Fitorja e Peter Magyar hap debatin për rindërtimin e mediave publike, të cilat Fides i ktheu në instrument propagande dhe krijimi të një realiteti paralel
Për vite me radhë, ato vepruan si zëdhënëse të qeverisë, duke përdorur ndikimin e tyre anembanë Hungarisë për të forcuar pushtetin e Viktor Orbanit dhe për të demonizuar ata që ai i paraqiste si armiq, nga filantropi George Soros deri te presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Por sot, më 9 maj, ndërsa ceremonia e betimit të Peter Magyar shënon zyrtarisht fundin e 16 viteve të Orbanit në pushtet, mediat shtetërore hungareze përballen me mundësinë e mbylljes.
“Të gjithë kanë frikë. Deri ku do të shkojë kjo spastrim? Dhe në çfarë mase?”, tha për “The Guardian” një punonjës i radios shtetërore, duke shtuar “askush nuk e di se çfarë do të ndodhë”.
Kjo paralajmëron një transformim të gjerë që pritet të ndodhë ndërsa Magyar dhe partia e tij Tisa marrin pushtetin pasi fituan shumicën e cilësuar në zgjedhjet e muajit të kaluar. Kur bëhet fjalë për mediat në vend, kjo është një detyrë veçanërisht e vështirë dhe që me shumë gjasa do të ndiqet nga afër në mbarë botën, ndërsa vende të tjera përballen me lëvizje të ekstremit të djathtë që kërkojnë të ndjekin modelin e Orbanit.
Që nga ardhja në pushtet në vitin 2010, Orban dhe partia e tij Fides kanë transformuar peizazhin mediatik për të promovuar veten dhe për të demonizuar kundërshtarët, duke shkaktuar një rënie të fortë në indeksin e lirisë së medias dhe duke bërë që pjesë të mëdha të vendit të jetojnë në një realitet alternativ.
“Nga Amerika apo Evropa Perëndimore ndoshta është shumë e vështirë të imagjinohet se si funksionojnë propaganda dhe makineria shtetërore këtu”, tha Magyar për Associated Press në korrik 2024, duke shtuar se “ky realitet paralel është si ‘The Truman Show’. Njerëzit besojnë se është realiteti.”
Magyar, të cilin mediat shtetërore gjatë fushatës e portretizuan si marionetë të Brukselit, baba të papërgjegjshëm dhe tradhtar, premtoi menjëherë pas zgjedhjeve se do të pezullonte funksionimin e mediave shtetërore, duke i përshkruar ato si një “fabrikë gënjeshtrash”, raportimi i së cilës ngjan me propagandën e Koresë së Veriut dhe Gjermanisë naziste.
Ai tha se qeveria e tij do të përpiqet të miratojë një ligj të ri për mediat dhe të krijojë një organ të ri mediatik që do t’u mundësonte mediave shtetërore të rifillonin punën në kushte më të mira dhe “të bëjnë vërtet atë për të cilën janë krijuar”.
Rezultati paraqet një mundësi të paprecedentë që Hungaria të përballet me dështimet e së kaluarës së saj, tha Gabor Polyak, profesor i së drejtës dhe politikave mediatike në Universitetin Eötvös Loránd në Budapest.
“Kjo është mundësia më e mirë në historinë e Hungarisë”, tha ai.
Nën Orbanin, mediat u zhvilluan në dy sisteme paralele: vlerësohet se 80 për qind e tyre ishin nën kontrollin e njerëzve besnikë të Fides, përfshirë mediat shtetërore dhe kompani private mediatike, besnikëria e të cilave shpërblehej me subvencione shtetërore dhe reklama publike. Në anën tjetër ishin mediat e pavarura, të cilat për vite me radhë luftuan për mbijetesë duke refuzuar sulmet e vazhdueshme të lidhura me Fides, nga fushatat e shpifjes deri te pengesat burokratike të krijuara për t’u marrë kohë dhe burime.
Kjo strategji ishte jashtëzakonisht e suksesshme, thanë Reporterët pa Kufij në fillim të këtij viti.
“Edhe pse nuk ka burgosur apo vrarë asnjë gazetar, grabitqari i lirisë së medias Viktor Orban pothuajse e ka zhdukur gazetarinë e pavarur hungareze”, tha drejtori i përgjithshëm Thibaut Bruttin.

Megjithatë, zgjedhjet e fundit treguan rezistencën e mediave të pavarura, të cilat vazhduan, pavarësisht gjithçkaje, të raportojnë mbi akuzat për korrupsion dhe klientelizëm që rëndonin mbi Fides.
“Në muajt e fundit, gazetarët e pavarur ishin faktorët që realisht rrëzuan regjimin e Orbanit”, tha Polyak.
Ai e përshkroi situatën si një stuhi perfekte. Ndërsa hungarezët përballeshin me rritjen marramendëse të kostos së jetesës dhe degradimin e shërbimeve sociale, shumë qytetarë u bënë më të hapur ndaj raportimeve të drejtpërdrejta dhe kritike që ofronin mediat e pavarura.
Ndërsa gazetarët zbulonin një skandal pas tjetrit, nga zebrat e importuara nga rrethi i afërt i Orbanit deri te qëndrimi i afërt i qeverisë me Moskën, Magyar i përfshiu këto zbulime në fushatën e tij, duke vizituar për dy vite rreth 700 qytete dhe fshatra, dhe duke ua sjellë këto tema njerëzve që në lajmet lokale rrallë dëgjonin diçka tjetër përveç mesazheve të krijuara nga Fides.
Polyak tha se disa kompani private mediatike të lidhura me Fides pritet të mbijetojnë edhe pas ndryshimit të pushtetit, sepse vazhdojnë të kenë audiencë të madhe.
“Por në fund do të mbetet një perandori shumë më e vogël”, tha ai, duke shtuar “dhe nëse do të vazhdojnë të jenë besnikë ndaj Orbanit varet edhe nga pozicioni i tij politik. Nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me Fides dhe me vetë Orbanin”.
Megjithatë, zgjedhjet treguan gatishmëri për ndryshim edhe brenda vetë sistemit. Disa ditë pas fitores së Magyar, më shumë se 90 gazetarë të MTI-së, agjencisë shtetërore të lajmeve, një nga më të vjetrat në botë, nënshkruan një letër ku kërkonin rikthimin e “autonomisë editoriale”.
Siç tha Kristina Balog, e cila punoi në mediat shtetërore nga viti 2016 deri në 2018: “Mediat publike nuk i shërbenin informimit ato i shërbenin ndërtimit të narrativës.”
Ajo tregoi se shpesh shihte skenarë të parapërgatitur për transmetimet live të ngjarjeve shtetërore, me udhëzime të miratuara nga qeveria për atë që lejohej dhe nuk lejohej të thuhej.
“Redaktorëve u kërkohej të përdornin fjalë kyçe të caktuara: migrant, Bruksel, terrorizëm”, tha ajo, duke shtuar “materialet copëtoheshin dhe rishkruheshin vazhdimisht për t’iu përshtatur narrativës së qeverisë.”
Qëllimi ishte i thjeshtë: krijimi i frikës, tha ajo.
“Në vend që t’i mësonin njerëzit të mendonin, i kushtëzonin të reagonin me frikë, urrejtje dhe dyshim. Dhe miliona njerëz besonin se po shikonin lajme të vërteta.”
Mes punonjësve të mediave shtetërore mbizotëron tensioni që prej fitores bindëse të Magyar.
“Sinqerisht, ajo që tha Magyar ishte shumë e paqartë. Mbyllja e mediave shtetërore, çfarë do të thotë kjo?”, tha një punonjës i MTI-së që kërkoi të mbetej anonim.
“Por ajo që shoh është se të gjithë, pavarësisht bindjeve politike, shpresojnë të kemi një shërbim normal dhe të paanshëm lajmesh”, shtoi ai.
Shumë njerëz që punonin në mediat shtetërore qëndruan aty për vite të tëra, duke toleruar ndërhyrjen e dukshme të qeverisë, sepse ndienin se kishin pak alternativa të tjera profesionale, tha një punonjëse e radios shtetërore.
Ata që largoheshin shpesh përballeshin me ndikimin e gjerë të Fides, shtoi ajo.
“I ndiqnin për t’u siguruar që nuk do të gjenin punë tjetër. I shkatërruan plotësisht njerëzit.”
Vitet e propagandës nënkuptojnë se Hungaria përballet tani me një sfidë shumë më të madhe sesa thjesht rikthimi i lirisë së medias, tha Balog, duke shtuar “ajo që mbetet është një traumë e papërpunuar: një sistem gënjeshtrash, manipulimi të vazhdueshëm dhe komunikimi të bazuar te frika, që ka lënë plagë të thella”.
Për botën më të gjerë, kjo shërben si paralajmërim për pasojat që mbeten kur mediat vendosen në shërbim të objektivave politike.
“Rimëkëmbja do të kërkojë kohë dhe një përpjekje të menduar shoqërore, forcimin e edukimit mediatik, mendimit kritik dhe aftësisë për të dalluar informacionin nga propaganda. Pyetja kryesore nuk është vetëm çfarë sistemi mediatik do të krijohet, por nëse do të ekzistojë një nevojë reale shoqërore për të vërtetën”, tha Balog. /Përshtati Pamfleti/

