Pas Chair Airlines, edhe operatori skandinav Ving anulon programin veror drejt Vlorës për shkak të mungesës së certifikimeve dhe moshapjes së aeroportit
Përplasja mes ortakëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës po kthehet në pengesën kryesore për vënien në funksion të një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend.
Konflikti mes kompanisë zvicerane “Mabco Constructions”, të lidhur me biznesmenin Behgjet Pacolli, dhe shoqërisë shqiptare “2A Group” ka sjellë bllokim të punimeve, vonesa në procesin e certifikimit dhe po detyron gjithnjë e më shumë kompani ajrore e operatorë turistikë të anulojnë fluturimet e planifikuara drejt Vlorës.
Pas Chair Airlines, e cila anuloi linjën Zyrih–Vlorë, edhe operatori skandinav Ving ka hequr dorë nga programi veror për Shqipërinë, pasi aeroporti nuk ka marrë ende certifikimet dhe miratimet e nevojshme për trafikun ajror ndërkombëtar.
Sipas një artikulli të publikuar nga media daneze BT.dk, operatori turistik Ving, ka anuluar programin e tij veror për Shqipërinë, i cili parashikonte fluturime direkte charter nga Oslo drejt aeroportit të ri të Vlorës.
Nga Vlora, turistët do të udhëtonin më pas drejt destinacioneve si Orikumi, Saranda dhe Dhërmiu. Por plani nuk arriti të realizohej, pasi aeroporti nuk mori certifikimet dhe miratimet e nevojshme për operime ndërkombëtare.
Si pasojë, kompania ajrore Sunclass Airlines, pjesë e programit të Ving, nuk mundi të kryente fluturimet e parashikuara dhe i gjithë programi veror u anulua.
Sipas raportimit, kjo nismë përfshinte jo vetëm nisje nga Norvegjia, por edhe nga Danimarka dhe Suedia përmes Nordic Leisure Travel Group, ku bën pjesë Ving.
Drejtuesja e Ving për Norvegjinë, Marie-Anne Zachrisson, e ka cilësuar vendimin si të trishtë, duke deklaruar se kompania do ta shtyjë programin derisa të ketë siguri se aeroporti i Vlorës është plotësisht operacional.
Të gjithë klientëve që kishin rezervuar pushime në Shqipëri përmes Ving u janë kthyer paratë dhe u është ofruar ndihmë për të gjetur një destinacion tjetër. Kompania nuk ka bërë të ditur numrin e udhëtarëve të prekur.
Ky është një tjetër sinjal i qartë se vonesat në hapjen e aeroportit po prodhojnë kosto reale për turizmin dhe besueshmërinë e projektit. Më herët, edhe kompania zvicerane Chair Airlines anuloi planet për fluturime në linjën Zyrih–Vlorë, duke i zhvendosur ato drejt Ohrit.
Aeroporti i Vlorës ishte parashikuar të shërbente si porta kryesore ajrore për jugun e Shqipërisë, në një kohë kur vendi po njeh rritje të fortë të turizmit dhe po promovohet gjithnjë e më shumë si alternativë më ekonomike ndaj destinacioneve si Italia, Kroacia dhe Greqia.
Megjithatë, konflikti mes aksionerëve të kompanisë koncesionare, bllokimi i punimeve dhe mungesa e certifikimeve kanë bërë që projekti të mbetet ende jashtë funksionit.
Në këto kushte, aeroporti që pritej të sillte më shumë turistë në jug të vendit po kthehet në një burim pasigurie për kompanitë ajrore, operatorët turistikë dhe vetë sezonin veror.

