Lajme

Pse qeveria izraelite mban ministër një ekstremist si Itamar Ben-Gvir?

Që në moshë të re, Ben-Gvir u identifikua si mbështetës i ideologjisë së rabinit radikal Meir Kahane

Nga Davide FRATTINI

Itamar Ben-Gvir është një nga figurat më të diskutueshme dhe më ekstremiste në politikën e Izraelit dhe aktualisht mban postin e Ministrit të Sigurisë Kombëtare në qeverinë e drejtuar nga Benjamin Netanyahu. Ai është i njohur për qëndrimet e tij nacionaliste, për retorikën e ashpër kundër palestinezëve dhe për lidhjet e tij të hershme me rryma të ekstremit të djathtë hebreje. Që në moshë të re, Ben-Gvir u identifikua si mbështetës i ideologjisë së rabinit radikal Meir Kahane, i cili kishte një retorikë të ashpër kundër arabëve dhe palestinezëve. Në vitet ’90, ai u bë i njohur në publik për deklarata dhe veprime provokuese, në një periudhë kur në Izrael tensionet politike dhe dhuna ishin shumë të larta.

Në të njëjtën kohë, klima politike në vend u përkeqësua deri kur arriti kulmin me atentatin ndaj kryeministrit Yitzhak Rabin në vitin 1995, e kryer nga Yigal Amir, ngjarje e cila shënoi fundin e procesit të paqes mes Izraelit dhe Palestinës. Në këtë situatë, edhe figurat radikale si Ben-Gvir u bënë më të dukshme në skenën publike.

Sot, Ben-Gvir mbron ide të forta si aneksimi i Bregut Perëndimor dhe rikthimi i kolonive izraelite në Rripin e Gazës, të cilat u evakuuan në vitin 2005. Ai shpesh kritikohet për sjellje provokuese, përfshirë raste kur ka mbajtur armë në publik ose është përfshirë në përplasje fizike me palestinezë dhe banorë arabë në Jerusalem. Si ministër i Sigurisë, ai kontrollon policinë dhe rendin publik, gjë që i ka dhënë atij ndikim të madh institucional. Megjithatë, shumë kundërshtarë brenda dhe jashtë Izraelit e akuzojnë për nxitje tensionesh dhe për përkeqësim të situatës së sigurisë.

Nga ana tjetër, kryeministri Netanyahu ka zgjedhur ta mbajë Ben-Gvir në qeveri si pjesë e një koalicioni politik të brishtë, ku mbështetja e së djathtës ekstreme është e nevojshme për shumicën parlamentare. Kjo ka krijuar një marrëdhënie pragmatike: edhe kur ka kritika publike ndaj tij, ai shpesh mbetet jashtë kritikave, për shkak të ekuilibrave politikë.

Sipas ekspertëve politikë, kjo situatë tregon një paradoks të qeverisë izraelite aktuale: nga njëra anë distancohet me fjalë nga veprimet më ekstreme të ministrit, ndërsa nga ana tjetër varet politikisht prej tij për të qëndruar në pushtet. Në këtë mënyrë, Ben-Gvir shihet si simbol i zhvendosjes së politikës izraelite më shumë drejt së djathtës ekstreme, duke rritur tensionet me palestinezët dhe duke ndikuar në debatin e brendshëm për sigurinë, demokracinë dhe të ardhmen e procesit të paqes. (Corriere della Sera)

3sgIgLJ.png