Lajme

Trump reagon pas sulmeve të Iranit ndaj Izraelit: I hodhët raketat, tani kthehuni në tavolinën e bisedimeve!

Trump deklaroi se ende beson në mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Iranin, pavarësisht tensioneve të fundit në rajon...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar pas lëshimit të raketave iraniane drejt Izraelit, duke i bërë thirrje Teheranit të ndalojë përshkallëzimin dhe të rikthehet në tryezën e negociatave.

Në një intervistë për Fox News, Trump deklaroi se ende beson në mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Iranin, pavarësisht tensioneve të fundit në rajon.

“Sigurisht që kjo nuk do t’i ndihmojë negociatat. Jemi shumë afër. Do të thoja se një marrëveshje do të nënshkruhej të hënën, të martën ose të mërkurën e javës që vjen. Dhe tani kjo po ndodh. I qëlluat raketat tuaja, mjaft. Kthehuni në tryezë dhe bëni një marrëveshje”, tha Trump, duke kërkuar nga autoritetet iraniane të rifillojnë bisedimet diplomatike.

Presidenti amerikan theksoi gjithashtu se ushtria amerikane është në gatishmëri pas sulmit raketor të Teheranit ndaj Izraelit.

Sulmet e së dielës shënojnë herën e parë që Irani lëshon raketa drejt Izraelit që nga armëpushimi që i dha fund konfliktit SHBA-Izrael-Iran në prill. Teherani e paraqiti veprimin si përgjigje ndaj zhvillimeve të fundit në Liban dhe sulmeve izraelite në Bejrut.

Ebrahim Rezaei, këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem iranian, deklaroi se Irani kishte paralajmëruar vazhdimisht se nuk do të pranonte shkelje të armëpushimit apo sulme ndaj Libanit.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë interceptuar të gjitha raketat e lëshuara deri tani nga Irani. Sipas autoriteteve ushtarake, janë identifikuar edhe lëshime të tjera raketash, ndërsa mbrojtja ajrore vazhdon të neutralizojë kërcënimet.

Një burim izraelit i cituar nga Reuters tha se Izraeli është i vendosur të kundërpërgjigjet ndaj sulmit iranian. Ndërkohë, një burim i lartë iranian deklaroi për agjencinë se çdo veprim ushtarak izraelit do të përballet me një përgjigje edhe më të fortë nga Teherani.

3sgIgLJ.png