Lajme

“Armët sekrete” të Zelensky-t që i hapën rrugën drejt Shtëpisë së Bardhë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, udhëtoi të hënën, 18 gusht, drejt Shtëpisë së Bardhë për takimin me Donald Trump, duke sjellë dy “armë të fshehta”, një shkop golfi për presidentin amerikan dhe një letër nga gruaja e tij, Olena, drejtuar Melania Trump.

Sipas Politico, shkopi i golfit ishte një dhuratë simbolike, e dhënë më parë Zelenskyt nga Konstantin Kartavchev, një nënoficer i ri që humbi këmbën gjatë fazave të para të pushtimit rus, duke shpëtuar shokët e tij.

Zyra e presidentit ukrainas theksoi se golfi kishte qenë pjesë e rehabilitimit të Kartavchevit, i cili regjistroi një mesazh për Trump, duke kërkuar mbështetje për Ukrainën dhe për të kontribuar në një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

Njëkohësisht, Zelensky dorëzoi Trump një letër nga zonja e parë e Ukrainës, Olena, drejtuar Melania Trump, duke e falënderuar për përpjekjet e saj për të ushtruar presion ndaj presidentit rus Vladimir Putin për kthimin e 20,000 fëmijëve të rrëmbyer ukrainas tek familjet e tyre.

“Do të doja të falënderoja gruan tuaj. Ajo dërgoi një letër që lidhej me fëmijët tanë dhe zonja e parë e Ukrainës i dërgoi një përgjigje”, deklaroi Zelensky gjatë dorëzimit të letrës.

Nga ana e tij, Zelensky nuk u largua me duar bosh. Trump regjistroi një video falenderimi për Kartavchevin dhe i dhuroi presidentit ukrainas një set simbolik çelësash të Shtëpisë së Bardhë.

Takimi pati një atmosferë dukshëm të ndryshme nga ai i shkurtit. Këtë herë, Zelensky zgjodhi një qasje të re, ai shfaqej me mbështetje europiane dhe i veshur me kostum që përmbante elemente ushtarake.

Gjatë deklaratave për gazetarët, presidenti ukrainas kujdesej të falënderonte shpesh Trump, duke shmangur kundërshtimin kur ky pretendoi gabimisht se SHBA-ja kishte dhënë 300 miliardë dollarë ndihmë për Kievin, ndërsa shifra reale është rreth 115 miliardë euro për periudhën 2022–2025, sipas Politico.

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif