Lajme

Eksperti amerikan paralajmëron për rrezikun e krizës në Bosnjë: Rusia shfrytëzon veprimet destabilizuese të Dodikut

Bashkëpunëtori i Lartë në Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Politikës Ndërkombëtare në Qendrën për Progresin Amerikan në Uashington, Luke Zahner, ka paralajmëruar se tensionet e pazgjidhura politike në Ballkanin Perëndimor mund të shndërrohen në kriza më të gjera të sigurisë, duke veçuar rrezikun e një përballjeje kushtetuese në Bosnjë e Hercegovinë dhe mundësinë e dhunës së lokalizuar në veri të Kosovës.

Në një intervistë për Telegrafin, ish-zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit ka thënë se këto rreziqe nuk duhet të nënvlerësohen, pasi mosmarrëveshjet e pazgjidhura krijojnë hapësirë për ndërhyrjen e aktorëve të jashtëm, veçanërisht të Rusisë.

“Nuk duhet ta nënvlerësojmë kurrë mundësinë që tensionet e pazgjidhura të shndërrohen në një krizë më të gjerë të sigurisë. Të supozosh të kundërtën do të ishte marrëzi”, ka deklaruar Zahner.

Ai ka theksuar se “rreziku i dhunës së lokalizuar, veçanërisht në veri të Kosovës, apo i një përballjeje kushtetuese në Bosnjë e Hercegovinë, mbetet një shqetësim serioz”.

Sipas tij, prania e forcave të sigurisë së Bashkimit Evropian dhe NATO-s në rajon përbën një faktor të rëndësishëm parandalues, por menaxhimi i vazhdueshëm i krizave mund të krijojë ndjenjën e rreme të sigurisë.

“Prania relativisht e kufizuar e forcave të sigurisë së BE-së dhe NATO-s në rajon përbën një faktor të rëndësishëm parandalues, por menaxhimi i përsëritur dhe i suksesshëm i krizave mund të krijojë vetëkënaqësi dhe pakujdesi”, ka thënë ai.

Zahner ka tërhequr paralele edhe me fillimin e viteve 1990, duke paralajmëruar se supozimi se dhuna nuk mund të ndodhë mund të ketë pasoja të rënda.

Ai ka vlerësuar se Rusia përpiqet të shfrytëzojë mosmarrëveshjet në rajon për të thelluar ndarjet dhe për të dobësuar unitetin e vendeve perëndimore.

Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe veprimet e liderit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, të cilat i ka cilësuar si destabilizuese.

“Qoftë mosmarrëveshja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, procesi i anëtarësimit të Malit të Zi, raportet Kosovë-Serbi apo veprimet destabilizuese të Dodikut në Bosnjë e Hercegovinë, Rusia synon të shkaktojë përçarje. Ne duhet të sigurohemi që këto përpjekje të mos kenë sukses”, ka deklaruar Zahner.

Ai ka shtuar se konfliktet e pazgjidhura në Ballkan mund të shfrytëzohen nga Moska edhe përmes kërcënimeve hibride, sulmeve kibernetike dhe fushatave të dezinformimit.

“Këto konflikte paraqesin dobësi që Rusia mund t’i shfrytëzojë, në shumë raste përmes kërcënimeve hibride, sulmeve agresive kibernetike dhe taktikave të dezinformimit”, ka theksuar ai.

Duke folur për zgjidhjen e situatës në Bosnjë e Hercegovinë, Zahner ka vlerësuar se përparimi në proceset e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit mund të ndihmojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që vazhdojnë ta mbajnë rajonin të paqëndrueshëm.

Sipas tij, zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë do të mund ta rikthente besueshmërinë e Bashkimit Evropian dhe të krijonte kushte më të mira për përparimin e procesit Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë se një përparim i tillë do të mund të ndihmonte edhe në adresimin e çështjeve kushtetuese në Bosnjë e Hercegovinë.

“Bashkimi Evropian nuk mund të lejojë krijimin e një vrime të zezë në Evropë dhe as t’i lërë këto konflikte të pazgjidhura të vazhdojnë të acarohen, sepse ato kanë një prirje të keqe që të kalojnë shumë shpejt nga çështje dytësore në çështje urgjente”, ka deklaruar Zahner.

Në fund, ai ka kërkuar angazhim më të koordinuar të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e konflikteve të hapura në rajon.

Si tri prioritete të politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor, Zahner ka renditur zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, avancimin e normalizimit Kosovë-Serbi me njohjen e ndërsjellë si synim përfundimtar dhe zgjidhjen e çështjeve kushtetuese të pazgjidhura në Bosnjë e Hercegovinë.

3sgIgLJ.png