Lajme

Universiteti i Tetovës i promovoi rreth 1000 absolventë, të pranishëm edhe Joseph J. DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi

Në Universitetin e Tetovës, sot është mbajtur ceremonia e absolventëve që i përfunduan studimet në vitin akademik 2024/2025. Rreth një mijë prej tyre kanë diplomuar në programet studimore të 13 njësive akademike të Universitetit të Tetovës. Në këtë veprimtari ku ishin të pranishëm absolventët e këtij viti dhe prindërit e tyre, fillimisht fjalë rasti mbajti Prorektorja për Financa e Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Aida Baftjari – Yzeiri. Ajo ngjarjen e sotme e cilësoi një nga momentet më të bukura dhe më domethënëse në jetën e studentëve tanë, si përfundimin e një kapitulli shumë të rëndësishëm që për shumëkënd ka qenë sfidues, por jashtëzakonisht frytdhënës. Sipas saj ky udhëtim akademik që studentët e nisën me ëndrra dhe pasiguri, sot u mbyll me sukses, me buzëqeshje dhe krenari.

“Zemrat e tyre kanë rrahur fort në çdo provim tuajin, kanë qenë bashkë me ju në heshtje, në netët e gjata të përgatitjeve, në momentet kur jeni ndier të lodhur, por kurrë të dorëzuar. Për këtë, sot, le t’i falënderojmë nga zemra për mbështetjen e pakushtëzuar dhe për edukatën që ju dhanë dhe na e dhanë nderin që t’ju kemi studentë. Kemi kaluar bashkë vite të frytshme në auditore, në seminare, në projekte dhe sfida reale të jetës. Nga drejtimet më teknike tek ato humane, secili prej jush ka dhënë më të mirën për të përqafuar dijen dhe për t’u formuar si profesionist i së nesërmes. Sot është momenti ku mundi juaj kurorëzohet me dinjitet dhe puna jonë si Universitet i Tetovës merr kuptim. E ardhmja nuk është gjithmonë e lehtë. Do të ketë sfida, konkurrencë, ndonjëherë edhe dyshim. Por, mos harroni: ju tashmë keni armët më të fuqishme – dijen, guximin dhe vullnetin.”- tha Prof. Dr. Aida Baftjari – Yzeiri.

Ajo u kujtoi studentëve se bashkë kanë punuar për një të ardhme më të mirë, që dija e fituar të shndërrohet në vepër, në përgjegjësi, në kontribut për shoqërinë tonë.

Këtë ngjarje me rëndësi për Universitetin e Tetovës, me pjesëmarrjen e tyre e nderuan Joseph J. DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, të cilët një ditë më parë u laureuan me titullin Doctor Honoris Causa të Universitetit të Tetovës.

Në fjalimet e tyre para mijëra pjesëmarrësve në sheshin e Rektoratit të Universitetit të Tetovës, ata përçuan një mesazh të qartë për rëndësinë historike dhe aktuale të Universitetit të Tetovës si simbol i identitetit shqiptar dhe për rolin e diasporës dhe miqve ndërkombëtarë në mbështetjen e të drejtave të shqiptarëve në Ballkan. Ata folën për rëndësinë e arsimit në përparimin e popujve, avancimin e proceve dhe forcimin e demokracisë. Prania e tyre në këtë aktivitet të Universitetit të Tetovës, vetëm përkujtoi sakrificat e së kaluarës, por përcolli një mesazh të fuqishëm për të ardhmen – se e drejta për arsim në gjuhën amtare, barazi dhe përfshirje nuk janë kërkesa të së kaluarës, por vlera të vazhdueshme që duhet të mbrohen dhe fuqizohen çdo ditë.

Në emër të të diplomuarve, përkatësisht absolventëve të gjeneratës 2024/2025, fjalë rasti kishte Anila Ajro, studente ekselente në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës. Duke u rikthyer në kohë ajo solli në vëmendje historitë e shkruara me sakrificë, që sipas saj janë historitë e gjeneratave të para të këtij universiteti, të cilat ngërthejnë sakrificat e njerëzve të zakonshëm që bënë gjëra të jashtëzakonshme – duke i kthyer shtëpitë në shkolla, sofrat në banka e dhomat në klasa.

“Sot, nuk po festojmë vetëm mbylljen e një kapitulli, po festojmë qëndrueshmërinë, mundin, besimin që nuk u shua kurrë. Festojmë sfidat e përballueshme dhe plotësimin e ëndrrës sonë, duke qëndruar më të frymëzuar se kurrë për ëndrra më të mëdha. Por, kjo ditë i përket çdonjërit prej nesh, për këdo që ndodhet sot këtu, ju ishi inspirimi i këtij udhëtimi të mrekullueshëm. Prindërve dhe njerëzve tanë më të dashur, që ishin zëri i besimit kur ne dyshonim, dhe drita jonë pas çdo lodhjeje. Stafit të fakultetit që me punë të palodhshme e realizuan atë që ne sot e quajmë ëndrrën tonë. Veçanërisht profesorëve tanë, të cilët na sfiduan dhe na frymëzuan me shembullin e tyre, jo vetëm për të mësuar por edhe për të qenë njerëz të dobishëm në shoqëri duke na treguar se: shkollimi nuk është vetëm mësim, është formim. Kolegëve të rrugëtimit tonë, që me çdo ndihmë, bashkëpunim dhe të qeshura ishin krahu ynë i djathtë në sfida dhe kujtimi më i bukur i këtyre viteve. Ne sot po mbajmë në duar dijen, si amanetin më të shtrenjtë të atyre që besuan në një të ardhme. Dija është ajo që i jep dritë së ardhmes dhe e udhëheq një popull. Përpara nesh është një jetë që nuk na pret, por na sfidon. Le ta përqafojmë me ndershmëri dhe guxim. Të bëhemi profesionistë që nuk ndjekin vetëm suksesin personal, por që krijojnë ndikim, shërbejnë dhe ndryshojnë shoqërinë.”- deklaroi Anila Ajro.

Fjalën kryesore në këtë ceremoni solemne e pati Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, sipas të cilit kjo ngjarje e rëndësishme i përvijoi sukseset e mëdha të veprimtarisë mbi 30-vjeçare të Universitetit të Tetovës dhe kjo ditë është një kurorëzim i një rruge të përbashkët të ndërtuar me mund, me përkushtim dhe me një besim të palëkundur për dijen dhe për të ardhmen.

“Sot, rreth 1000 absolventë nga fusha të ndryshme – mjekësi, inxhinieri, histori, pedagogji, psikologji, drejtësi, ekonomi, gjuhësi – përmbyllin me sukses rrugëtimin e tyre universitar. Së bashku me familjarët dhe profesorët, ata kremtojnë një arritje që për secilin prej nesh përfaqëson më shumë se një diplomë – përfaqëson një betejë të fituar për dije, për zhvillim dhe për dinjitet. Në rrezatimin e syve tuaj lexohet qartësisht një emocion i veçantë – gëzim, krenari, por edhe një ndjenjë e përzier e nostalgjisë për vitet që po lini pas. Siç thoshte Albert Ajnshtajni: “Arsimi nuk është të mësoni fakte, por të ushtroni mendjen për të menduar.” Ju tashmë keni mësuar të mendoni, të analizoni, të krijoni dhe kjo është arma më e fortë që mund të ketë një i ri në një botë që ndryshon çdo ditë. Universiteti i Tetovës sot rezonon përtej mureve të tij, përtej qytetit tonë, duke shtrirë ndikimin e vet në të gjitha trojet shqiptare. Sot, ai është një simbol i identitetit, i qëndresës dhe i përparimit tonë kombëtar.”- deklaroi Rektori i UT-së.

Në vijim të fjalimit të tij ai u shpreh se në një kohë kur teknologjia, informacioni dhe globalizimi hapin çdo ditë dyer të reja, studentët tashmë janë të përgatitur për të qenë pjesë aktive e këtij realiteti. Një shans që sipas tij, dikur nuk ishte i mundur për shumë nga prindërit e tyre. Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli i falënderoi edhe profesorët për çdo orë ligjërate, për çdo këshillë, për çdo sfidë që e kthyen në mundësi për ta bërë Universitetin e Tetovës një vend të arsimit, shkencës dhe kulturës, një Universitet shembullor jo vetëm në vendin tonë, por edhe më gjerë.

Ndërkaq në mesazhin drejtuar prindërve të absolventëve, ai deklaroi se në këtë ditë të veçantë e gjithë sakrifica shpërblehet me diplomën e fëmijëve, dita kur të gjithë ndihen krenarë.

Programi i ceremonisë së hedhjes së kapelave të absolventëve të këtij viti akademik përfundoi me interpretimin e disa pikave muzikore nga profesori i Fakultetit të Arteve Bajramali Idrizi dhe Arianit Ramadani – student i po këtij fakulteti. Diplomimi i absolventëve, është një ngjarje e madhe, dëshmi e një progresi të qenësishëm që është bërë në Universitetin e Tetovës dhe një dëshmi se ky institucion me seriozitet i është qasur arsimit dhe hulumtimeve shkencore.

Pas përfundimit të ceremonisë së absolventiadës, miqtë e Universitetit tonë, Joseph J. DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, realizuan një vizitë në Muzeun Historik të Universitetit të Tetovës. Në këtë muze, ku u mbajtën edhe ligjëratat e para në vitin akademik 1994/1995, ruhen dokumente, fotografi dhe dëshmi të tjera që pasqyrojnë rrugëtimin e vështirë të këtij institucioni arsimor. Por, falë mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ky rrugëtim u kurorëzua me sukses, duke e shndërruar Universitetin e Tetovës në një institucion të njohur brenda vendit dhe në arenën ndërkombëtare.

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png