Gjashtë vite pas Brexit-it, kryeministri britanik Andy Burnham po shqyrton mundësinë e afrimit me Bashkimin Europian, pa përjashtuar rikthimin e plotë në bllok në të ardhmen. Nisma ka marrë sinjale pozitive nga Brukseli, por po shkakton kundërshtime brenda qeverisë dhe Partisë Laburiste…
Kryeministri britanik Andy Burnham po shqyrton një afrim të ri me Bashkimin Europian, duke rikthyer në debatin politik mundësinë e anëtarësimit të Britanisë në bllokun europian, gjashtë vite pas Brexit-it. Sipas një analize të gazetës britanike The Times, Burnham po përgatitet të paraqesë këtë javë një plan më të detajuar për marrëdhëniet e ardhshme me Brukselin, pas kontakteve me disa udhëheqës europianë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron.
Nisma është mirëpritur nga drejtuesit e BE-së, por po përballet me rezistencë brenda qeverisë britanike dhe Partisë Laburiste. Një pjesë e deputetëve shqetësohen se rihapja e çështjes së anëtarësimit mund të rikthejë përçarjet politike që shoqëruan referendumin e vitit 2016. Në fazën e parë, qeveria britanike synon një marrëveshje që do të lehtësonte bashkëpunimin ekonomik dhe politik me Bashkimin Europian.
Diskutimet përfshijnë krijimin e mundësive më të mëdha për të rinjtë britanikë dhe europianë që të punojnë apo studiojnë në vendet përkatëse, integrimin më të ngushtë të tregjeve të energjisë dhe përafrimin e rregullave në sektorët e ushqimit dhe bujqësisë.
Një tjetër çështje është përfshirja e Britanisë në nismën industriale europiane “Made in Europe”. Megjithatë, Brukseli mund të kërkojë kushte shtesë, përfshirë masa tregtare ndaj automjeteve elektrike kineze.
Burnham nuk përjashton rikthimin e plotë në BE
Ambiciet e kryeministrit britanik shkojnë përtej marrëveshjeve ekonomike. Burnham ka hapur diskutimin për disa alternativa afatgjata, nga rikthimi në tregun e përbashkët europian dhe bashkimin doganor, deri te anëtarësimi i plotë i Britanisë në Bashkimin Europian.
Megjithatë, një nga pengesat kryesore mbetet qëndrimi i elektoratit laburist. Sipas të dhënave të organizatës kërkimore More in Common, nga 411 zonat elektorale që Partia Laburiste fitoi në zgjedhjet e fundit, 256 kishin votuar në favor të Brexit-it në referendumin e vitit 2016.
Kjo do të thotë se rreth 62% e zonave që përfaqësohen nga deputetët laburistë kishin mbështetur largimin nga Bashkimi Europian. Drejtuesi i organizatës, Luke Tryl, paralajmëron se mbështetja e qytetarëve për afrimin me BE-në mund të ndryshojë kur të bëhen të qarta kostot dhe detyrimet e një marrëveshjeje të re.
Një nga çështjet më të ndjeshme mund të jetë kontributi financiar që Britania do të duhet të paguajë në buxhetin europian.
Kundërshtime brenda qeverisë britanike
Rezervat për një afrim më të thellë me Brukselin nuk kufizohen vetëm te deputetët laburistë. Sipas The Times, kryeministri u ka dërguar një letër ministrave, duke u kërkuar të shmangin deklaratat publike për alternativat e ardhshme të marrëdhënieve me BE-në, ndërsa qeveria vijon shqyrtimin e tyre.
Ndjeshmërinë politike të kësaj çështjeje e tregon edhe fakti se 19 nga 27 anëtarët e kabinetit përfaqësojnë zona elektorale që votuan për largimin nga Bashkimi Europian.
Mes figurave që mund të tregohen të kujdesshme ndaj rihapjes së debatit përmenden kancelari i Thesarit John Healey dhe ministrja Angela Rayner. Të dy kishin shprehur më herët rezerva për organizimin e një referendumi të dytë gjatë periudhës kur Jeremy Corbyn drejtonte Partinë Laburiste.
Edhe figura të tjera të rëndësishme të partisë, përfshirë Louise Haigh, Lucy Powell dhe Lisa Nandy, mund të kërkojnë kujdes përpara se laburistët të angazhohen për një rikthim të mundshëm në BE.
Kryeministri: Brexit-i ishte më i ashpër nga sa kërkuan qytetarët
Gjatë një mbledhjeje të kabinetit, Burnham mbrojti nevojën për të rishikuar marrëdhëniet me Brukselin, duke argumentuar se marrëveshja e Brexit-it kishte shkuar përtej asaj që qytetarët kishin kërkuar në referendumin e vitit 2016.
“Besoj fuqimisht se kemi përfunduar me një Brexit më të ashpër nga ai për të cilin votuan njerëzit”, citohet të ketë deklaruar kryeministri britanik.
Ai kritikoi gjithashtu marrëveshjen që negociuan konservatorët, duke argumentuar se ajo nuk po funksionon në interes të vendit. Megjithatë, Burnham ka theksuar se gjatë mandatit aktual do të respektojë programin elektoral të Partisë Laburiste, i cili përjashton rikthimin në tregun e përbashkët europian, bashkimin doganor dhe rivendosjen e lëvizjes së lirë të njerëzve. Për këtë arsye, ndryshimet më të mëdha në marrëdhëniet me Brukselin, përfshirë anëtarësimin e mundshëm të Britanisë në Bashkimin Europian, mbeten pjesë e një diskutimi afatgjatë.

