Shkup, 1 qershor – Sistemi i kuotave për punëtorët e huaj në Maqedoni është aplikuar vazhdimisht që nga viti 2016. Në gati dhjetë vite është rritur mjaft numri i tyre. Me fjalë tjera, tregu i punës në Maqedoninë e Veriut po kalon ndryshime serioze, me një rritje të konsiderueshme të numrit të punëtorëve të huaj që vijnë për të plotësuar mungesën e personelit në industritë kryesore. Ndërsa punëtorët vendas po kërkojnë gjithnjë e më shumë mundësinë e tyre jashtë vendit, Maqedonia po bëhet një adresë e re për mijëra shtetas të huaj që kërkojnë punë. Ngadalë por me siguri, Maqedonia ka parë një rritje të numrit të të huajve që kanë marrë leje qëndrimi të përkohshëm për punësim në tre vitet e fundit, shkruan gazeta KOHA.
Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, numri i lejeve të qëndrimit të përkohshëm për qëllime pune ka arritur në 6128, një rritje drastike krahasuar me pesë vjet më parë kur ky numër ishte vetëm 1704 persona. Gjithashtu në vitin 2025, u lëshuan gjithsej 8,509 opinione pozitive për lejet e punës. Këto përfshijnë 798 leje personale pune të lëshuara për menaxherë, administratorë etj. Ky opinion kërkohet midis dokumenteve të mbledhura nga Ministria e Brendshme kur vendoset nëse do të jepet apo jo një leje qëndrimi.
Dhe këto të dhëna tregojnë trendin në rritje të të huajve që kërkojnë punë në vend. Në vitin 2020, për shembull, Agjencia e Punësimit lëshoi 3227 opinione pozitive, që është më shumë se gjysma e numrit të vitit 2024. Në vitin 2024 nga një total prej 8509 opinionesh, Agjencia e Punësimit u dha turqve 2815 opinione. Më pas vijnë qytetarët e Bangladeshit – 1567, nepalezët – 1089 dhe indianët – 1079. Në vendin e pestë janë qytetarët e Kosovës – 406.
Ky proces, thonë ekspertët është i natyrshëm duke pasur parasysh që punëtorët vendor po migrojnë në vende të tjera evropiane. Shumica e lejeve kërkohen për Shkupin, dhe disa dhjetëra lëshohen çdo vit për Manastirin, Tetovën, Ohrin, Kumanovën. “Këta janë punëtorë nga vende më të varfra që do të siguronin një kafshatë bukë , do të mbijetonin dhe do t’u dërgonin diçka familjeve të tyre, sepse edhe sot ka vende ku ata marrin paga prej 100 dollarësh në muaj. Këtu ata marrin 600-800 dollarë”, shtojnë njohësit e kësaj problematike. Sipas Agjencisë së Punësimit më shumë punëtorë të huaj janë të angazhuar në ndërtim, industrinë prodhuese, akomodimi dhe shërbimet ushqimore, tregti etj.
Sa i përket vendeve na vijnë këto punonjës, ndërsa në të kaluarën dominonin punëtorët nga fqinjësia tani struktura e vendeve të origjinës ka ndryshuar ndjeshëm. Edhe pse Turqia mbetet lider për sa i përket numrit të punëtorëve, statistikat për vitin 2024 dhe 2025 tregojnë një fluks të lartë qytetarësh nga Bangladeshi, Nepali, India, Filipinet, Kina.
Në vitin 2025, nga një total prej 8509 opinionesh pozitive pune të lëshuara nga Agjencia e Punësimit, madje një e treta (2815) janë për shtetas turq, ndërsa për herë të parë shifrat për Bangladeshin (1567) dhe Nepalin (1089) tejkalojnë një mijë miratime për vend. Përveç fuqisë punëtore manuale, të dhënat tregojnë se 798 leje pune personale u lëshuan gjatë vitit 2025 për menaxherët dhe mbikëqyrësit, duke treguar se kapitali i huaj sjell me vete edhe stafin e vet menaxherial. Për një pjese të punonjësve të huaj, Maqedonia paraqet edhe trampolinë për tregun evropian të punës ku paralelisht me rritjen e fluksit, Ministria e Brendshme po regjistron edhe një dalje të punëtorëve të huaj.
Gjatë vitit 2025, Ministria e Brendshme regjistroi 166 shtetas të huaj që u larguan nga vendi edhe pse kishin qëndrim të përkohshëm për punësim. Numri më i madh i largimeve ishte midis punëtorëve nga Bangladeshi – 129 persona, i ndjekur nga Nepali – 34 dhe India – 3. Gjithashtu në janar hyri në fuqi vendimi i Qeverisë për një kuotë prej 10.000 lejesh pune për të huajt. 4500 janë për punësime të reja dhe 5250 janë për zgjatjen e lejeve për të huajt që janë tashmë të punësuar në Maqedoni. (koha.mk)

