Albon Rexhepi nga Çegrani i Gostivarit i diplomuar në UEJL-Tetovë , po kontribuon në një nga projektet më të rëndësishme të hulumtimit hapësinor në botë.
Rexhepi, i cili aktualisht ka funksion drejtues në kompaninë DEWETRON në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është pjesë e ekipit të kompanisë që kontribuon në misionin Artemis II të NASA.
“Në DEWETRON, jemi krenarë që jemi një furnizues i besueshëm që mbështet teknologjinë pas këtij misioni – duke ndihmuar inxhinierët të sigurojnë të dhëna të sakta dhe të besueshme në disa nga mjediset më sfiduese që mund të imagjinohen.”, thuhet në komunikatën e lëshuar enkas.
Kompania DEWETRON është e përfshirë në këtë mision përmes teknologjive të avancuara të matjes dhe testimit, të cilat përdoren për validimin dhe sigurinë e sistemeve të përdorura në misionet hapësinore.
Ky angazhim përfaqëson një arritje të rëndësishme profesionale dhe një shembull pozitiv për studentët dhe të rinjtë, duke dëshmuar se alumnit e UEJL-së janë pjesë e projekteve globale me ndikim të madh.

