Ndër skenarët që BDI-ja po i shqyrton për bllokimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë janë edhe protestat para Kuvendit, por edhe një mburojë e gjallë nga deputetët para sallës plenare gjatë miratimit përfundimtar të ligjit. Megjithatë, nga BDI thonë se këto janë opsione të fundit, pasi janë të rrezikshme
Shkup – “Badenteri i madh” kundër “Badenterit të vogël” është skenari i BDI-së dhe i partive shqiptare opozitare për bllokimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë, bëjnë të ditur për “Sloboden Peçat” funksionarë të BDI-së. Skenari përfshin edhe paraqitjen e amendamenteve gjatë debatit për ligjin, ndërsa si opsion i fundit nuk përjashtohet mundësia e protestave para Kuvendit dhe e një mburoje të gjallë nga deputetët para sallës plenare.
BDI paralajmëroi se do ta bllokojë miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë me të gjithë mekanizmat demokratikë, pasi Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive vendosi që ai të miratohet me të ashtuquajturin “Badenter i vogël” (shumicë e deputetëve të pranishëm nga bashkësitë joshumicë) dhe se Propozim-ligji nuk përmban kuota etnike për punësimin e administratorëve dhe nuk ka sanksione për institucionet që nuk do ta respektojnë ligjin.
“Do të paraqesim tre ose katër amendamente thelbësore për të treguar se Propozim-ligji është antikushtetues, përkatësisht se rrënon një nga shtyllat e Marrëveshjes Kornizë. Nëse pushteti nuk i pranon amendamentet, atëherë miratimin e ligjit do ta bllokojmë përmes parimit të votimit sipas Badenterit”, tha për ne një funksionar i BDI-së.
Meqenëse pushteti vendosi që ligji të miratohet me “Badenter të vogël”, deputetët e bllokut opozitar shqiptar do të sigurojnë “Badenter të madh” – shumicë nga numri i përgjithshëm i deputetëve të bashkësive, dhe në këtë mënyrë ligji nuk do të ketë shumicën e nevojshme për të kaluar, pasi shumica e deputetëve të bashkësive do të votojnë kundër.
Në përbërjen aktuale parlamentare ka 40 deputetë nga bashkësitë. Fronti Evropian ka 12 deputetë, të cilëve së bashku me deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe ata të Lidhjes Shqiptare, u shkon numri në 19 deputetë. Sipas BDI-së, kundër Ligjit për Përfaqësim të Drejtë do të votojnë edhe deputeti i pavarur Ilir Demiri, më pas Fatmir Bytyqi nga LSDM-ja dhe Bejxhan Iljaz nga Partia Demokratike Turke (DPT), madje mund t’u bashkohet edhe Mitko Trajçulleski nga LSDM-ja, ose gjithsej 22 apo 23 deputetë.
Kjo do të thotë se, nëse në seancën plenare janë të pranishëm të gjithë deputetët opozitarë nga bashkësitë, VLEN-i në pushtet nuk do të mund të sigurojë “Badenter të vogël”, sepse opozita do të ketë shumicën e votave nga bashkësitë joshumicë dhe ligji nuk do të kalojë.
“Votimi sipas parimit të Badenterit nuk është rastësisht pjesë e Marrëveshjes Kornizë, përkatësisht e Kushtetutës. Ai është mekanizëm me të cilin shqiptarët dhe bashkësitë e tjera mund të vendosin veto ndaj ligjeve që sjellin majorizim, në mënyrë që ato të mos kalojnë, si në këtë rast me Ligjin për Përfaqësim të Drejtë”, thonë nga BDI.
Ndër skenarët që BDI po i shqyrton për bllokimin e ligjit janë edhe protestat para Kuvendit, por edhe mburoja e gjallë nga deputetët para sallës plenare gjatë miratimit përfundimtar të ligjit.
Megjithatë, nga BDI thonë se këto janë opsione të fundit, sepse janë të rrezikshme.
Nëse shkohet drejt protestave, ato do të mbaheshin në ditën e votimit të ligjit, paralelisht me mburojën e deputetëve që do të përpiqeshin t’i pengonin kolegët e pushtetit të hynin në sallën plenare.
Nga partia e Ali Ahmetit thonë se fillimisht do të përpiqen t’i bindin kolegët nga pushteti se ligji duhet të përmirësohet me amendamente dhe përmes debatit publik për ligjin, ku presin që edhe ekspertët të tregojnë se si mund të korrigjohet zgjidhja ligjore. Debati publik për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë është caktuar për 15 qershor.
BDI, Lidhja Shqiptare dhe Aleanca për Shqiptarët janë kundër ligjit për shkak se nuk ofron mekanizëm detyrues për punësimin e bashkësive, pa garanci ligjore dhe pa sanksione për mosrespektimin e përfaqësimit të drejtë.
Sipas bllokut opozitar shqiptar, Ligji për Përfaqësim të Drejtë i kthen shqiptarët në periudhën para vitit 2001, kur përfaqësimi i tyre në institucione ishte vetëm dy për qind.
Nga ana tjetër, VLEN-i në pushtet konsideron se Ligji për Përfaqësim të Drejtë është një zgjidhje sistemore për forcimin e barazisë dhe karakterit multietnik të shtetit. Zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali, në Komisionin për Sistem Politik, tha se me këtë zgjidhje vendoset një kornizë e qartë institucionale, e bazuar në të dhëna reale, nevoja konkrete të institucioneve dhe mekanizma efikasë për monitorimin e zbatimit të përfaqësimit të drejtë.
“Ligji parasheh që përfaqësimi i drejtë dhe adekuat të jetë obligim ligjor për institucionet publike, siguron trajtim të barabartë për të gjitha bashkësitë dhe garanton respektimin e parimeve të barazisë, përfshirjes dhe mundësive të barabarta. Ligji parasheh mekanizma për monitorimin e zbatimit të tij, mbrojtjen e së drejtës për vetëdeklarim të lirë dhe parandalimin e keqpërdorimeve, me qëllim forcimin e besimit në institucionet publike dhe avancimin e kohezionit shoqëror”, tha Sali.
Sipas ligjit, letërnjoftimi duhet të jetë garanci se nuk do të ketë keqpërdorim të përkatësisë etnike gjatë punësimeve në administratën publike. Po ashtu, me rëndësi është se gjatë punësimit të administratorëve të rinj, përparësi do të kenë kualifikimet dhe profesionalizmi i kandidatit, ndërsa vetëm më pas përkatësia ndaj një etnie.
Kontrollin nëse institucionet e respektojnë ligjin do ta kryejë një trup i posaçëm koordinues, i formuar nga Qeveria. (Sloboden Peçat)

