wiles kontaktuan Musk për të qetësuar situatën.

Musk më pas u tërhoq nga disa prej deklaratave të tij më të ashpra dhe kritikoi publikisht edhe sjelljen e vet.

Në afrimin e ri ndikuan edhe interesa të tjera. Administrata amerikane e konsideroi marrëdhënien me SpaceX si tepër të rëndësishme për shkak të kontratave të kompanisë me Pentagonin dhe NASA-n. Ndërkohë, Donald Trump Jr. ruajti kanalet e komunikimit me Musk, ndërsa disa investime të lidhura me të u shtrinë edhe në kompani të miliarderit, përfshirë xAI dhe Neuralink.

Një tjetër element ishte riorganizimi administrativ në Uashington, ku disa prej personave me të cilët Musk kishte pasur përplasje u larguan nga pozicionet e tyre dhe në role kyçe u emëruan figura më të afërta me linjën e administratës.

“Për Charlie-n”, simboli i pajtimit

Një moment simbolik në rikthimin e marrëdhënieve erdhi gjatë një shërbimi përkujtimor për aktivistin konservator Charlie Kirk, i cili kishte tentuar të ndërmjetësonte mes Trump dhe Musk përpara vdekjes së tij.

Një shtrëngim duarsh mes dy miliarderëve u interpretua si sinjali i parë i qartë se konflikti po lihej pas. Musk e shoqëroi më pas një postim me fjalët: “Për Charlie-n”.

Megjithatë, marrëdhënia e re duket shumë ndryshe nga ajo që ekzistonte më parë. Kontakti mes tyre është më i kufizuar dhe raportohet se përqendrohet në diskutime periodike mbi inteligjencën artificiale dhe çështjet gjeopolitike.

Vetë Musk ka pranuar së fundmi se ishte përfshirë tepër në politikë. Tani, në vend të një roli të drejtpërdrejtë në administratë dhe një pranie të përditshme në skenën politike, ai duket se po zgjedh një strategji tjetër: më pak deklarata publike, por më shumë fuqi financiare.

Trump dhe Musk mund të mos jenë më aleatët e pandarë që ishin dikur, por interesat e tyre i kanë sjellë sërish në të njëjtën anë. Në prag të zgjedhjeve të mesmandatit, kjo marrëdhënie duket më pak si një miqësi dhe më shumë si një aleancë politike pragmatike, ku secili ka diçka për të fituar.

3sgIgLJ.png