Lajme

Deklarata skandaloze e Daçiqit në vitin 2020: Çfarë t’u bëjmë serbëve që tregojnë ku janë varrosur shqiptarët në Serbi

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar një video me një deklaratë të mëhershme të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, duke e lidhur atë me zbulimin e një varri tjetër masiv me mbetje mortore në fshatin Jabukë të Zubin-Potokut.

Në videon e shpërndarë nga Sveçla, Daçiq dëgjohet duke thënë:

“Lërini amerikanët, gjermanët, turqit dhe të gjithë të tjerët. Çfarë do të bëjmë me serbët që u tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve se ku janë varrosur shqiptarët nëpër Serbi.”

Publikimi i videos vjen pasi Sveçla njoftoi se në Jabukë është gjetur një tjetër varr masiv me mbetje mortore, të cilat, sipas tij, u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, ai bëri të ditur se varri masiv ndodhet rreth 10 kilometra larg lokacionit në Kalludër të Zubin-Potokut, ku ditë më parë u zbuluan mbetje mortore dhe ku kërkimet ende po vazhdojnë.

Sveçla falënderoi Policinë e Kosovës, njësitë për hetimin e krimeve të luftës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorinë për punën në identifikimin e lokacioneve.

Në reagimin e tij, ai akuzoi Serbinë se vazhdon të mos ofrojë informacione për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, duke pretenduar se autoritetet serbe kërcënojnë dhe ndëshkojnë qytetarët që bashkëpunojnë për zbulimin e varreve masive.

Ministri në detyrë u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të dënojnë dhe të ndërmarrin masa ndaj Serbisë për, siç u shpreh ai, mungesën e bashkëpunimit në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Ai theksoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë kërkimet derisa të zbardhet fati i secilit person të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës, si dhe të vihen para drejtësisë përgjegjësit për krimet e kryera.

3sgIgLJ.png