Lajme

Ç’dinë Trump dhe rrethi i tij që po përgatiten për më të keqen?

Miles Taylor

Ndërsa amerikanëve u bëjnë thirrje të mos shqetësohen, presidenti dhe miliarderët e teknologjisë ndërtojnë bunkerë, grumbullojnë rezerva dhe përgatiten për skenarët më të errët…

Javën e kaluar, ndodhën disa gjëra që i kisha frikë prej kohësh, gjatë gjithë karrierës sime në sigurinë kombëtare amerikane. Të premten, një matematikan i kompanisë së inteligjencës artificiale Anthropic njoftoi se kishte arritur të zgjidhte hipotezën e Riemann-it, një problem matematikor mbi numrat e thjeshtë që kishte sfiduar mendjet më të mëdha që prej vitit 1859.

Thuhet se makina zgjidhi një problem për të cilin gjeni të matematikës kishin punuar për 167 vjet, brenda vetëm gjashtë javësh. Matematikanë të pavarur kanë konfirmuar se zgjidhja duket e saktë, duke shkaktuar një revolucion në këtë fushë.

Megjithatë, njerëzit që po ndërtojnë këto sisteme nuk po festojnë. Përkundrazi, brenda kompanive të inteligjencës artificiale po shtohen shqetësimet se njerëzimi mund të humbasë kontrollin mbi teknologjinë që po zhvillohet me ritme të pakufizuara.

Drejtues të industrisë kanë paralajmëruar se është e vështirë të imagjinohet një e ardhme ku njerëzimi ruan kontrollin mbi inteligjencën artificiale. Ndërkohë, punonjës të Anthropic dhe OpenAI kanë shprehur shqetësime se modelet më të avancuara, ende të papublikuara, mund të mos jenë të sigurta për t’u vënë në dispozicion të publikut. Disa kanë frikë edhe nga aftësitë që këto sisteme po zhvillojnë larg syve të publikut.

Mendoj se kemi kaluar një pikë pa kthim dhe mund të them nga përvoja se nuk jemi gati. Në Departamentin e Sigurisë Kombëtare kam ndihmuar në përgatitjen e SHBA-së për skenarët më të këqij, nga sulmet me armë të shkatërrimit në masë dhe pandemitë, deri te goditjet ndaj rrjetit energjetik.

Në atë kohë propozova një simulim kombëtar për një skenar që pak njerëz në Uashington dëshironin ta diskutonin: Çfarë ndodh nëse një sistem i avancuar i inteligjencës artificiale del jashtë kontrollit njerëzor dhe nis të sulmojë infrastrukturën amerikane?

Ideja u përqesh dhe u cilësua si një skenar i ngjashëm me filmin “Terminator”. Në vend të tij, autoritetet zhvilluan një simulim për përballimin e një uragani. Situata është përkeqësuar me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti anuloi urdhrin e administratës së mëparshme për sigurinë e inteligjencës artificiale dhe dobësoi institucionet që mbrojnë infrastrukturën digjitale amerikane. Mijëra ekspertë janë larguar nga agjencitë federale, përfshirë Agjencinë e Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës (CISA), e cila tashmë funksionon me kapacitete shumë të kufizuara.

Në të njëjtën kohë, administrata Trump ka mbështetur interesat e industrisë së teknologjisë, duke kundërshtuar përpjekjet për vendosjen e rregullave më të rrepta mbi inteligjencën artificiale.

Shqetësime ngre edhe marrëdhënia mes Shtëpisë së Bardhë dhe kompanive të mëdha teknologjike. Nvidia, prodhuesi kryesor i çipave për inteligjencën artificiale, ka dhuruar 25 milionë dollarë për ndërtimin e sallës së re të ballove në Shtëpinë e Bardhë. Ndërkohë, janë ngritur pikëpyetje mbi zbatimin e kufizimeve amerikane për eksportin e çipave të avancuar drejt Kinës, një teknologji që mund t’i japë Pekinit avantazh në garën globale të inteligjencës artificiale.

Trump ka deklaruar gjithashtu se nën kompleksin e ri të Shtëpisë së Bardhë po ndërtohet një strukturë gjashtëkatëshe, me strehimore kundër bombardimeve dhe një spital.

Për mua, ky projekt simbolizon problemin që na ka çuar deri këtu: ndërsa institucionet publike dobësohen, elitat investojnë në mbijetesën e tyre personale. Po Trump nuk është i vetmi që po përgatitet për më të keqen.

Mark Zuckerberg, drejtuesi i Meta-s, raportohet se ka një strehim nëntokësor prej rreth 465 metrash katrorë nën pronën e tij në Havai. Sam Altman, drejtuesi i OpenAI, ka folur për grumbullimin e armëve, arit, antibiotikëve, tabletave të jodit dhe maskave kundër gazit.

Ndërsa miliarderi Peter Thiel ka tentuar të ndërtojë një strehim të tipit bunker në një kodër në Zelandën e Re. Edhe Reid Hoffman, themeluesi i LinkedIn, kishte vlerësuar disa vite më parë se rreth gjysma e miliarderëve që njihte kishin një formë sigurimi për një skenar apokaliptik.

Nuk do të gjykoja askënd për përgatitjen ndaj rreziqeve. Edhe unë po përgatitem për më të keqen. Ajo që kundërshtoj është standardi i dyfishtë. Njerëzit që u thonë qytetarëve të qetësohen dhe promovojnë një të ardhme të begatë falë inteligjencës artificiale, në të njëjtën kohë po ndërtojnë strehime nëntokësore për veten.

Kjo është elita e re e bunkerëve, njerëz që duket se besojnë se në rast katastrofe kanë më shumë të drejtë të mbijetojnë se pjesa tjetër e njerëzimit. Problemi është se përgatitja ndaj katastrofave është një e mirë publike. Ajo funksionon vetëm kur njerëzit me pushtet dhe para kanë interes që të gjithë të jenë të sigurt.

Kur elitat blejnë një rrugë personale shpëtimi, humbasin edhe motivimin për të zgjidhur problemin. Kjo logjikë të kujton garën bërthamore gjatë Luftës së Ftohtë. Nëse njëra palë beson se ka më shumë mundësi të mbijetojë, mund të jetë më e gatshme të ndërmarrë veprime të rrezikshme që mund të vrasin të gjithë të tjerët.

Pse të financosh një agjenci kombëtare të sigurisë kibernetike apo të organizosh simulime për skenarë katastrofikë, kur mund të kesh një qytet nëntokësor ku të strehohesh nëse gjithçka shkon keq?

Ndërkohë, javën e kaluar një seri ndërprerjesh dhe sulmesh kibernetike goditën shërbime të rëndësishme, nga Microsoft-i dhe sistemet bankare deri te aeroportet, institucionet federale dhe portet amerikane.

Disa raportime përmendën edhe ndërprerje në rrjetet e klasifikuara të inteligjencës. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Trump u kërkoi qytetarëve të qetësoheshin, duke siguruar se gjithçka ishte në rregull.

Britania dhe aleatët e saj, nuk duhet të presin që Amerika të marrë drejtimin në përballjen me këto rreziqe. Qeveritë duhet të vendosin kontrolle të detyrueshme mbi kompanitë e inteligjencës artificiale dhe të mos ua lënë atyre në dorë vendimin nëse teknologjia që zhvillojnë është e sigurt.

Britania, e cila organizoi samitin e parë ndërkombëtar për sigurinë e inteligjencës artificiale në Bletchley Park në vitin 2023, duhet të bashkëpunojë me vendet europiane, Kanadanë dhe Japoninë për të vendosur rregulla të përbashkëta dhe kufij të qartë për zhvillimin e kësaj teknologjie.

Qeveritë duhet gjithashtu të organizojnë simulime të rregullta, ku shërbimet e sigurisë dhe kompanitë teknologjike të përballen me skenarë ku një sistem inteligjent del jashtë kontrollit. Këto ushtrime duhet të zhvillohen disa herë në vit.

Inteligjenca artificiale po përparon brenda javësh, ndërsa përgjigjja e institucioneve mund të kërkojë vite. Bunkeri i Trumpit mund të jetë gati për ta pritur presidentin amerikan, por është e vështirë t’u kërkosh të tjerëve të qëndrojnë të qetë kur nuk ekziston një plan më i madh për sigurinë e të gjithëve./ “The Intelligent Paper”

Shënim: Miles Taylor, ish-shef i kabinetit të Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare, autor dhe komentator politik.

3sgIgLJ.png