Lajme

Pse Europa po hesht përballë Trumpit?

Shkruar nga Marietje Schaake

Nën presionin e Shtëpisë së Bardhë, përgjigjja politike po karakterizohet nga lajkat dhe paqartësia strategjike, gjë që po krijon konfuzion te qytetarët.

Akuzat për censurë nga anëtarë të administratës Trump ndaj Bashkimit Europian tashmë janë bërë një refren i njohur. Në fund të vitit të kaluar, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, denoncoi atë që e quajti “kompleksi global industrial i censurës”, për të cilin pretendoi se po detyronte kompanitë amerikane të teknologjisë të shtypnin pikëpamje të caktuara. Kundërpërgjigjja e SHBA-së përbën një sulm ndaj të drejtës së BE-së për të rregulluar kompanitë teknologjike.

Si pjesë e kësaj qasjeje, Rubio vendosi sanksione udhëtimi ndaj katër drejtuesve të shoqërisë civile dhe një ish-komisioneri europian. Thierry Breton, i cili drejtoi tregun e brendshëm të BE-së nga viti 2019 deri në 2024, nuk lejohet më të hyjë në SHBA. Në një lëvizje të ngjashme, strategjia amerikane e sigurisë kombëtare (NSS) pretendoi vitin e kaluar se BE-ja po “krijonte përçarje, censurë të fjalës së lirë dhe shtypje të opozitës politike”, duke e cilësuar unionin si një kërcënim për stabilitetin që duhet kundërshtuar.

Por ndërsa Uashingtoni akuzon europianët për censurë ndaj kompanive të teknologjisë, vetë SHBA po angazhohet në forma të ashpra censurimi. Shoqata Amerikane e Bibliotekave kundërshtoi më shumë se 4,200 tituj librash vetëm gjatë vitit 2025. Një universitet në Teksas kërkon të ndalojë mësimin e Platonit me argumentin se promovon ideologji gjinore dhe racore. Një shkollë ka hequr adaptimin grafik të Ditarit të Anne Frank-ut, duke pretenduar se trajtimi i seksualitetit nga adoleshentja ishte i papërshtatshëm. Ndërkohë, në korrik të vitit të kaluar, presidenti Donald Trump nënshkroi Urdhrin Ekzekutiv 14319, “Parandalimi i AI-së Ëoke në Qeverinë Federale”, i cili në praktikë përjashton nga kontratat qeveritare modelet e inteligjencës artificiale të kompanive që mbështesin diversitetin, barazinë dhe përfshirjen (DEI).

Kur shërbeja në Parlamentin Europian, kam punuar në shumë rezoluta që trajtonin shkelje të të drejtave të njeriut në vende të ndryshme të botës. Nëse masa të tilla si ato që SHBA ka ndërmarrë së fundmi do të ishin miratuar nga ndonjë qeveri tjetër, dënimet politike dhe propozimet për kundërmasa nga BE-ja do të kishin ardhur pa hezitim.

Në vend të kësaj, liderët politikë europianë i janë përgjigjur presionit në rritje nga SHBA-ja me lajka dhe paqartësi strategjike. Ata i ofrojnë presidentit amerikan ftesa luksoze dhe ndërtojnë marrëveshje që Shtëpia e Bardhë mund t’i paraqesë si fitore politike.

Kjo qasje ka një logjikë të caktuar. Kur kancelari gjerman Friedrich Merz foli për poshtërimin e SHBA-së pas sulmeve ndaj Iranit, përgjigjja e Trump ishte tërheqja e 5,000 trupave amerikane nga Gjermania. Ky mesazh nuk kaloi pa u kuptuar nga homologët e Merz-it. Liderët europianë janë të përqendruar te shmangia e përshkallëzimit ose hakmarrjes. Ata duket se po përpiqen të fitojnë kohë për të ndërtuar më shumë kapacitete mbrojtëse, alternativa teknologjike dhe rrjedha të reja tregtare.

Megjithatë, heshtja e kalkuluar flet më shumë se fjalët.

Vetëcensura është politike. Siç e përshkroi një analizë e fundit e Carnegie Endoëment, liderët europianë po “largohen në heshtje” nga SHBA-ja: duke u shkëputur gradualisht në praktikë, ndërsa shmangin marrjen e një qëndrimi të qartë publik.

Por edhe pse ridrejtimi i kontratave dhe investimeve drejt zgjidhjeve sovrane mund të ketë ndikim afatgjatë, rreziku i kësaj largese të heshtur është dorëzimi i narrativës në periudhën ndërmjetëse. Nëse liderët europianë nuk mbrojnë interesat dhe vlerat e tyre, ata i lënë qytetarët pa një orientim për të kuptuar çfarë është në rrezik dhe si duhet reaguar.

Kjo gjithashtu i bën ata më të cenueshëm ndaj lëvizjeve të frymëzuara nga MAGA me sloganin “Make Europe Great Again”. Në përgjithësi, sondazhet tregojnë vazhdimisht se europianët kanë mosbesim të thellë ndaj SHBA-së. Politikanët europianë duhet të peshojnë frikën nga hakmarrja e Shtëpisë së Bardhë përballë nevojës legjitime për kundërshtim, si dhe ndikimin që mungesa e guximit dhe e qartësisë publike mund të ketë brenda vendeve të tyre.

Fushata e administratës Trump kundër asaj që e quan censurë në Europë është një lojë pushteti me një fasadë të lirisë së fjalës. Është gjeopolitikë e mbrojtur nga retorika e Amendamentit të Parë.

Liderët europianë nuk kanë nevojë të imitojnë agresivitetin e Uashingtonit për të bërë të qarta qëndrimet e tyre, dhe sinqerisht shpresoj që të mos e bëjnë këtë. Por ata duhet të jenë të ndershëm me qytetarët e tyre për atë që po ndodh: një ish-partner po përpiqet të diktojë kushtet e qeverisjes në Europë. Nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse shoqërore për të garantuar që europianët të mbrojnë dhe avancojnë vlerat dhe interesat e tyre përballë këtyre presioneve.

Liria e shprehjes nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme. Ajo nuk mund t’u lihet atyre që e përdorin si armë. Problemi real i censurës në Europë është heshtja e vetë liderëve të saj./ Përshtati “Pamfleti” nga “Financial Times”.

3sgIgLJ.png