Lajme

Ben Blushi: Ëndrra e islamikëve, të rrëzojnë Skënderbeun në shesh!

Skënderbeu është armiku kryesor i islamikëve të Shqipërisë. Jo i myslimanëve, i islamikëve. Ata e urrejnë atë sepse ai përfaqëson rezistencën ndaj Perandorisë Osmane dhe mbrojtjen e identitetit europian të shqiptarëve.

Shkrimtari, gazetari dhe ish-politikani Ben Blushi, në një intervistë të fundit ka mbajtur qëndrime të mprehta dhe kritike mbi zhvillimet e medias, radikalizmin fetar, historinë kombëtare dhe hapat e frikshëm të teknologjisë.

Duke e nisur nga media, profesioni i tij i hershëm, Blushi theksoi se cilësia e gazetarisë në Shqipëri ka pësuar një rënie drastike krahasuar me dekadat e kaluara. Ai u shpreh se rreth 70% e gazetarëve sot aplikojnë metodën “copy-paste”, duke u kthyer në thjesht “mikrofona shëtitës” që u mungon formimi i thellë. Sipas tij, kjo krizë thellohet edhe nga vetë publiku, ku rreth 90% e njerëzve informohen vetëm duke lexuar titujt.

Gjatë bisedës me gazetarin Arbër Hitaj në “Albania News Cast”, një vëmendje e madhe iu kushtua debatit rreth librit të tij “Unë jam mysliman” dhe akuzave për islamofobi. Duke i hedhur poshtë këto etiketime, ish-deputeti sqaroi se gjysma e familjes së tij i përket besimit mysliman dhe theksoi se bashkëjetesa në Shqipëri nuk është në rrezik nga besimtarët e thjeshtë.

Megjithatë, ai paralajmëroi se rreziku i vërtetë vjen nëse lëvizjet e radikalizuara tentojnë të cënojnë themelet e shtetit laik. Në lidhje me historinë, ai mbrojti figurën e Skënderbeut, duke argumentuar se heroi kombëtar sulmohet nga grupet ekstremiste pikërisht sepse ishte ai që ruajti orientimin europian të kombit shqiptar kundër Perandorisë Osmane.

-Takohemi pas shumë vitesh. Nuk do flasim për politikë sot, por do flasim për çështje që ndoshta janë më të rëndësishme se politika. Fillimisht dua të ndalem tek media. Ti je një njeri që e njeh median shumë mirë. Si ka evoluar media në sytë e Ben Blushit në vitet e fundit sidomos, dhe gazetarët janë më cilësorë tani apo kanë qenë më cilësorë atëherë?

Pyetje e vështirë kjo… gazetarët kanë qenë më mirë përpara. Kjo kryesisht për shkak të shkollës. Shkolla ka qenë më e fortë në Shqipëri para 30-40 vitesh. Njerëzit që dilnin nga shkolla ishin pak më të formuar se sot. Kështu që sot mund të gjesh gazetarë që nuk e dinë çfarë ka ndodhur para 10 vjetësh në Shqipëri. Janë thjesht mikrofona shëtitës. Sot 70% e gazetarëve janë copy-paste. Pra, në qoftë se ti punon në një portal, bën copy-paste shkrimin e një portali tjetër, ndryshon pak titullin dhe merr rrogën. Unë vë bast sot që 90% e njerëzve lexojnë vetëm titujt.

-Dua të ndalem pak te një element tjetër, feja, letërsia dhe dua të kalojmë pak tek libri “Unë jam mysliman”. Është një libër provokativ, ka ngjallur shumë reagime. Të gjithë më thonë që Blushit është natyrë që i ka qejf të provokojë debatin. Të është kthyer në bezdi, në shqetësim në momente të caktuara, reagimet nga grupe të caktuara?

Jo shumë. Jam mësuar me këtë gjë. Më akuzojnë për gjëra që s’mund t’i bëja as sikur të kisha më shumë fuqi. Por në Shqipëri është një falangë njerëzish… janë disa të dëshpëruar, ca islamikë, për fat të keq, disa njerëz që mendojnë akoma që Shqipëria është një rend komunist. Këta kanë vetëm një punë, të shajnë në Facebook. Kur futem në atë pyllin e Facebook-ut, unë jam një kafshë e stërvitur.

-A e sheh problematike të ardhmen, sidomos me pjesën e radikalizmit islamik?

Radikalizmi islamik sot është më problem në Angli se në Shqipëri. Pse? Sepse ato janë shoqëri që nuk e njohin islamin. Për shqiptarët kjo s’është problem, ne kemi 500 vjet që bashkëjetojmë me islamin. Unë e kam problem vetëm në një pikë: nëse këto grupe të frymëzuara fetare do ndërmerrnin një aksion politik që do të cënonte liritë tona laike. Deri në pikën që të drejtat fetare nuk cënojnë shtetin laik, unë s’kam asnjë problem. Në momentin që shteti laik kërcënohet, aty fillon problemi.

-Kthehemi përsëri tek situata në vend. Ka raporte me disa komunitete, ka shumë kritika që lexoj në rrjetet sociale ndaj Ben Blushit… islamofob. Të quajnë islamofob. A është Ben Blushi islamofob apo jo?

Jo, unë nuk jam islamofob se unë jetoj me myslimanë. Gjysma e familjes sime janë myslimanë. Gjyshi im ka qenë mysliman, gjyshja e fëmijëve të mi është myslimane. Problemi është që islami erdhi në Shqipëri me pushtuesit. Nuk erdhi në mënyrë të natyrshme. Dhe njerëzit refuzojnë ta pranojnë këtë fakt historik.

-Meqë jemi te historia, dua të ndalem pak te Skënderbeu. Vërtet ka mllef nga disa besimtarë ndaj tij?

Skënderbeu është armiku kryesor i islamikëve të Shqipërisë. Jo i myslimanëve, i islamikëve. Ata e urrejnë atë sepse ai përfaqëson rezistencën ndaj Perandorisë Osmane dhe mbrojtjen e identitetit europian të shqiptarëve. Ne jemi popull europian, jemi të integruar, edhe pse u mbajtëm mbrapa nga 500 vite pushtim. Ideali i tyre është te shkojnë ne sheshin ‘Skënderbej’, t’i vendosin një lak ta rrëzojnë. Këtë përshkruaj paka shumë te “Jam Mysliman”. 

-Cilat janë rreziqet kryesore që shikoni për Shqipërinë sot?

Pabarazia dhe injoranca. Këto janë dy rreziqet më të mëdha. Kemi një hendek social të jashtëzakonshëm ku shumë pak njerëz pasurohen dhe një shumicë mbetet pas. Dhe sistemi ynë arsimor po prodhon injorancë.

-Çfarë mendimi keni për inteligjencën artificiale, si ChatGPT?

Mua ChatGPT nuk më pëlqen. Më duket shumë i majtë, i anshëm dhe manipulator. Unë përdor Grok nga Elon Musk dhe Gemini nga Google. Por frika ime është se Inteligjenca Artificiale do të zëvendësojë shumë shpejt njerëzit në punë, madje do ishte më mirë të zëvendësonte edhe politikanët apo kryetarët e bashkive. Një robot nuk do të korruptohej, nuk do të kërkonte ryshfet dhe do të pastronte qytetin më mirë se njerëzit.

-Kur do të flasë Ben Blushi për politikën e këtyre viteve? A keni ndërmend të riktheheni në 2026?

Unë jam i ri, nuk kam arsye të tregoj kujtime apo të shkruaj memuare për politikën tani. Nuk e kam atë dëshirë për momentin. E vetmja gjë që më mungon është foltorja e Parlamentit, ku mund të flisja lirshëm. Për të tjerat, nuk kam ndonjë nostalgji.

3sgIgLJ.png