Një katastrofë e përmasave të mëdha, e shkaktuar nga keqpërdorimi i inteligjencës artificiale, mund të tronditë botën brenda fundit të vitit 2026 ose gjatë vitit 2027. Paralajmërimi vjen nga Geoffrey Hinton, fitues i Çmimit Nobel në Fizikë në vitin 2024 dhe një prej figurave themeluese të inteligjencës artificiale moderne, i cili frikësohet se një sulm i fuqishëm kibernetik mund të detyrojë qeveritë dhe kompanitë të përballen më në fund me rreziqet e kësaj teknologjie. Në një intervistë për gazetën britanike “The Guardian”, Hinton e cilëson skenarin e mundshëm si një “Çernobil të inteligjencës artificiale”, duke iu referuar një ngjarjeje me pasoja aq të rënda, sa të shërbejë si një kambanë alarmi për të gjithë botën.
Shkencëtari sqaron se nuk bëhet fjalë për një katastrofë bërthamore, por për një sulm kibernetik që mund të paralizojë infrastrukturat jetike të një vendi.
Sipas tij, inteligjenca artificiale mund të përdoret për të goditur rrjetin elektrik, duke shkaktuar një ndërprerje masive të energjisë, ose për të paralizuar sistemin financiar për një javë të tërë. Një skenar i tillë do t’u pamundësonte miliona qytetarëve dhe bizneseve të hynin në llogaritë bankare apo të kryenin pagesa. “Do të arrinim të rikuperoheshim”, shprehet Hinton, duke theksuar megjithatë se një ngjarje e tillë do t’i detyronte autoritetet të merrnin më seriozisht rreziqet që vijnë nga inteligjenca artificiale. Paralajmërimi vjen në një kohë kur sulmet kibernetike, sabotimet dhe ndërhyrjet në infrastrukturat kritike po shtojnë shqetësimet për sigurinë.
Edhe pse nuk ka prova që episodet e fundit të jenë kryer përmes inteligjencës artificiale, kjo teknologji po përdoret gjithnjë e më shumë nga kriminelët kibernetikë dhe grupet e lidhura me shtete të ndryshme për të automatizuar sulmet, zbuluar dobësitë e sistemeve, krijuar programe keqdashëse dhe përgatitur mashtrime më bindëse.
Hinton, i cili u largua nga Google në vitin 2023, pjesërisht për të folur më lirshëm mbi rreziqet e teknologjisë në zhvillimin e së cilës kishte dhënë një kontribut të madh, nuk i kursen as kritikat ndaj drejtuesve të kompanive më të mëdha teknologjike. Ai shprehet se nuk ka aspak besim te drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, ndërsa për Mark Zuckerberg dhe Elon Musk thotë se janë të vetëdijshëm për rreziqet e teknologjisë që po zhvillojnë, por nuk shqetësohen mjaftueshëm për to. “Preferojnë paratë”, është kritika e tij ndaj drejtuesve të gjigantëve të teknologjisë.

