Lajme

AI po transformon avokatinë, Anthropic zgjeron Claude për sektorin juridik

Industria e shërbimeve ligjore me inteligjencë artificiale po hyn në një fazë të re gare intensive dhe Anthropic po futet zyrtarisht në këtë treg. Kompania njoftoi një seri funksionesh të reja për Claude, të dizajnuara posaçërisht për firma ligjore dhe avokatë.

Anthropic tha se po zgjeron “Claude for Legal”, platformën e saj për sektorin juridik, duke shtuar integrime me shërbime të njohura si Westlaw i Thomson Reuters, Everlaw, DocuSign, Box dhe startup-in Harvey, që fokusohet te AI për avokatinë. Përmes këtyre lidhjeve, përdoruesit mund të bëjnë kërkime ligjore, të analizojnë kontrata dhe të menaxhojnë dokumente pa dalë nga Claude.

Kompania prezantoi gjithashtu 12 “plug-ins” të rinj juridikë, me funksione që variojnë nga asistenca për litigje dhe kontrata tregtare deri te compliance dhe kërkimet ligjore. Këto mjete mund të përdoren direkt në Claude Cowork ose të integrohen në sistemet e brendshme të firmave ligjore.

Sipas Anthropic, interesi për AI në industrinë ligjore po rritet me ritme shumë të shpejta. Kompania tha se një webinar i fundit për teknologjinë ligjore tërhoqi më shumë se 20 mijë regjistrime, duke treguar se firmat ligjore po kërkojnë gjithnjë e më shumë automatizim për punë si analizimi i kontratave, kërkimi i precedentëve dhe përgatitja e dokumenteve.

Mark Pike, këshilltar ligjor në Anthropic, e krahasoi teknologjinë e re me “dhënien e një diplome juridike një inxhinieri”, duke sugjeruar se AI po bëhet gjithnjë e më e aftë për të kryer detyra komplekse që deri tani kërkonin ekspertizë të specializuar njerëzore.

Zhvillimi vjen në një moment kur tregu i “legal AI” po tërheq investime të mëdha dhe konkurrenca po intensifikohet. Startup-e si Harvey dhe Legora kanë fituar terren, ndërsa kompani tradicionale si Thomson Reuters po ndërtojnë produktet e tyre AI për të mos humbur terren ndaj gjeneratës së re të mjeteve automatike.

TechCrunch vëren se sektori ligjor shihet si një nga tregjet më fitimprurëse për AI, sepse puna juridike mbështetet shumë te dokumentet, kërkimi dhe analiza tekstuale, fusha ku modelet gjeneruese kanë performancë të fortë. Kjo ka nxitur një garë mes kompanive të AI për të siguruar partneritete me firmat më të mëdha ligjore dhe ofruesit e databazave juridike./ TECHCRUNCH

3sgIgLJ.png