Lajme

Rreziku nga Izraeli, a po synon Turqia armët bërthamore?

Erdogan është xheloz për Izraelin dhe dëshiron armë bërthamore: Çfarë domethënie ka aleanca me Pakistanin dhe Arabinë Saudite?

Deklarata e ministrit të Jashtëm turk, Hakan Fidan, pak javë para shpërthimit të luftës në Iran, se nëse Teherani siguron armë bërthamore “askush tjetër nuk mund të qëndrojë indiferent”, si dhe shmangia e tij për t’iu përgjigjur drejtpërdrejt pyetjes nëse Turqia duhet të ndjekë të njëjtën rrugë, kanë rindezur diskutimin mbi ambiciet strategjike të Ankarasë.

Debati lidhet drejtpërdrejt me objektivin afatgjatë të presidentit Recep Tayyip Erdogan për ta pozicionuar Turqinë si fuqi dominuese rajonale. Në këtë ekuacion, Izraeli konsiderohet si një aktor me kapacitete bërthamore, ndërsa Irani ka qenë pranë sigurimit të tyre, duke krijuar një mjedis ku balanca e fuqisë përcaktohet gjithnjë e më shumë nga parandalimi bërthamor.

Për dekada, Turqia është mbështetur në garancitë e sigurisë që ofron NATO, përfshirë praninë e rreth 50 bombave bërthamore amerikane B-61 në bazën e Incirlikut. Kjo prani e ka vendosur Ankaranë nën “ombrellën” bërthamore të Aleancës. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë filluar të minojnë këtë ndjenjë sigurie.

Diskutimet për të ardhmen e NATO-s, veçanërisht në kontekstin e politikave të administratës Trump, si dhe perceptimi për një tërheqje graduale të SHBA-së nga Lindja e Mesme, kanë rritur shqetësimet në Ankara mbi besueshmërinë e këtyre garancive. Në të njëjtën kohë, propozimet për zgjerimin e “ombrellës” bërthamore franceze në Evropë, që mund të përfshijë edhe Greqinë, shtojnë ndjeshmërinë strategjike të Turqisë.

Në këtë klimë pasigurie, përvoja e Izraelit dhe perceptimi mbi “imunitetin” që i atribuohet fuqive bërthamore, si dhe zhvillimet në Iran, përforcojnë bindjen se posedimi i kapaciteteve të tilla përbën një avantazh vendimtar.

Vendimi i Ankarasë për të mos përjashtuar opsione strategjike lidhet me një qasje të qëllimshme për të rikthyer paqartësinë si instrument presioni dhe negociimi. Kjo sinjalizon se në një sistem ndërkombëtar gjithnjë e më të paqëndrueshëm, edhe opsionet më ekstreme mbeten në tavolinë.

Paralelisht, ripozicionimi gjeopolitik i Turqisë, me afrimin ndaj Arabisë Saudite dhe rikthimin e marrëdhënieve me Egjiptin, si dhe partneriteti i ngushtë me Pakistanin, ngre pyetje mbi formimin e një boshti të ri rajonal sunit. Në këtë kontekst, lidhjet me Pakistanin, një vend me kapacitete bërthamore, dhe marrëveshjet e mbrojtjes me Riadin ushqejnë spekulimet për mundësi bashkëpunimi edhe në këtë fushë.

Zyrtarisht, Turqia nuk ka shpallur synim për të zhvilluar armë bërthamore, megjithëse Erdogan që në vitin 2019 ka lënë të kuptohet për nevojën e rishikimit të kësaj politike. Ndërkohë, lëvizjet konkrete në terren tregojnë një interes në rritje për kapacitete të lidhura me ciklin bërthamor. Vizita e drejtuesve turq në Niger në vitin 2024 dhe sigurimi i një marrëveshjeje për nxjerrjen e burimeve natyrore interpretohet edhe si përpjekje për akses në uranium.

Në të njëjtën kohë, Turqia po zhvillon intensivisht programin e saj civil bërthamor. Centrali i Akkuyu-t, i ndërtuar me ndihmën e Rusisë, pritet të hyjë në funksion deri në vitin 2028, ndërsa projekte të tjera janë planifikuar në Sinop dhe në rajonin e Trakës, me interes nga Koreja e Jugut, Kina dhe SHBA. Këto projekte krijojnë infrastrukturën, ekspertizën dhe kapacitetet teknike që mund të shfrytëzohen edhe për qëllime më të avancuara.

Eksperienca e vendeve si Irani tregon se programet civile mund të shërbejnë si bazë për zhvillime të mëvonshme ushtarake. Megjithatë, ndërtimi i një arsenali bërthamor kërkon kohë, teknologji të avancuar dhe kapacitete të specializuara, përfshirë prodhimin e karburantit bërthamor dhe integrimin e kokave bërthamore në sistemet raketore.

Në këtë sfond, bashkëpunimi me Pakistanin shihet si një element potencialisht vendimtar, ndërsa përpjekjet e Turqisë për të forcuar industrinë e saj ushtarake dhe për të arritur autonomi strategjike mbeten në qendër të strategjisë së saj afatgjatë.

Një zhvillim i tillë do të kishte pasoja të thella për ekuilibrat rajonalë. Izraeli pritet të kundërshtojë fuqishëm çdo përpjekje për krijimin e një fuqie të dytë bërthamore në rajon, ndërsa një garë e re armatimesh në Lindjen e Mesme do të bëhej një skenar gjithnjë e më i mundshëm. /Përshtatur nga “Protothema”

3sgIgLJ.png