Një operacion i gjerë i inteligjencës ushtarake ruse ka vënë në shënjestër 13 vende të NATO-s dhe Ukrainën, duke hakuar kamera sigurie, kompani logjistike dhe sisteme teknologjike për të monitoruar lëvizjen e armëve. Zbulimi vjen në një kohë kur edhe Shqipëria po zgjeron rrjetin e kamerave inteligjente me projektin “Smart City”, ndërsa ende mban pasojat e sulmeve kibernetike të vitit 2022.
Një raport i përbashkët i agjencive të inteligjencës dhe sigurisë kibernetike të Shteteve të Bashkuara, Holandës dhe disa vendeve evropiane ka zbuluar një nga operacionet më të mëdha të spiunazhit kibernetik të viteve të fundit, të organizuar nga shërbimi ushtarak rus i inteligjencës GRU.
Sipas raportit, njësia 26165 e GRU-së, e njohur në botën e sigurisë kibernetike edhe me emrat APT28, Fancy Bear, Forest Blizzard apo BlueDelta, ka zhvilluar që prej fillimit të luftës në Ukrainë një fushatë të koordinuar sulmesh ndaj infrastrukturës civile dhe teknologjike në vendet e NATO-s.
Objektivi nuk kanë qenë vetëm serverët qeveritarë apo rrjetet ushtarake.
Hakerët rusë kanë depërtuar në kompani logjistike, porte, aeroporte, kompani teknologjike, sisteme të kontrollit të trafikut ajror, operatorë transporti detar e hekurudhor, por edhe në kamera sigurie dhe zile inteligjente të vendosura në banesa dhe biznese private.
Qëllimi ishte mbledhja e informacionit mbi lëvizjen e pajisjeve ushtarake, armëve dhe ndihmës që vendet e NATO-s dërgonin drejt Ukrainës.
Raporti përmend se operacioni ka pasur objektiva në Bullgari, Çeki, Francë, Gjermani, Greqi, Itali, Moldavi, Poloni, Rumani, Sllovaki, Holandë, Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainë, ndërsa hetimet vijojnë edhe për vende të tjera partnere të Aleancës.
Sipas agjencive perëndimore, hakerët përdornin një kombinim teknikash si password spraying, spear-phishing, email të infektuar dhe komprometimin e llogarive Microsoft Exchange për të marrë kontrollin mbi rrjetet kompjuterike.
Një pjesë e rëndësishme e operacionit ishte marrja nën kontroll e kamerave IP të lidhura me internetin.
Shërbimet holandeze të inteligjencës konfirmuan se një numër kamerash të vendosura përgjatë korridoreve ushtarake në Holandë ishin hakuar dhe përdoreshin për të parë në kohë reale lëvizjen e autokolonave dhe pajisjeve ushtarake. Në shumicën e rasteve, pronarët e kamerave nuk kishin dijeni se pajisjet e tyre ishin komprometuar.
Sipas hetimit, shumica e kamerave të hakuara ishin pajisje të lira të prodhuara në Kinë, kryesisht të markave Hikvision dhe Dahua, të cilat përdornin ende fjalëkalimet e fabrikës ose versione të vjetra të programeve të sigurisë.
Raporti thekson se pas dështimit të ofensivës së shpejtë ushtarake në Ukrainë dhe rritjes së ndihmës perëndimore për Kievin, GRU zgjeroi operacionet e saj nga objektivat ushtarake drejt infrastrukturës civile që mbështeste logjistikën e NATO-s. Përmes kamerave dhe sistemeve të monitorimit, inteligjenca ruse kërkonte të identifikonte llojin e armëve që transportoheshin, itineraret e lëvizjes dhe kohën e mbërritjes së tyre.

