Epstein ende dukej i dëshpëruar për të takuar presidentin rus…
Çfarë lidhje ka Vladimir Putin me Jeffrey Epstein? Emri i presidentit rus shfaqet më shumë se 1,000 herë në dosjet e fundit. Përfshirja e tij nuk nënkupton ndonjë shkelje dhe nuk ka prova që të dy janë takuar ndonjëherë, por duket sikur Epstein donte ta bënte këtë.
Emailet zbulojnë përpjekje të përsëritura nga i dënuari për abuzues seksual për t’u afruar me udhëheqësin e Kremlinit. Dhe ka madje edhe një skedar audio, në të cilin Epstein mund të dëgjohet duke i dhënë udhëzime dikujt se si t’i afrohet Putinit.
“Do t’i dërgoja një shënim Putinit, duke i thënë: ‘Do të largohem nga qeveria më 14 mars. Do të jem në Skandinavi, ose kam ndërmend të jem në Evropën perëndimore, veriore. Duhet të hamë darkë’. Kaq, asgjë më shumë. Duhet të jetë shumë e shkurtër”, thotë ai në regjistrim.
Përmendja e parë substanciale e Vladimir Putinit në dosjet e fundit, është nga shtatori i viti 2011. Një kontakt i paidentifikuar i referohet një takimi që Epstein tha se e kishte organizuar me Putinin më vonë atë muaj, ndërsa Putin ishte kryeministër i Rusisë. Ndërkohë, nuk ka prova që ky takim ka ndodhur dhe nuk ka detaje të tjera.
Nga viti 2013 e tutje, kohë kur Putini ishte rikthyer në presidencë, emailet tregojnë se Epstein bëri disa oferta për ta takuar atë nëpërmjet ish-kryeministrit norvegjez Thorbjorn Jagland.
-Nga Epstein me dashuri
Në maj të atij viti, Epstein i dërgoi një email Jaglandit, i cili në atë kohë shërbente si sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, duke i thënë: “E di që do të takohesh me Putinin më 20. Ai mezi pret të angazhojë investime perëndimore në vendin e tij… Unë kam zgjidhjen e tij. E pranoj që ka çështje të të drejtave të njeriut që janë në plan të parë të udhëtimit tuaj, megjithatë, nëse është e dobishme për ju, do të isha i lumtur të takohesha me të diku në qershor dhe t’ju shpjegoja zgjidhjen për prioritetin e tij kryesor, mendoj se kjo do të ishte mirë për qëllimet tuaja.”
Por duket se kjo nuk ka ndodhur kurrë. Pasi e bezdisi Jaglandin që të ndiqte çështjen brenda ekipit të Putinit, Epstein ankohet se nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Në janar të vitit 2014, Jagland i tha Epstein se do të takohej me Putinin në Soçi.
“Pse nuk vjen?” pyet ai. Nuk e dimë se çfarë ndodhi më pas.
Por në korrik të atij viti, Epstein ende dukej i dëshpëruar për të takuar presidentin rus. Në një email, një kontakt i thotë atij se nuk arriti t’i siguronte një takim me Putinin.
-“Nuk arrita ta bindja Reid të ndryshonte axhendën e tij për të shkuar të takohej me Putinin me ty“, thuhej në mesazh.
-“Ide e keqe tani pas rrëzimit të avionit”, përgjigjet Epstein, duke iu referuar fluturimit MH17 të Malaysian Airlines i cili u rrëzua mbi Ukrainën lindore tre ditë para mesazhit, duke vrarë të 298 personat në bord.
Por duket se kjo nuk e dekurajoi Epsteinin për shumë kohë. Një vit më vonë, në korrik 2015, ai i thotë Jaglandit se donte ta takonte Putinin ende.
“Do të doja ende të takohesha me Putinin dhe të flisnim për ekonominë, do ta vlerësoja shumë ndihmën tuaj”, shkruante Epstein.
Ka pasur më shumë përpjekje në vitet 2016, 2017 dhe së fundmi në qershor 2018, vetëm një rresht në një email drejtuar Jaglandit edhe një herë: “Do të doja shumë të takohesha me Putinin.“
Sigurisht që nuk është aspak e qartë këmbëngulja e Epsteinit për të takur Putinin, kjo duket se është më shumë një rast dashurie që nuk gjeti kurrë përgjigje nga krahu tjetër.
-Heshtje në Moskë
Kur u pyet për dosjet, Kremlini tha sot se nuk kishte marrë asnjë ofertë nga Epstein për një takim me Vladimir Putinin. Megjithatë, është interesante të shihet se si po e mbulon media ruse këtë histori, sepse, në fakt, nuk është kështu.
Ka shumë pak përmendje për të, dhe aty ku ka, fokusi është diku tjetër, te Bill Clinton, Peter Mandelson dhe princesha e kurorës së Norvegjisë.
Pra, edhe pse nuk ka prova apo implikime se ai është takuar ndonjëherë me Epsteinin, shfaqja e Vladimir Putinit në dosje nuk është ende diçka që Moska dëshiron ta nxjerrë në pah.
