Lajme

Studentët shqiptarë “pushtojnë” Shkupin, shkundet qeveria

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase…

Me qindra student kanë nisur një marshim në Shkup, duke protestuar lidhur me mohimin e të drejtës së tyre për të dhënë provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase.

Studentët kërkojnë dorëheqjen e ministrit të drejtësisë. “Nuk ka shtet pa rini”, “Drejtësi, barazi”, “Ministër Dorëhiqu dhe “Studentët nuk tolerojnë”, janë disa nga parrulat që po hidhen në tubim.

Marshimi, sipas organizatorëve, do vazhdojë deri te Ministria e Drejtësisë, institucioni i cili nuk ua mundëson studentëve që këtë provim ta japin edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase. Studentët thonë  se kjo nuk është vetëm ‘lufta’ e tyre, por është ‘luftë’ për mbrojtjen e gjuhës.

Studentët shqiptarë të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut kanë dalë sot në protestë, duke kërkuar të drejtën themelore për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ata thonë se detyrimi për ta dhënë këtë provim në gjuhën maqedonase përbën një akt diskriminues dhe një shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Njëri prej organizatorëve, studenti Ylli Rustemi, u shpreh se kjo problematikë ka zvarritur avancimin akademik dhe profesional të studentëve shqiptarë për gati dy dekada.

“Ne studiojmë në gjuhën shqipe, provimet i japim në gjuhën shqipe, ndërsa provimin e jurisprudencës detyrohemi ta japim në gjuhën maqedonase, ku ndihemi të diskriminuar,” tha Rustemi.

Ai shtoi se kjo praktikë është në kundërshtim me të drejtat e garantuara me ligj.

Përpara protestës, studentët i janë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë me një kërkesë zyrtare, të mbështetur nga 385 nënshkrime të mbledhura në një kohë rekord nga tre universitetet kryesore shqiptare në vend: Universiteti i Evropës Juglindore, Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup.

Studentët shprehen të vendosur dhe paralajmërojnë se protesta e sotme paqësore është vetëm hapi i parë. Ata nuk përjashtojnë mundësinë e përshkallëzimit të veprimeve, përfshirë bojkotimin e provimeve, nëse zëri i tyre nuk dëgjohet.

Së bashku me disa kolegë studentë nga fakultetet juridike, kemi ndërmarrë një nismë për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Ne si studentë në Maqedoninë e Veriut, studiojmë në gjuhën amtare, në gjuhën shqipe. Provimet i japim në gjuhën shqipe, ndërsa provimin e jurisprudencës detyrohemi ta japim në gjuhën maqedonase, ku ndihemi të diskriminuar dhe këtu nuk respektohet kushtetuta dhe ligji.

Kjo nismë është nisur nga kolegu im Mevlan Ademi, së bashku jam një ndër përkrahësit e parë të kësaj nisme dhe këtu pastaj kemi bërë një kërkesë deri te Ministria e Drejtësisë dhe në disa institucione të tjera përkatëse.

Kërkesa është nënshkruar nga gjithsej 385 studentë, nga tre universitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Nga Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë dhe kampusin e Shkup, nga Universiteti shtetëror i Tetovës dhe nga Universiteti Nënë Tereza në Shkup.

Kjo, pas dorëzimit të kësaj kërkese që e kemi dërguar në Ministrinë e Drejtësisë, ministri iIgor Filkov ka dhënë përgjigje negative, i cili nuk e ka respektuar kushtetutën dhe ligjin e përdorimit të gjuhëve dhe pas asaj neve si studentë jemi të detyruar që të dalim në protestë për të arritur një të drejtë tonë, pasi që ndihemi të diskriminuar.

Problemi i jurisprudencës është me vite me radhë, ka qenë ky problem”, tha ai.

Gjatë protestës, një prej oratorëve, tha se nuk e kishte menduar kurrë që në 2026-ën, studentët do të dilnin në rrugë për të drejtën e gjuhës.

“Firkov dorëhiqu nga posti i ministrit të Drejtësisë. Kur preket gjuha preket themeli ynë, shqipja është mënyra se si kemi mbijetuar dhe ardhur deri këtu. Shqipja nuk negociohet është identiteti ynë.

Gjuha është gjak, histori. Nuk lejojmë që shqipja të trajtohet si opsion, sepse është identitet.
Sot nga ky shesh themi se nuk ka barazi pa shqipe dhe të ardhme pa shqipe. Jemi këtu për këtë.

Jo për sot por për nesër. Para ata që vijnë pas nesh sepse ne jemi brezi që nuk hesht apo dorëzohet, ne jemi brezi që flet shqip. Është amaneti i atyre që para nesh dhe përgjegjësia e atyre që do të vijnë pas nesh”, tha ai.

Protesta ka marrë mbështetje edhe nga individë, funksionarë dhe shoqata tjera nga RMV-ja, Shqipëria dhe Kosova.

Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski u premtoi studentëve se do të gjejë zgjidhje, ndërsa u bëri apel që të mos bëhen vegël e BDI-së.

Unë i garantoj studentët se siç janë gjetur shumë zgjidhje për shumë sfida dhe shumë lëshime nga e kaluara, ashtu edhe për këtë do të gjendet zgjidhje përkatëse. Unë mendoj se atë tanimë e dinë dhe apeli im është që të mos lejojnë të jenë vegël në duart e partisë politike që ende jeton në kujtimet e së kaluarës, gjegjësisht në kohën e shekullit të kaluar”, tha me 5 prill Hristijan Mickoski.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli ka thënë se garancitë për të drejta vlejnë vetëm për fushatë. “Garancitë për të drejtat siç duket vlejnë vetëm në fushatë! Pas fushatës, zëri i tyre nuk dëgjohet por zëri i studentëve nuk ndalet para diskriminimit, arrogancës dhe majorizimit. Sot studentët janë në rrugë për dinjitet”, tha Bilalli Zendeli.

Njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti tha se politika gjuhësore në Maqedoninë e Veriut, për fat të keq, është rregulluar me një ligj gjysmak. “Ligjet gjysmake japin zgjidhje gjysmake. Prandaj protesta është thirrje për vetëdijësim për të gjithë aktorët politikë e shoqërorë të cilët duhet të kontribuojnë për zgjidhje më të mira ligjore dhe politika afatgjate institucionale në vend. Në vend të politizimit, bëj thirrje për ndërgjegjësim, sepse protestat studentore gjithmonë janë alarm për dukuritë shoqërore të cilat strukturat politike kanë për obligim t’ i trajtojnë në tërësi”, tha Mexhiti.

Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po përcillet me bujë të madhe periudhën e fundit pasi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Ministria e Drejtësisë, e drejtuar nga Igor Fillov vazhdimisht ka insistuar se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ndërsa inspektimin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve e kanë quajtur si presion.

Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve pas mbikëqyrjes së jashtëzakonshme i tërhoqi vëmendjen Ministrisë së Drejtësisë me argumentin se u kanë mundësuar dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe pavarësisht detyrimit ligjor dhe kushtetues.

Edhe Avokati i Popullit  doli me propozim konkret për Qeverinë ku i kërkon që përmes Ministrisë së Drejtësisë, të fillojë procedurë për ndryshimin tre ligjeve: Jurisprudencës, Noterinë dhe Përmbarimin, që të harmonizohen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që ky provim të jepet edhe në shqip.

Ministria e Drejtësisë i tha Portalbit se i ka dorëzuar përgjigje Avokatit të Popullit, në të cilën është shpjeguar në detaje procedura për dhënien e provimit të jurisprudencës, dhe se provimi i jurisprudencës është provim profesional dhe jo procedurë administrative.

Kryeministri Hristijan Mickoski edhe pse pati deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, pastaj tha se ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut. Më 4 mars në Kuvend premtoi se do të bëhen ndryshime ligjore që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Ekspertët dhe shoqëria civile kanë vlerësuar se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.

Projektligji, i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov.

3sgIgLJ.png