Lajme

Pse Pentagoni papritmas ndaloi dërgimin e 4,000 trupave në Evropë?

Largimi i Brigadës "Black Jack", që synonte të përforconte mbrojtjen e Polonisë, është ndërprerë papritur. Amerikanët kanë filluar të shkurtojnë rotacionet për 15,000 trupat që Biden dërgoi në Evropë në vitin 2022, menjëherë pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Robertas Kaunas, deklaroi sot për radion publike LRT se Pentagoni ka ndalur rotacionin e trupave amerikane në Evropë. Paralelisht, media të specializuara si “Stars and Stripes”, “Military Times” dhe “Wall Street Journal” raportojnë se administrata amerikane ka pezulluar dislokimin e brigadës së blinduar “Black Jack” në kontinentin evropian.

Dy zhvillimet konsiderohen të lidhura, megjithëse nga Uashingtoni ende nuk ka një qëndrim zyrtar.

Çështja rikthen në vëmendje deklaratat e përsëritura të Donald Trump, i cili ka paralajmëruar më herët se mund të tërhiqte mijëra ushtarë amerikanë nga Gjermania, Italia dhe Spanja. Megjithatë, situata aktuale paraqitet më komplekse.

Aktualisht, rreth 85 mijë ushtarë amerikanë janë të dislokuar në Evropë. Nga këta, 15 deri në 20 mijë u vendosën gjatë presidencës së Joe Biden, menjëherë pas nisjes së agresionit rus kundër Ukrainës. Këto forca operojnë me misione të përkohshme dhe zëvendësohen periodikisht përmes sistemit të rotacionit.

Në këtë kuadër përfshihej edhe brigada “Second Armored Brigade Combat Team, First Cavalry Division”, e njohur si “Black Jack”, me rreth 4 mijë efektivë. Njësia ishte grumbulluar më 1 maj në bazën Fort Hood në Teksas dhe pritej të nisej drejt Polonisë dhe vendeve të tjera në krahun lindor të NATO-s për një mision nëntëmujor.

Sipas raportimeve, misioni u pezullua më 13 maj, ndonëse një pjesë e pajisjeve dhe mjeteve ushtarake ishte nisur tashmë drejt Evropës.

Pentagoni kishte filluar të ngadalësonte ritmin e rotacioneve që në tetor të vitit të kaluar, duke mos zëvendësuar trupat e një brigade të vendosur në Rumani.

Ky mekanizëm mund të ndikojë edhe në praninë amerikane në Gjermani, pasi shumë nga operacionet mbështetëse për krahun lindor të NATO-s kalojnë përmes territorit gjerman.

Shqetësimi më i madh mbetet tek vendet pranë kufirit me Rusinë dhe Ukrainën. Për këtë arsye, alarmi i parë publik erdhi nga qeveria lituaneze.

Një ditë më parë, ministri Kaunas deklaroi zyrtarisht se Lituania “nuk ka lejuar kurrë përdorimin e bazave të saj ajrore për operacione lufte”. Deklarata erdhi pas publikimeve në mediat ruse, të cilat sugjeronin se vendet baltike po ndihmonin operacionet ukrainase me dronë kundër objektivave në territorin rus.

Sipas Kaunas, presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar një fushatë dezinformimi me synimin për të rritur tensionet mes vendeve baltike dhe shteteve të tjera të NATO-s në krahun lindor. /”Corriere Della Sera”

3sgIgLJ.png