Shkup – Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar vendosjen e standardit të ri “Butoni i Verdhë”, përmes të cilit qytetarët do të kenë mundësi të qasen lehtësisht, në mënyrë të sigurt dhe transparente në të dhënat e tyre shëndetësore – si gjendja e përgjithshme shëndetësore, raportet mjekësore, alergjitë dhe intolerancat, terapitë aktuale, rezultatet diagnostike, statusi imunitar dhe të tjera.
“Këto të dhëna do të shfaqen në një format të ngjashëm me ‘pasaportë të të dhënave shëndetësore’ – një dokument teknikisht i unifikuar dhe universal i kuptueshëm, që përmbledh informacionet më të rëndësishme për pacientin”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Funksionaliteti i ri do të jetë i qasshëm për qytetarët përmes platformës “Termini Im” deri në fund të vitit 2025, duke kontribuar drejtpërdrejt në menaxhimin më të sigurt të të dhënave personale, përkujdesje më të mirë dhe shkëmbim më të lehtë të informacionit shëndetësor brenda dhe jashtë vendit.