Lajme

Mbi 3 miliardë euro “në gjumë”, kërkohet që paratë e Trustit të investohen në ekonominë e Kosovës

Mbi 3 miliardë euro të qytetarëve të Kosovës qëndrojnë të investuara jashtë vendit. Për këtë, Aleanca Kosovare e Bizneseve ka ngritur alarmin, duke kërkuar që një pjesë e fondeve të Trustit të orientohen në projekte zhvillimore brenda Kosovës.

Aleanca Kosovare e Bizneseve ka shprehur shqetësim të thellë për mënyrën se si miliardat e qytetarëve të Kosovës, të akumuluara në Trusti i Kursimeve Pensionale i Kosovës, vazhdojnë të mbesin jashtë funksionit të zhvillimit ekonomik të vendit.

Sipas AKB-së, deri në fund të vitit 2025, ky fond ka arritur vlerën mbi 3.2 deri në 3.4 miliardë euro, me rreth 250 deri në 300 milionë euro kontribute të reja çdo vit dhe kthim mesatar prej 4 deri në 7 për qind, që gjeneron deri në 200 milionë euro fitim vjetor.

Megjithatë, përkundër këtij potenciali të madh financiar, AKB vlerëson se ekonomia vendore mbetet e dobët, bizneset përballen me mungesë serioze të kapitalit, papunësia vazhdon të jetë e lartë, ndërsa importi dominon tregun.

“Është e papranueshme që mbi 3 miliardë euro të kursimeve të qytetarëve të Kosovës të mos kenë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit. Këto mjete duhet të kthehen në investime të sigurta dhe të orientuara në sektorët strategjikë si energjia, prodhimi dhe infrastruktura,” thuhet në deklaratën e AKB-së.

Nga kjo organizatë thuhet se është e papranueshme që një fond me përmasa miliardëshe të mos ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit.

AKB thekson se nuk kërkohet rrezikimi i kursimeve pensionale, por mungesa e vizionit dhe vendimmarrjes strategjike po e pengon shfrytëzimin e një pjese të këtij kapitali në projekte të sigurta dhe zhvillimore brenda Kosovës.

Mes kërkesave kryesore janë krijimi urgjent i mekanizmave ligjorë dhe financiarë për investime të sigurta brenda vendit, orientimi i një pjese të fondeve në sektorë strategjikë si energjia, prodhimi dhe infrastruktura, si dhe ndërtimi i instrumenteve që mbështesin drejtpërdrejt bizneset vendore.

Agim Shahini, kryetar i AKB-së, theksoi se kjo nuk është vetëm çështje financiare, por çështje e mungesës së vizionit shtetëror dhe përgjegjësisë institucionale ndaj zhvillimit ekonomik vendor dhe mirëqenies së qytetarëve.

Më 24 shkurt 2026, Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës raportoi se asetet e tij kanë arritur në 3.28 miliardë euro, shumica e të cilave janë investuar në aksione, fonde ndërkombëtare dhe obligacione shtetërore në tregjet e zhvilluara.

Ky është një nga momentet më të forta të performancës së Trustit, që tregon jo vetëm rritjen e vlerës së kursimeve, por edhe varësinë e tyre nga ekonomia globale.

Por, ku janë te investuar dhe ku po mbahen këto para?

Ky raport analizon në detaje se ku janë të investuara këto para, cilat janë organizatat që i menaxhojnë fondet, në cilat vende operojnë ato, si dhe cili është niveli i rrezikut për secilën kategori.

Struktura e përgjithshme e investimeve

Nga 3.28 miliardë euro:

  • 59.7% (1.96 miliard €) janë në aksione
  • 12.9% (424 milion €) në instrumente borxhi
  • 9.9% (325 milion €) në fonde multi-asete
  • 8.1% (267 milion €) në asete reale
  • 9.4% (307 milion €) në kesh dhe treg të parasë

Kjo strukturë tregon se Trusti ka orientim kryesisht drejt rritjes afatgjatë, pasi pjesa më e madhe është në tregun global të aksioneve.

Investimet në tregun e aksioneve (1.96 miliard €)

Aksione pasive (ETF dhe fonde indeksuese) -1.45 miliard €.

Shumica e parave të pensioneve të qytetarëve të Kosovës janë të investuara në tregjet e SHBA-së dhe Evropës përmes fondeve gjigante ndërkombëtare. Ekspozimi më i madh është ndaj ekonomisë amerikane. Rreth 60% janë në aksione, që do të thotë se fondi është i orientuar drejt rritjes afatgjatë dhe mund të ketë luhatje në periudha krize globale.

Një pjesë e investimeve janë në sektorë më të rrezikshëm si energjia dhe industria e mbrojtjes, ndërsa rreth një e treta e portofolit është në instrumente më të sigurta si obligacionet dhe depozitat bankare.

Trusti i Kosovës nuk i mban paratë në Kosovë, por i investon në tregjet financiare ndërkombëtare për të rritur vlerën e tyre në afatgjatë. Struktura aktuale tregon një strategji të balancuar mes rritjes dhe stabilitetit, por me dominim të qartë të tregut të aksioneve.

Kjo nënkupton se pensionet e ardhshme të qytetarëve varen drejtpërdrejt nga performanca e ekonomisë globale.

Sipas të dhënave zyrtare të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, viti 2025 ka shënuar një performancë të rëndësishme pozitive në investime, me kthim bruto nga investimet prej rreth 312 milionë euro deri më 24 dhjetor 2025. ‎

Kjo është shifra e fitimit që Trusti ka arritur vetëm nga performanca e aseteve të tij, dhe është rreth 68 milionë euro më e lartë se kthimi në vitin 2024, kur ai kishte qenë rreth 244 milionë euro. ‎Ky rezultat konfirmon se pensionet e kosovarëve kanë sjellë rritje të vlerës së kursimeve edhe gjatë vitit 2025, duke kontribuar në rritjen e totalit të mjeteve të menaxhuara dhe duke rritur besueshmërinë e sistemit të pensioneve.

3sgIgLJ.png