Lajme

UNICEF-i jep alarmin: Dhuna prek çdo të tretin fëmijë

Dhuna ndaj fëmijëve në Maqedoninë e Veriut mbetet një shqetësim serioz, ndërsa reagimet emocionale të opinionit publik nuk mjaftojnë për të sjellë ndryshim real. Kështu vlerëson përfaqësuesja e UNICEF-it në vend, Lesli Miler, duke theksuar se është momenti për veprime konkrete dhe të koordinuara për mbrojtjen e fëmijëve. Sipas saj, çdo fëmijë ka të drejtë të rritet pa dhunë, gjë që nuk është vetëm detyrim moral, por edhe ligjor dhe pjesë e angazhimeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ajo rikujton se shteti ka përgjegjësi të qartë për të siguruar sisteme efektive për parandalimin, identifikimin, raportimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës.

“Dhuna ndaj fëmijëve rrallë ndodh e izoluar. Ajo përfshin forma të ndryshme si bullizmi, dhuna në familje, dhuna me bazë gjinore dhe abuzimi online, të cilat shpesh janë të ndërlidhura dhe e thellojnë traumën te fëmijët. Normalizimi i dhunës në familje, në shkolla apo në hapësirat digjitale rrit rrezikun që fëmijët ta përjetojnë ose ta pranojnë atë si pjesë të përditshmërisë. Të dhënat janë alarmante. Sipas UNICEF-it, më shumë se dy nga tre fëmijë të moshës 1 deri në 14 vjeç në vend përjetojnë forma të disiplinës së dhunshme në familje, përfshirë agresion psikologjik dhe ndëshkim fizik. Ndërkohë, rreth 23 për qind e të rinjve të moshës 13 deri në 15 vjeç kanë raportuar se kanë qenë viktima të bullizmit të paktën një herë në muajt e fundit”, tregon Miler.

Përfaqësuesja e UNICEF-it nënvizon gjithashtu se raportet tregojnë për qindra raste të fëmijëve viktima të dhunës seksuale në vitet e fundit, duke nxjerrë në pah dobësi serioze në sistemin e mbrojtjes. Ajo paralajmëron se hapësira digjitale po shton rreziqet, pasi dhuna mund të ndjekë fëmijët kudo – në shtëpi, në shkollë dhe në telefonat e tyre.

Në këtë kontekst, Miler bën thirrje për një qasje gjithëpërfshirëse nga shoqëria. Ajo thekson nevojën për forcimin e legjislacionit dhe zbatimin e tij efektiv, mbështetjen e prindërve përmes programeve të edukimit dhe disiplinës pozitive, si dhe krijimin e mjediseve të sigurta në shkolla me politika të qarta kundër dhunës.

“Një element kyç është reagimi i shpejtë dhe i ndjeshëm ndaj viktimave. Kur një fëmijë raporton dhunë, sistemi duhet të përgjigjet menjëherë dhe pa e traumatizuar më tej”, thekson Miler, duke shtuar se fëmijëve u duhen mekanizma të sigurt dhe të qasshëm për raportim dhe mbështetje profesionale. Ajo nënvizon gjithashtu rëndësinë e sigurisë online, duke kërkuar bashkëpunim më të fortë mes institucioneve dhe kompanive teknologjike për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet e dëmshme. Në fund, përfaqësuesja e UNICEF-it thekson se ndryshimi i qëndrimeve shoqërore është thelbësor për të luftuar dhunën ndaj fëmijëve. Sipas saj, është e domosdoshme të sfidohen normat që e tolerojnë dhunën dhe të ndërtohet një kulturë që promovon respektin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

“Parandalimi i dhunës ndaj fëmijëve është i mundur, por kërkon angazhim nga të gjithë – institucionet, shkollat, familjet dhe vetë komuniteti. Debati publik mund të jetë një pikë kthese, nëse shndërrohet në reforma konkrete dhe veprime të përditshme”, përfundon Miler. (koha.mk)

3sgIgLJ.png