Nathalie Tocci
Kërcënimi më i madh për kontinentin nuk është një marrëveshje mes Uashingtonit dhe Moskës për ndarjen e sferave të ndikimit, por bindja se Evropa nuk mund të vendosë vetë për fatin e saj. Takimi i Shenzhenit nuk ishte një Jaltë e re. As Trump dhe as Putini nuk kanë fuqinë t’i imponojnë vullnetin e tyre kontinentit…
Takimi i parë trepalësh mes Xi Jinpingut, Donald Trumpit dhe Vladimir Putinit ishte i pasur me simbolikë, por pothuajse bosh në përmbajtje. Për shumë evropianë, të shqetësuar nga mundësia që presidentët e Kinës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të bashkërendonin interesat e tyre, ai solli ndër mend Konferencën e Jaltës të vitit 1945, kur Josif Stalin, Uinston Çërçill dhe Frenklin D.Ruzvelt përcaktuan fatin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.
Por ata, veçanërisht në Evropën Lindore, që druhen se historia mund të përsëritet dhe se kontinenti mund të tradhtohet sërish, duhet të kujtojnë një të vërtetë: sot, kur bëhet fjalë për sigurinë evropiane, pjesa më e madhe e kartave janë në duart e vetë Evropës.
Madje, një takim shumë më domethënës se ai i Shenzhenit u zhvillua në Berlin, pikërisht në të njëjtën kohë. Është e vërtetë se në Shenzhen u mblodhën tre udhëheqës autoritarë, të cilët do të dëshironin ta ndanin botën në zona ndikimi.
Por takimi i tyre nuk ishte aspak një Jaltë e dytë. Konferenca e vitit 1945 u zhvillua në fund të një lufte botërore, në një kohë kur e drejta ndërkombëtare dhe institucionet shumëpalëshe ishin ende një ëndërr e largët.
Bota jetonte në epokën e perandorive, kolonitë kontrolloheshin nga fuqitë evropiane, ndërsa Bashkimi Sovjetik synonte të konsolidonte sundimin e vet në Evropën Lindore. Në ato rrethana, ishte e kuptueshme që fituesit e luftës, SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik, të mbanin në duart e tyre çelësat e së ardhmes së kontinentit.
Asgjë e ngjashme nuk mund të ndodhte në Shenzhen, as nuk do të ndodhë në ndonjë takim të ardhshëm mes Xi-së, Trumpit dhe Putinit. Dy prej tyre, Putini dhe Trump, nuk kanë arritur të fitojnë luftërat që kanë nisur kundër Ukrainës dhe Iranit.
I treti, Xi, është dukshëm më i fuqishmi mes tyre, por deri tani po përfiton kryesisht nga gabimet e jashtëzakonshme të aleatëve të tij amerikanë dhe rusë. Kjo nuk do të thotë se të tre janë të parëndësishëm për sigurinë e Evropës.
Rusia dhe SHBA-ja, zotërojnë arsenalet më të mëdha bërthamore në botë. Nëse Trump, Putin dhe Xi do të kishin rënë dakord për kontrollin e armëve bërthamore, siç dëshironte presidenti amerikan, Evropa dhe pjesa tjetër e botës do ta kishin përshëndetur një marrëveshje të tillë.
Por udhëheqësit rusë dhe kinezë nuk kishin arsye që t’ia plotësonin këtë dëshirë lideri amerikan. Armët bërthamore, janë arsyeja e vetme që Putini mund të pretendojë ende një vend në tryezën e fuqive të mëdha. Pa to, Rusia do të ishte një fuqi e dorës së dytë.
Ndërkohë, Kina, në garën e saj për t’u bërë superfuqi, po e zgjeron me shpejtësi arsenalin e saj bërthamor për t’u afruar me SHBA-në dhe Rusinë. Rusia, Kina dhe SHBA-ja kanë peshë edhe në fusha të tjera të sigurisë. Rusia e Putinit vazhdon agresionin ushtarak kundër Ukrainës, e cila po përgatitet për dimrin më të vështirë që nga nisja e pushtimit rus.
Ndërkaq, sulmet kibernetike, depërtimet me dronë, sabotimet, goditjet ndaj infrastrukturës kritike dhe fushatat e dezinformimit ruse në vende të ndryshme të Evropës janë shtuar aq shumë, saqë termat “luftë hibride” apo edhe “luftë në hije” nuk e përshkruajnë më plotësisht realitetin. Ndoshta do të ishte më e ndershme që kjo të quhej thjesht ajo që është: lufta e Rusisë kundër Evropës. Moska nuk po e zhvillon e vetme këtë përballje. Kina nuk është pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë në luftë, por i ka ofruar Rusisë mbështetje ekonomike dhe teknologjike, thelbësore për funksionimin e makinerisë së saj ushtarake.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të tyre, nuk ka shenja se Ukraina apo ndonjë vend tjetër evropian do të dorëzohet. Kjo ndodh edhe pse administrata Trump pothuajse ka kaluar në anën e kundërt: Uashingtoni nuk i ofron më Ukrainës mbështetjen ekonomike dhe ushtarake që i jepte më parë.
SHBA-ja vazhdon të bashkëpunojë me Kievin në fushën e inteligjencës dhe komunikimeve satelitore, por ka tentuar ta detyrojë Ukrainën të pranojë kushtet e saj, duke ndërprerë ose ngadalësuar përkohësisht këto shërbime.
Uashingtoni ka ende mundësi t’i shkaktojë dëme të mëdha Ukrainës dhe Evropës. Por gjatë dy viteve të fundit Trump nuk ka arritur ta nënshtrojë Kievin. Pas humbjes së rëndë të Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, hapësira e tij për ta imponuar këtë synim në dy vitet e ardhshme është edhe më e kufizuar.
Trump, Putini dhe Xi mund të dëshirojnë një botë, ku sa për të perifrazuar Tukididin, të fortët bëjnë çfarë munden, ndërsa të dobëtit vuajnë atë që u imponohet. Marrëveshja e tyre në Shenzhen, për të kundërshtuar atë që e cilësojnë si tejkalim të kompetencave të gjykatave ndërkombëtare është domethënëse.
Këto institucione janë krijuar enkas për të kundërshtuar parimin se forca përcakton të drejtën.
Por këta tre udhëheqës nuk janë aq të fuqishëm sa duan të duken, ndërsa bota e sotme nuk është një hapësirë pa rregulla, ku fuqitë e mëdha mund të vendosin pa kundërshtim, si në kohën e Ruzveltit, Çërçillit dhe Stalinit.
E drejta ndërkombëtare dhe bashkëpunimi shumëpalësh po sulmohen, por nuk kanë vdekur. Ndërkohë, fuqitë e mesme të Jugut Global po rriten dhe po kërkojnë një rol më të madh në vendimmarrjen ndërkombëtare.
Edhe Evropa, pavarësisht kërcënimeve serioze të sigurisë me të cilat përballet, ka më shumë ndikim dhe mundësi veprimi nga sa priret të mendojë. Takimi i javës së kaluar në Berlin, ku përfaqësues të 36 vendeve të koalicionit të të gatshmëve, të udhëhequr nga Franca dhe Britania e Madhe, u mblodhën për të forcuar mbështetjen ndaj Ukrainës, ishte një dëshmi konkrete e këtij potenciali.
Në krahasim me të, fjalët e takimit të Shenzhenit mbetën kryesisht simbolike. Në Berlin u ra dakord që të mbulohet hendeku financiar me të cilin Ukraina përballet në vitin 2027. Bashkimi Evropian ka premtuar 45 miliardë euro shtesë, ndërsa 25 miliardë euro të tjera pritet të sigurohen nga vende të koalicionit që nuk janë anëtare të BE-së, si Britania e Madhe, Norvegjia dhe Kanadaja.
Në dalli nga hera e kaluar, kur BE-ja miratoi një kredi për Ukrainën të garantuar nga buxheti i përbashkët, duke u lejuar Hungarisë dhe Sllovakisë të qëndronin jashtë saj, këtë herë Brukseli nuk duket i gatshëm të tolerojë përjashtime.
Negociatat për buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së po hyjnë në një fazë vendimtare dhe Gjermania, kontribuesja më e madhe neto në buxhetin evropian, ka paralajmëruar se nuk do të mbështesë një marrëveshje buxhetore nëse të gjitha vendet anëtare nuk angazhohen për mbështetjen e Ukrainës.
Problemi kryesor i Evropës nuk është material, por politik e mbi të gjitha, psikologjik. Është ajo që mund të quhet pafuqia e mësuar: bindja e krijuar me kalimin e kohës se Evropa nuk mund të veprojë pa miratimin e SHBA-së dhe se në fund, vendimet për fatin e saj do të merren gjithmonë në Uashington ose në Moskë.
Pikërisht kjo ndjenjë ushqen frikën e një Jalte të re dhe të një tradhtie tjetër. Dhe kjo sepse Evropa vazhdon t’i marrë aq shumë seriozisht negociatat e stisura të paqes mes Trumpit dhe Putinit, saqë harxhon kaq shumë kohë duke debatuar se kush duhet ta përfaqësojë në atë tryezë. Në vend që të përqendrohet te forcimi i kapaciteteve të veta dhe te mbështetja konkrete për Ukrainën, ajo rrezikon të mbetet peng i një procesi ku të tjerët pretendojnë se mund të vendosin për të.
Asnjë plan paqeje i imponuar nga Putini dhe Trumpi nuk do të sigurojë kapitullimin e Ukrainës, e aq më pak do të përcaktojë një arkitekturë të re të sigurisë për Evropën. Të dy, të vetëm, nuk e kanë fuqinë për t’ia imponuar vullnetin e tyre kontinentit.
Sa më shumë energji të investojë Evropa në zbatimin e planeve dhe angazhimeve të koalicionit të vullnetmirëve dhe sa më pak kohë të harxhojë duke ndjekur dy udhëheqësit në Moskë dhe Uashington, aq më të mëdha do të jenë shanset për një të ardhme më të sigurt dhe më paqësore për kontinentin./Pamfleti nga “The Guardian”
Shënim: Nathalie Tocci, profesoreshë në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins në Evropë.

