Lajme

Një fitues surprizë nga lufta në Iran: Ukraina

Për vite me radhë, Ukraina i është lutur botës, veçanërisht Perëndimit, për ndihmë në luftën e saj kundër Rusisë. Tani, gjithnjë e më shumë, vende të tjera po i drejtohen Kievit për ndihmë në fushën e dronëve dhe teknologjive ushtarake.

Lufta mes Iranit dhe SHBA duket se ka vetëm një fitues: Ukraina.

Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin përgatitet të shënojë një tjetër përvjetor të “Ditës së Fitores” pa arritur një fitore në Ukrainë, zhvillimet e fundit në Gjirin Persik kanë nxjerrë në pah rolin në rritje të Kievit. Emiratet e Bashkuara Arabe janë vënë sërish në shënjestër të sulmeve iraniane, duke shtuar nevojën për forcimin e aleancave me partnerë si Izraeli dhe Ukraina.

Që nga fillimi i konfliktit me Iranin, disa vende të Gjirit janë përballur me sulme nga dronët me rreze të gjatë të tipit Shahed. Përballë kësaj kërcënimi, ato kanë intensifikuar kontaktet me Ukrainën, e cila konsiderohet ndër vendet më të avancuara në mbrojtjen kundër këtyre sistemeve.

Gjatë dy viteve të fundit, Ukraina është përballur me sulme masive me qindra dronë brenda një nate. Si përgjigje, ajo ka zhvilluar sisteme të avancuara për zbulimin, gjurmimin dhe neutralizimin e tyre, duke e kthyer këtë përvojë në një sektor eksporti.

Presidenti Volodymyr Zelensky ka nënshkruar marrëveshje mbrojtjeje me Arabinë Saudite, Emiratet dhe Katarin, të cilat, sipas tij, përfshijnë edhe shkëmbimin e njohurive për teknologjinë e dronëve.

Në të njëjtën kohë, Ukraina ka avancuar edhe në zhvillimin e mjeteve tokësore pa pilot (UGV). Në prill, një njësi robotike arriti të detyrojë një grup ushtarësh rusë të dorëzohen, pa përfshirjen direkte të trupave njerëzore, një zhvillim që konsiderohet një moment i ri në luftën moderne.

Pamjet e publikuara tregojnë ushtarë rusë që dorëzohen përballë një mjeti të telekomanduar të pajisur me armë, duke ilustruar transformimin e fushëbetejës nga teknologjia.

Ndërkohë, rolet tradicionale po ndryshojnë. Në vend që të kërkojë ndihmë, Ukraina po ofron ekspertizë për vendet e tjera, përfshirë aleatët perëndimorë. Zyrtarë amerikanë dhe europianë kanë pranuar se po mësojnë nga përvoja ukrainase, sidomos në përballjen me sulmet me dronë dhe raketa.

Sipas zyrtarëve amerikanë, Pentagoni ka përshpejtuar adoptimin e teknologjive të zhvilluara nga Ukraina, ndërsa vende europiane dhe anëtarë të NATO-s po kërkojnë gjithnjë e më shumë asistencë nga Kievi.

Në këtë kontekst, Ukraina po konsolidon pozicionin e saj si një aktor kyç në zhvillimin e teknologjisë ushtarake dhe në ndërtimin e aleancave të reja, që shtrihen përtej Europës drejt Lindjes së Mesme dhe më gjerë. / “Corriere Della Sera”

3sgIgLJ.png