Shtetet e Bashkuara të mërkurën i hoqën sanksionet që ia kishin vendosur presidentes së përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodriguez, sipas uebfaqes së Departamentit të Thesarit, më pak se tre muaj pasi forcat amerikane e kapën presidentin e atëhershëm, Nicolas Maduro, përmes një operacioni në kryeqytetin e vendit.
Administrata e presidentit Donald Trump është angazhuar ngushtë me qeverinë e përkohshme të drejtuar nga ish-nënpresidentja dhe aleatja e Maduros, Rodriguez, duke i dërguar sekretarët e energjisë dhe të punëve të brendshme në vizita në Karakas me investitorë të mundshëm, duke bërë një marrëveshje që ShBA-ja ta shesë naftën venezuelase, duke i vlerësuar lart ndryshimet në sektorët e naftës dhe minierave që i kanë për qëllim tërheqjen e kapitalit të huaj dhe lëshimin e masave përjashtuese nga sanksionet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Uashingtoni në mars e njohu formalisht zonjën Rodriguez si udhëheqëse të Venezuelës, duke ia hapur derën rihapjes së ambasadës dhe konsullatave venezuelase në ShBA dhe rimarrjes së kontrollit mbi kompanitë shtetërore jashtë vendit.
Rodriguezi e vlerësoi lart vendimin, duke thënë në rrjetin X se ai është “një hap në drejtim të normalizimit dhe fuqizimit të marrëdhënieve mes vendeve tona”.
“Ne besojmë se ky përparim do ta lejojë heqjen e sanksioneve që tash janë në fuqi ndaj vendit tonë, duke i mundësuar ndërtimin dhe garantimin e një agjende efikase për bashkëpunim dypalësh për të mirën e popujve tanë” – shtoi ajo.
Shumë prej zyrtarëve të lartë në ish-qeverinë e Maduros janë të sanksionuar dhe disa madje ballafaqohen me akuza për trafikim dhe çështje të tjera, të cilat ata i mohojnë.

