Jonathan Andic, djali i themeluesit historik të kompanisë “Mango”, Isak Andic, është arrestuar nga policia spanjolle nën akuzën për vrasjen e të atit.
Sipërmarrësi vdiq më 14 dhjetor 2024, pasi ra në një humnerë gjatë një shëtitjeje në malin Montserrat, në provincën e Barcelonës. Me të në atë moment ndodhej vetëm djali i tij, Jonathan.
Andic, i cili gjithmonë ka pretenduar se i ati kishte rënë aksidentalisht gjatë ecjes në mal në Montserrat të Katalonjës, është transferuar në gjykatën e Martorellit për t’u marrë sërish në pyetje.
Dëshmia e partneres
Në janar 2025, rasti i vdekjes së Isak Andic ishte mbyllur për mungesë provash për krim.
Më vonë, çështja u rihap dhe hetimet u përqendruan te djali i madh i sipërmarrësit, i cili ndodhej me të në momentin e incidentit.
Pesha e hetimit u rrit edhe nga dëshmia e Estefania Knuth, partnerja e Isak Andic, e cila ka folur për një marrëdhënie të vështirë mes babait dhe djalit, të prishur nga tensione familjare dhe mosmarrëveshje mbi menaxhimin e kompanisë.
Kjo ka çuar hetuesit të urdhërojnë verifikime të reja të telefonit të Jonathanit dhe të dinamikës së rënies.
Suksesi i “Mango”
I lindur në Stamboll në vitin 1953, me origjinë hebraike sefardike, Andic kishte emigruar në Spanjë në moshën 14-vjeçare.
Marka “Mango” u krijua në vitin 1984, kur së bashku me vëllain e madh Nahman hapi dyqanin e parë të xhinseve në Barcelonë.
Sot, “Mango” është një kompani multinacionale me 2 mijë e 700 dyqane në 110 vende dhe rreth 14 mijë punonjës, përfshirë më shumë se 70 në Itali.
Pas vdekjes së themeluesit, Jonathan u bë president i “Mango”, ndërsa motrat Judith dhe Sarah morën postet e nënkryetareve.

