Lajme

Luftë në Ekuador për portet e kokainës, mafia shqiptare sfidon Ndrangheta-n!

Mafia shqiptare dhe organizata italiane ’Ndrangheta po përplasen për kontrollin e rrugëve të trafikut të kokainës në Ekuador, vendi që po shndërrohet në nyjen kryesore të narkotrafikut drejt Europës. Autoritetet ekuadoriane paralajmërojnë se grupet kriminale europiane po operojnë në aleancë me bandat lokale dhe kartelët latino-amerikanë, ndërsa dhuna dhe lufta për territore po përshkallëzohen në zonat portuale strategjike të vendit…

Një luftë e heshtur mes mafies shqiptare dhe organizatës mafioze italiane ’Ndrangheta po zhvillohet në Ekuador, vendi latino-amerikan që vitet e fundit është kthyer në një nga nyjet më të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar të kokainës drejt Europës.

Autoritetet ekuadoriane paralajmërojnë se provinca El Oro, në jugperëndim të vendit, është shndërruar në një territor strategjik ku grupet kriminale europiane, kartelët meksikane dhe bandat lokale po përplasen për kontrollin e porteve, rrugëve detare dhe rrjeteve të pastrimit të parave.

Alarmi u dha nga koloneli Renato González, komandant i Zonës 7 të Policisë së Ekuadorit, gjatë një operacioni të madh sigurie në Puerto Bolívar, një nga portet më të rëndësishme të Paqësorit për eksportin ilegal të drogës.

Sipas tij, mafia shqiptare dhe mafia kalabreze italiane ’Ndrangheta kanë krijuar struktura të fuqishme në vend dhe po luftojnë për ndikim mbi zinxhirët logjistikë dhe financiarë të trafikut të narkotikëve.

Ka prani të konfirmuar të mafies shqiptare dhe të ’Ndrangheta-s italiane. Këto organizata po operojnë në territorin ekuadorian përmes aleancave me grupet kriminale lokale”, deklaroi González.

Luftë në Ekuador për portet e kokainës, mafia shqiptare

Puerto Bolívar, në Machala, u zgjua me një prani të madhe ushtarake më 14 maj

Autoritetet thonë se El Oro është kthyer në një pikë kyçe për mafiet ndërkombëtare për shkak të pozicionit gjeografik, daljeve detare dhe afërsisë me Kolumbinë, nga ku hyn pjesa më e madhe e kokainës që më pas trafikohet drejt Europës dhe Amerikës së Veriut.

Në këtë skemë përfshihen edhe karteli meksikan i Sinaloas dhe grupet e armatosura kriminale në rajonin kolumbian të Nariños, të cilat furnizojnë rrjetet ekuadoriane me drogë.

Sipas hetimeve të policisë, grupet lokale ekuadoriane ruajnë dhe transportojnë ngarkesat, ndërsa mafiet europiane kontrollojnë financat, eksportin dhe pastrimin e parave.

Koloneli González theksoi se mafia italiane ’Ndrangheta operon në mënyrë më të sofistikuar, duke përdorur kompani, struktura biznesi dhe mekanizma financiarë për të legalizuar fitimet e krimit të organizuar.

Këto organizata nuk merren drejtpërdrejt me ngarkesat e drogës. Ato kontrollojnë ekonominë kriminale, logjistikën dhe pastrimin e parave”, deklaroi ai.

Përplasja për kontrollin e trafikut ka sjellë edhe rritje dramatike të dhunës në Ekuador. Fragmentimi i bandave lokale, sidomos grupit famëkeq “Los Lobos”, ka krijuar luftëra të përgjakshme për territore dhe porte strategjike.

Sipas autoriteteve, një fraksion i “Los Lobos” kontrollohet nga Carlos Leones, i njohur si “Calaca”, ndërsa një grup tjetër drejtohet nga Edison Delgado, alias “Saoco”, dhe bashkëpunëtorët e tij.

Në përpjekje për të rimarrë kontrollin, qeveria ekuadoriane ka nisur operacionin “Limpieza Total”, ku afro 1 mijë policë dhe ushtarë po zhvillojnë kontrolle masive në Puerto Bolívar dhe zonat përreth.

Forcat e sigurisë kanë kontrolluar mbi 1 600 banesa, kanë shkatërruar kulla vrojtimi të përdorura nga grupet kriminale dhe kanë sekuestruar radio-komunikime që shërbenin për të paralajmëruar bandat për lëvizjet e policisë.

Autoritetet dyshojnë se rreth 200 mjete lundruese pa identifikim të qartë në port përdoren për fshehjen dhe transportin e drogës, armëve dhe mallrave kontrabandë.

Ministri ekuadorian i Mbrojtjes, Gian Carlo Loffredo, deklaroi se ushtria do të mbajë prani të përhershme në zonat më të rrezikshme për të frenuar zgjerimin e mafieve ndërkombëtare dhe për të rikthyer kontrollin shtetëror.

Zyrtarët paralajmërojnë gjithashtu se grupet kriminale po përdorin teknologji të avancuar, përfshirë dronë dhe sisteme moderne komunikimi, ndërsa kërkojnë bashkëpunim më të fortë ndërkombëtar për të luftuar rrjetet që veprojnë përtej kufijve.

Për autoritetet ekuadoriane, beteja nuk është më vetëm kundër bandave lokale. Ajo është kthyer në një luftë të hapur kundër mafieve globale që po e përdorin Ekuadorin si portën kryesore të kokainës drejt Europës. /Pamfleti

3sgIgLJ.png