18.4 mln euro të mafies italiane ‘Cosa Nostra’ u bllokuan në një bankë në Shqipëri në nëntor 2021. Sipas SPAK, Taçi do pastronte paratë përmes lëvizjes në disa banka në disa shtete dhe do merrte përqindjen.
Gjykata e Posaçme ka dënuar me 11 vite burg biznesmenin Rezart Taçi, i akuzuar për tentativë pastrimi të 18.3 milionë eurove që dyshohet se i përkasin mafies italiane “Cosa Nostra”. Po ashtu është pranuar kërkesa e SPAK për konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të shumës prej 18 milionë eurosh, që sipas organit të akuzës lidhen me aktivitet kriminal.
Taçi ndodhet në kërkim dhe u gjykua në mungesë, teksa ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, e dhënë po në mungesë. Procesi ndaj tij ishte pezulluar për rreth një vit për shkak të mosgjetjes së biznesmenit për ekzekutimin e masës.
SPAK e akuzon Taçin për veprat penale “pastrim parash” dhe “grup i strukturuar kriminal”, në kuadër të një skeme të dyshuar për transferimin dhe legalizimin e fondeve që dyshohet se burojnë nga aktivitete të paligjshme të organizatës mafioze italiane.
Ky i fundit akuzohet se në bashkëpunim me italianët Francesco Zummo, Fabio Petruzzella, Daniele Cestagalli ka organizuar një skemë për pastrimin e parave në disa vende të botës, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.
18.4 mln euro të mafies italiane ‘Cosa Nostra’ u bllokuan në një bankë në Shqipëri në nëntor 2021. Sipas SPAK, Taçi do pastronte paratë përmes lëvizjes në disa banka në disa shtete dhe do merrte përqindjen. Nga hetimet e SPAK, Artur Balla dhe Beldar Lilo kanë pasur një rol aktiv për të ndihmuar italianët Francesco Zummon dhe ekonomistin Fabio Petruzzella-n, të dy të arrestuar në Itali, të hapnin llogari bankare dhe të bënin transferta parash për pastrimin e tyre.
Balla dhe Lilo ndihmonin italianët me lëvizjet e tyre në Shqipëri dhe bënin transfertat e parave sipas porosive që u jepte Rezart Taçi, i cili është në kërkim nga policia. 18.4 milionë euro ishin depozituar nga korriku në një llogari bankare të hapur pranë ‘Alpha bank’ në Tiranë dhe pastaj duhet transferoheshin në Hong-Kong dhe Singapor nëpërmjet një kompanie të Rezart Taçit, po SPAK e bllokoi operacionin.
Llogaria ishte në emër të Francesco Zummo me shumën 18.399.996 euro. Ndërsa Taçi do të fitonte 3 milionë euro nga ky operacion, ose 16% e shumës. Shuma vinte nga një bankë në Kantonin zviceran të Ticino dhe ishin pjesa e pasurisë 150 miliona euro te Francesco Zummo ta konfiskuar nga gjykata italiane si te ardhura të Cosa Nostra.
Më 25 prill 2023, Gjykata e Posaçme deklaroi fajtorë dhe dënoi dy të besuarit e Rezart Taçit në këtë veprimtari kriminale, Artur Ballën dhe Bledar Lilon, vendimarje që u la në fuqi nga Apeli në muajin tetor.

